Loading...

Si u zhdukën dëshmitarët e Qemal Stafës që panë vrasjen

Shkruan Roland Qafoku

Qemal Stafa është nga të rrallët komunistë emri i të cilit nuk mbart asnjë ngarkesë negative në çdo kohë. Ai mbeti i njëjti idealist deri 5 majin e viti 1942 kur u vra i rrethuar nga 200 milicë në një shtëpi në Tiranë duke shkëmbyer zjarr me ta, duke u bërë simbol i rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe duke e kthyer ditën e vrasjes së tij në ditën e kujtimit të të gjithë dëshmorëve të atdheut.

SKENA E VRASJES

I rrethuar nga 200 milicë dhe me një pistoletë dhe dy bomba në dorë, Qemal Stafa, në ato momente kishte dy rrugë: ose të arratisej, ose të vritej. Kishte shumë pak mundësi me të parën, rrjedhimisht ndodhi e dyta. Ishte ora 09.35. kur baza në Tiranë ku strehoheshin ai dhe 6 persona të tjerë u zbulua dhe të gjithë dolën nga prapa banesës me synimin për t’u larguar.

I pari kishte dalë nga shtëpia Isuf Keçi për të marrë disa materiale, por kur u kthye gjithë e lagjja ishte me policë dhe shtëpia ishte e rrethuar.

I dyti kishte dalë Beqir Minxhozi, por befas ai ishte arrestuar. Në xhep i kishin gjetur kontratën e shtëpisë që kishte marrë me qira dhe emrat e atyre që strehoheshin.

Bashkë me të arrestuarin policia arriti të gjejë shtëpinë dhe e rrethoi atë. Sapo nisi beteja mes tij dhe milicëve ai u plagos dy herë në këmbë. Ashtu çalë-çalë rendi të largohej nga pas shtëpisë ku terreni ishte i hapur me disa ara.

Arriti të kalonte tre prej tyre, por në këtë moment u gjet nën breshërinë e plumbave të milicisë të cilat i shkaktuar vdekjen.

Menjëherë pas vrasjes makinat daktilografike në polici punuan pa pushim. Në njoftimin që kuestori Pandeli Papalilo i dërgonte menjëherë pas ngjarjes Zyrës Mbretërore të Policisë dhe Kuesturës së Tiranës shkruhej:

“Rreth orës 14 të datës së sotme, gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që ndodhet në rrugën Lumi, në afërsi të kolegjit muhamedan (medresesë)… agentët kanë hasur në rezistencë nga ana e disa personave që u orvatën të iknin për t’i shpëtuar arrestimit.

Janë hedhur kundër agentave tri bomba dore të gjitha eksplodonjëse dhe janë zbrazur shumë fishekë revolveri… Agentat janë përgjigjur me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan më 12.9.1921, student”.

Vrasja e Qemal Stafës e shokoi Partinë Komuniste. Kjo ishte humbja më e rëndë e saj që nga themelimi. 7 ditë pas vrasjes Partia Komuniste nxori traktin e saj në të cilin mes të tjerave jepte variantin e vet.

“Në Tiranë, në shtëpinë ku banonte bashkë me shokë të tjerë lufte Qemali u gjend i rrethuar nga agjentët shpirtkazëm të barbarëve fashistë. Qemali i përcolli me të shpejtë shokët nga një anë e shtëpisë dhe vetë qëndroi që t’u lejonte shokëve të largoheshin sa më parë.

Kur agjentët u afruan mjaft me bombat në njërën dorë dhe me revolen në dorën tjetër hapi zjarr duke shtrirë dy prej tyre të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë.

Me këtë mënyrë e çau rrethimin, doli jashtë dhe iku duke luftuar me agjentët e tjerë që po e ndiqnin. Por në një luftë ineguale një plumb tradhtari e mori Qemalin sydragua. Pak nga pak plaga iu ftoh, fuqitë iu prenë dhe ra në tokë.”

Me nota të fryra heroike komunistët zbuluan te viktima një motiv për t’u mbajtur fort.

Trakti mbyllet me një episod që jo vetëm pak besohet sot, por të bën të qeshësh.

“Kur pa se afroheshin, shoku Qemal i mblodhi forcat që i kishin mbetur dhe thirri me sa fuqi pati: Rroftë Shqipëria e lirë demokratike! Rroftë komunizmi dhe shoku Stalin! Vdekje egërsirës fashiste!”

SI NDODHI RRETHIMI DHE VRASJA

Deri në orën 08.00 të 5 majit në banesën ilegale të marrë me qira ndodheshin 7 persona:

Qemal Stafa, Kristo Themelko, Beqir Minxhozi, Isuf Keçi, Drita Kosturi, Gjystina Sata dhe Marie Lezha.

Dëshmitë më të rëndësishme të kësaj ngjarjeje janë të dy dëshmitareve okulare, Drita Kosturit dhe Gjystina Satës.

Të dyja vajzat e reja ndodheshin në atë shtëpi si komuniste, ndërkohë u bënë dëshmitare të njërës prej vrasjeve më të bujshme në Shqipëri, jo vetëm të asaj kohe. Kosturi e jep kështu versionin e saj:

“Qemal qenkemi rrethu, i them dhe shikoj krejt rrethimin. Shulja, (Kristo Themelko), i fortë fizikisht, del nga prapa shtëpisë, i bie banjës me grusht. i pari kërcen Qemali.

Kërcyen këto dy vajzat Gjystina me gjithë Marien. Unë mbetem e fundit po mblidhja ca letra me hangër ndonjë gjë ndonjë letër, kur mbërritën. Mua më kapën të fundit.

Kur dola unë e fundit, Qemali mori rrugën djathtas, Shulja mori majtas. Më arrestojnë dhe më çojnë në kuesturë. Aty ku është sot Shkolla e Kuqe.

Më datën 6, të nesërmen më pyesin të lidh gjë ty me Qemal Stafën? Po i thashë më lidh. Jam e fejuemja e tij.

A e din që e kanë vra? U thashë mund ta kenë vra i thashë. A ke qenë aty ku u vra? Jo nuk e kam parë.

Sikur ta shofësh, e njeh? E njoh ta shof. Më marrin në makinë më çojnë në spital.

Nuk më lane me e pa. Më treguan vetëm gjyslyket. I njeh këto gjyslyke më thanë. Po i thashë, janë të Qemalit.”

Gjystina Sata, (Flora Dishnica) jep pak a shumë të njëjtën situatë si Kosturi në dëshminë e saj.

“Beqiri (Minxhozi) doli në mëngjes për të psonisur. Ndërkohë ne ishim duke pritur. Prit Beqir e s’ka. Kur nga ora 1.(pasdite) hapëm perden për të parë shofim Beqirin që vjen me një tufë me policë, mes tyre ishte edhe një Gëzim i famshëm, spiun i SIM-it.

Beqiri ishte i arrestuar, i lidhur. Them shpejt Qemal. Drita e shkretë u bë copë edhe ajo. Shulja që kishte ardhur në mëngjes kontrolloi xhaketën nëse kishte letra me emra shokësh.

M’i dha mua dhe Maries dhe ne fut në gojë dhe Qemali thotë të marrim çfarë kemi. Mori revolverin e vet, nja dy bomba çfarë ishin aty. Në këtë minutë nuk po shihnim Shulen.

Ku është Shulja, tha Qemali. Kërko nëpër shtëpi, hiç. Shulja kishte hapur prapa banjon, ne nuk e dinim por Shulja e dinte. Ishte me dërrasa. Shpërtheu dërrasat dhe iku. Iku pa marrë, mirë ne, punë e madhe puna jonë, por Qemalin. Duhet ta kishte marrë Qemalin me vete.

Në këtë kohë dalim ne. Drita thotë shpejt dilni. I pari Qemali, Maria dhe unë. Pa kaluar arën e parë na bie në këmbë një bombë. Ne menduam se bombën e kishin hedhur këta që na erdhën. Bombën e kishte hedhur Shulja.

Shulja me demek hedh bombën për të kriju gjurulldi. Ajo bombë u bë shkak që erdhën ata nga prapa. Nga bomba ne u lamë në gjak. Jo ndonjë plagosje e madhe, por nga ciflat. Qemali përpara, ne prapa, kemi kaluar tre ara.

Në këtë moment që ra bomba kthyem kokën prapa, dolën ato dhe Drita u kap. Na kapën edhe ne. Qemali qëllon me revolverin dhe plagos një nga këta në dorë.

Bërtiti ai “Mama mia”, dhe këta qëlluan Qemalin. Edhe ai u plagos, por në dorë. Ne sa kishim fuqi bërtitëm “ik Qemal, ik Qemal”, ai na pa ne që na kapën dhe vazhdoi të ikte.

Iku na shpëtoi nga sytë dhe ne nuk e pamë të vrarë. Një javë kemi ndenjur pa hanger nga mërzia e madhe. 10 ditë nuk na dhanë me hangër asgjë. Domethënë u bëmë kockë e lëkurë.”

VERSIONI I VETËVRASJES

Vetëvrasja e Qemal Stafës për herë të parë është përmendur vetëm pas rrëzimit të regjimit komunist. Ishte çmenduri që dikush të dilte kundër versionit zyrtar. Këtë version e jep Drita Kosturi.

Ndonëse jo shumë i besueshëm si version, Kosturi i referohet një personi të cilit i ka dhënë vetëm inicialet dhe që sipas Kosturit, ka qenë një fshtatar që ka kaluar rastësisht aty.

Ky ka takuar Qemal Stafën dhe ka parë skenën. Gjithnjë sipas Kosturit, ai ia ka rrëfyer këtë të fshehtë të madhe pas vitit 1990. Kosturi rrëfen atë që i ka thënë anonimi:

“Dëshmitari i vetëm i atij çasti tragjik, fatkeqësisht ka mbetur për gjithë këto vite anonim. Madje vetëm vonë prezenca e tij është pranuar zyrtarisht. Ishte një fshatar tiranas, Y.B., që po ndiqte rrugën më të shkurtër për të mbërritur në qytet.

Fshatari dhe djali me revole në dorë janë takuar përballë, fare pranë buzës së lumit. Ndjekësit ishin pas dhe ndihej qartë prania e tyre. Qemali ishte i plagosur. Nuk mund të ecte më.

Kishte në dorë revolverin “Smithson” me dy fishekë. Fshatari ndaloi dhe i bindur që ishte një person i rezistencës, i propozoi të ndërronin rrobat bashkë. Djali nuk pranoi.

Pa dhënë më shumë shpjegime, zbrazi plumbin e fundit mbi trupin e tij. Madje, pa i lënë tjetrit asnjë amanet”.

E fejuara e tij Drita Kosturi e komenton kështu këtë version.

“Qemali vrau veten. Unë e mësova që atë ditë, kur më treguan gjyslyket e tij dhe më çuan në morg. Ata që qëndronin atje flisnin hapur për atë që kishte ndodhur. Ishte i plagosur dhe dy plumbat e fundit i kishte ruajtur për veten.

Kur e gjetën, në pistoletë kishte ende një plumb. Unë nuk e kam thënë kurrë këtë, sepse për ngjarjen qe pranuar një version zyrtar”.

Por dëshmitarja tjetër që ishte bashkë me Kosturin aty Gjystina, Flora Dishnica, nuk e beson këtë version.

“Gjë të sigurt nuk mund të thuash, se duhet të kesh fakte”.

KUSH E SPIUNOI BAZËN KU FSHIHEJ QEMAL STAFA

Janë disa fakte që hedhin dyshime të forta që baza ku ishte Qemal Stafa është spiunuar.

Madje nga vetë shokët e tij. Baza ku strehohej Qemal Stafa kishte tri ditë që ishte marrë me qira dhe ishte e pamundur që policia ta zbulonte kaq shpejt. Arrestimi i beftë dhe i çuditshëm i Beqir Minxhozit me të cilin policia shkoi në shtëpi dhe e rrethoi është një tjetër fakt i dyshimtë.

Po cilët ishin ata që e zbuluan bazën? Tre janë personat ndaj të cilëve janë hedhur dyshime të forta për zbulimin e bazës ku strehohej Qemal Stafa: Kristo Themelko, Beqir Minxhozi dhe Enver Hoxha. Gjystina Sata është më e qartë në versionin e saj “Ikja e Shules është shumë e dyshimtë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ikte vetë pa marrë Qemalin me vete.

Beqiri nuk duhet në asnjë mënyrë ta sillte policinë aty. Ai u justifikua që i kam shëtitur nëpër Tiranë që të na shikonin shokët dhe të vinin të na lajmëronin ne. Kjo bie në kundërshti se kjo shtëpi kishte vetëm tre ditë që ishte marrë me qira dhe ishte sekrete. Kush ishin ata shokë që do ta donin se ku është kjo shtëpi. Në këtë kohë Beqiri ka qenë i arrestum. Darkën e kësaj nate ne mësojmë që Beqiri ishte arratisur

nga Kuestura. Ne ishim dy femra, të lidhur na mbanin duart. Te këmbët kishim një krevat dhe këmbët na i kishin lidhur atje. Dyshimi i parë ishte si iku ky Beqir nga Kuestura.

Unë i mësova pasi dola nga burgu se unë i kërkoja gjithmonë hesap. Justifikimi ishte se i kapën në xhep kontratën e shtëpisë. Ku e ke shtëpinë? Versioni tjetër ishte e kapën me revolver dhe e kam lejen në shtëpi. Pse t’i sillte në shtëpi ai. Të thoshte e kam pa leje dhe pikë.

Në dijeni Miladini dhe Koçi Xoxe, U thashë ma shpjegoni se unë nuk e kuptoj dot. Si u bë ajo gjë? Ata s’u përgjigjën. Unë nuk e mendoja kurrë se ata do të bënin vrasjen e Qemalit. Kurrë nuk e kam menduar këtë. Pse Beqiri i pruri aty Ai bëri gabim që i solli dhe duhet të mos i kishte sjellë. Nuk ua mori mendja se ju mund të ishit aty.

Kujtonte se i kanë parë shokët dhe u kanë lajmëruar juve. Kurse për Shulen më thanë: Ti e di Shulja aq ia pret. Si pra aq ia preu? Të lërë shokun e ngushtë në aty?. ”

Ndërkohë Beqir Xhepa në atë moment një djalë i ri, mik dhe korrier i Qemal Stafës tregon debatin e të atit me Enver Hoxhën pas ngjarjes.

“Babi im Ramazani shkoi te dyqani Flora dhe iu drejtua Enverit: Enver, gjakun e Qemalit e kërkoj te ty, sepse e di mjaft mirë që ti e di se ai është tradhëtuar nga shokët e vet”. Por Enveri iu përgjigj: Po gabohesh Ramazan.”

“Debat me Enverin ka bërë edhe Vançi Barjaktari i sapokthyer na Shkodra. i atë i kishte thënë Vançit përse e kishte lënë Qemalin vetëm. Por Vançi i kishte treguar se kishte qenë në Shkodër me urdhër të Enverit. Madje Vançi kishte bërë debate me Enevrin.

Këtë ia kishte treguar vetë Vançi babait tim”.

Por Enver Hoxha e ka sjellë ngjarjen në kujtimet e tij si melankolike dhe të dhimbshme.

Ai thotë se ka qenë me Qemalin më 3 dhe 4 maj, një fakt që nuk rezulton të jetë i vërtetë.

Hoxha ose e ngatërron se e ka harruar ose qëllimisht e vendos këtë fakt.

“Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin, ishte më katër maj. U poqëm në bazën numër 66, në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatisja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se të nesërmen, që në mëngjez, duke gdhirë 5 Maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije.

Në mëngjez u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokët. Sido që ne baritnim çdo herë, si thotë populli, “me qefin në kokë”, me kobure në brez dhe me bomba në xhepa, as nuk mendonim për vdekjen që na priste në çdo qoshe rruge. Si mund të mendoja unë se e putha dhe e shtërngova për herë të fundit në kraharorin tim, shokun nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?!

Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe, duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën! Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë?

I thashë. Në Tiranë, më tha shoku, në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë, Qemali që në mëngjez u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurtë, mos e besoni se armiku hap parrulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan. Ai harxhoi të gjithë municionin që kishte. Dhe më tregoi tërë historinë e ngjarjes që ka përshkuar historia”.

FATI I KEQ I DËSHMITARËVE TË RRETHIMIT

Të gjithë ata që ishin atë moment në rrethimin dhe vrasjen e Qemal Stafës i ka ndjekur një fat i keq në jetë. Dukej sikur secili kishte jetën e tij, fatin e tij dhe gjithçka nuk kishte lidhje me të tjerët, por kur faktet i bën bashkë ndodhesh përballë një situate që zor se mund të jetë rastësi. Të gjashtë dëshmitarët patën një jetë të vështirë plot andrralla, deri në krime.

Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga milicia, por pas tri javësh u arratis dhe doli partizane. Pas luftës u arrestua nga regjimi komunist si armike e partisë më 1946, u dënua me vdekje, bëri 13 vjet burg dhe pasi u lirua u internua deri më 1988. Vdiq më 2006.

Marie Lezha u arrestua gjatë rrethimit të shtëpisë nga milicia, por u lirua pas disa ditësh dhe doli partizane. Pas çlirimit u internua disa herë, deri në rrëzimin e komunizmit. Vdiq më 2009.

Gjystina Sata, (Flora Dishnica) u arrestua gjatë rrethimit, por pas disa ditësh u lirua. U martua me Ymer Dishnicën duke e ndjekur bashkëshortin në të gjitha internimet e tij. Jetoi në Berat dhe asnjëherë nuk foli për këtë ngjarje.

Kristo Themelko i vetmi që arriti të largohej nga rrethimi i banesës. Pas luftës u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Komuniste. Por karriera vijoi deri në 1947 se më pas ai u arrestua dhe kaloi jetën në burg dhe internim deri më 1990. Vdiq në Tiranë më 1990.

Beqir Minxhozi punonjës banke doli nga shtëpia për të blerë ushqime, por u arrestua nga milicët dhe në xhep i gjetën letrën ku shkruhej kontratë e qirasë së shtëpisë që kishte marrë. Mbi bazën e adresës që kishte shënuar aty policia shkoi në shtëpinë ku ishte Qemal Stafa. Ai u lirua pas disa ditësh. Pas doli partizan në zonën e Matit. Pas luftës u përjashtua nga partia nën akuzën se më 5 maj 1942 nuk ishte treguar vigjilent. Vdiq në vitin 2002.

Isuf Keçi doli nga shtëpia për të marrë disa materiale. Kur u kthye shtëpia ishte e rrethuar dhe nuk mundi të futej më. Pas disa javësh doli partizan. Pas luftës u arrestua si armik, duke kaluar kalvarin e burgjeve. Vdiq më 1990, në Tiranë.

*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912 – 2017.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com