Zbardhen detaje të reja për makinën e djegur që u zbulua ditën e djeshme, ku brenda saj u gjet një kufomë, që dyshohet se është Xhaferr Osmani nga Mitrovica e Kosovës. Rruga ku u gjet makina e djegur është ngjitur me një pikë karburanti ku ka dhe bar kafe si dhe hotel. Sipas burimeve të Report Tv, kamerat e këtij biznesi kanë fiksuar një person tjetër në makinë me viktimën.
Dëshmitarët kanë parë një person të largohej nga vendngjarja me vrap në momentet që i është vënë flaka makinës. Pas njohjes me pamjet e kamerave të pikës së karburantit dhe pyetjes së dëshmitarëve policia ka nisur kërkimet për të identifikuar dhe arrestuar personin që ishte në makinë me viktimën dhe që i vendosi flakën.
Gjithashtu, mësohet se në kafkën e viktimës ka një vrimë që mendohet të jetë shkaktuar nga një plumb. Dyshohet se viktima është vrarë më parë dhe më pas i është vendosur zjarri makinës. Ndërkohë që janë marrë analizat e ADN-së dhe pritet rezultati nga laboratori i kriminalistikës për të përcaktuar nëse viktima është Xhaferr Osmani apo jo, sikur dyshohet deri tani. Rezultatet e ADN pritet që të dalin në dy ditët e ardhshme.
Dyshimet janë ngritur se viktima mund të jetë Xhaferr Osmani 61-vjeç nga Mitrovica, pasi katër ditë më parë është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij në policinë kosovare. Ata kanë denoncuar se familjari i tyre, u ka pohuar se do largohej në Shqipëri, pasi kishte një punë.
Pas kësaj date hyrje në territorin shqiptar, nuk ka asnjë të dhënë se ku ka shkuar 61-vjeçari nga Kosova, dhe se me cilin person është takuar dhe për më tepër ku ka qëndruar gjatë natës dhe ditës. Makina e tij është gjetur e djegur në fshatin Derven të Fushë Krujës, ku brenda saj u gjet edhe një person i djegur. Përpos dyshimeve për lidhje intime, një tjetër pistë ku policia dhe prokuroria e Krujës janë përqendruar është dhe ajo e një variant të mundshëm të një grabitje, apo borxhi të pashlyer.
Policia e Durrësit: Viktima Xhaferr Osmani, 10 persona në pyetje
Për policinë e Durrësit, pavarësisht se analiza e ADN kërkon kohë që të dalë, personi që u gjet i djegur në automjet në Derven të Fushë Krujës është Xhaferr Osmani nga Mitrovica. Ai ka hyrë këtej kufirit me datën 29 prill dhe nuk është kthyer më pas.
Gjatë gjithë natës policia në bashkëpunim me prokurorinë ka punuar intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarje. Atyre ju kanë ardhur në ndihmë edhe homologët kosovarë të cilët kanë njoftuar daljen nga pika kufitare e Morinës dhe mos kthimin pas të Osmanit. Sipas tyre, Xhaferr Osmani rezulton person i zhdukur.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetimet janë përqendruar në zonën e Fushë Krujës. Janë marrë në pyetje mbi 10 persona për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje. Rezulton se viktima nuk ka qenë person i panjohur në atë zonë.
Dyshohet se ai është vrarë me armë zjarri dhe më pas është djegur për të zhdukur gjurmët. Ndërkohë vazhdon puna për të zbuluar vendet se ku ai ka qëndruar gjatë gjithë këtyre ditëve deri kur u gjet i karbonizuar në automjetin e tij.
Është një hetim i gjerë bëjnë me dije nga grupi hetimor dhe po punojmë për ti zgjidhur gjërat një e nga një. Policia bën me dije se veç marrëdhënies intime nuk janë lënë pas dore edhe pista të tjera. Njëra prej tyre mund të jetë prishja e ndonjë pazari apo ndonjë borxh i pa shlyer.