Loading...

Huliganizmi i PD për 5 Maj

Skenat e dhunës të realizuara nga skenaristë veteranë dhe pasionistë të PD, nxorrën lakuriq partinë e cila nuk merret me realizimin e misionit të saj si opozitë, por merret me “armiqtë e kllasës, armiqtë e kryetarit”.

Shkruan Artur Ajazi

Partia Demokratike duket qartazi se nuk është, dhe nuk ka ndërmend të shkëputet kurrë nga dhuna, huliganizmi dhe sjelljet antiqytetare, të cilat demonstrohen mrekullisht në çdo rast, nga pjesa “trimoshe” e asaj partie.

Edhe në 5 Maj, ditën e Dëshmorëve të Atdheut, në ditën e atyre që dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit, duke u përleshur me pushtuesit e huaj dhe tradhëtarët e shitur, Partia Demokratike, nxorri falangat e dhunës, tregoi se kjo parti ka mbetur si në 1996, kur pasi manipuloi zgjedhjet, rrahu dhunshëm opozitën e asaj kohe.

Kjo parti, edhe dje në 5 Maj, tregoi se ka mbetur si 27 vjet më parë, me mentalitetin e dhunës, shkopit të gomës ndaj çdo kundërshtari politik, natyrisht duke u dirigjuar nga lidershipi i saj. Edhe dje Lulzim Basha e ka shfrytëzuar 5 Majin për tu “fshehur” pas Azem Hajdarit, dhe duke mos respektuar ata mijëra dëshmorë të Atdheut që dhanë jetën në moshën më të bukur për lirinë dhe demokracinë. Edhe dje Lulzim Basha, nuk i ka ndaluar por i ka ndërsyer celulat e tij të dhunës, duke treguar se edhe në rast se do të vijë në pushtet, dhuna është filozofia e asaj partie (anti) demokratike.

Skenat e dhunës të realizuara nga skenaristë veteranë dhe pasionistë të PD, nxorrën lakuriq partinë e cila nuk merret me realizimin e misionit të saj si opozitë, por merret me “armiqtë e kllasës, armiqtë e kryetarit”.

Ajo që ngjau dje në 5 Maj në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, i vuri vulën çdo mendimi apo çdo hamendësia se “PD po europianizohet, se PD po fton elitën intelektuale”, pasi nuk ka intelektual që afrohet atje kur shikon skenat barbare. Ajo parti ka mbetur me filozofinë e dhunës ndaj çdo anëtari, militanti dhe kundërshtari politik, ndaj dhe do të rrijë gjatë në opozitë, ndaj do të rrijë gjatë në çadrat e stisura nga “filozofët” që kryetari u ka dhënë së fundi poste në parti.

Ajo që ngjau dje në 5 Maj, duke dhunuar pa asnjë shkak një grup anëtarësh dhe simpatizantësh të Partisë Komuniste, na kujtoi edhe njëherë PD e 1996, na kujtoi edhe njëherë militantët e veshur me uniforma lara-lara, që gjakosën burra, gra dhe pensionistë të nderuar të Partisë Socialiste në sheshin Skenderbej, na kujtoi edhe njëherë dhunën ndaj çdo qytetari dhe gazetari, që fliste dhe shkruante kundër qeverisjes “demokratike”, na kujtoi shikasit e asaj periudhe, që gjurmonin dhe dhunonin çdo opozitar që dilte me flamurin e partisë tij.

Të provokosh dhe nxitësh skena dhune në 2018, kur pretendon të formëzosh një “parti europiane”, dhe aq më tepër në një datë të shënuar siç është 5 Maj, të luash me ndjenjat e familjeve dhe të afërmve të dëshmorëve, të marrësh shkopin dhe të dhunosh burra pleq sepse kanë mendimin e tyre, është mesjetarizëm politik.

Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha, edhe dje u fshehën pas Azem Hajdarit, pasi ata nuk vajtën tek Varrezat e Dëshmorëve për të plotësuar një detyrim moral e shpirtëror, por ata vajtën atje për të përshfaqur skenat e dhunës ndaj atyre që nuk i kanë votuar, dhe nuk do ti votojnë kurrë.

Dhuna e djeshme në ditën e dëshmorëve të Atdheut , tregoi se lidershipi PD, nuk ka ndërmend të largohet dhe distancohet nga dhuna, nga aktet e dhunës, nga stradegjia dhunës, nga segmente të caktuara të huliganizmit të asaj partie, duke u rimbushur shqiptarëve mëndjen se “ajo parti nuk duhet votuar kurrë”. Skenat e dhunës treguan se PD është larg, shumë larg reformimit të saj si parti politike , është larg europianizimit të saj, dhe se rruga e saj e gabuar në opozitë destruktive do të zgjasë shumë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com