Shkodra është kryeqendra nga mund të nisë udhëtimi për të vizituar veriperëndimin e Shqipërisë. Brenda qytetit ka disa vende historike për tu vizituar që nga kalaja e lashtë, muze, kisha, shtëpi historike, monumente kulti, institucione të kulturës etj.
Ndërsa në natyrë mund të shkoni në Shirokë, Velipojë, Franc Josef, Lezhë, Shëngjin, Kune Vain.
Ky tur ju njeh me zonën veriperëndimore të Shqipërisë, ku qyteti kryesor është Shkodra, i njohur si “kryeqendra e veriut”. Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë. Një nga pikat kryesore të qytetit është kalaja e Rozafës, e cila ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. Këtu mund të vizitoni Muzeun Historik, Fototekën Marubi si dhe lagjet me arkitekturë veneciane të Gjuhadolit dhe Serreqit. Pranë qytetit shtrihet liqeni i Shkodrës, (liqeni më i madh i gadishullit ballkanik), me pikat e Shirokës dhe Zogajt. Shkodra mund të shërbejë si bazë për të vizituar objekte të tilla natyrore si ishullin e Franc Jozefit në grykëderdhjen e Bunës si dhe plazhin ranor të Velipojës.
Disa kilometra në jug të Shkodrës ndodhet qyteti i Lezhës. Objektet kryesore për t’u vizituar në qytetin e Lezhës janë: Memoriali i vendvarrimit të Skënderbeut, i cili në vitin 1468 u varros në katedralen e Shën Kollit. Mbi qytet ndodhet kalaja.
Bregdeti i Lezhës ofron për ju plazhin ranor të Shëngjinit si dhe ekosistemin e rëndësishëm natyror të lagunave të Kune-Vainit në grykëderdhjen e Drinit. Një ekosistem tjetër interesant është edhe laguna e Patokut dhe grykëderdhja e Matit. Ky itinerar mund të bëhet edhe tani në vjeshtë./ KultPlus.com