Të buta, të ngrohta plot shije, pogaçet janë ndër gatimet më speciale të kuzhinës shqiptare.
Pogaçet e përgatitura nga duart e nënave shqiptare mbushin gjithë shtëpinë me një aromë të mrekullueshme ndërsa ndjellin shijen për t’i konsumuar menjëherë.
Më poshtë keni përgatitjen e pogaçeve krejt lehtë në shtëpi, një mënyrë ideale për të kënaqur e mbledhur rreth tryezës gjithë familjen por edhe për t’ua shërbyer të afërmve e më të dashurve gjithashtu.
Përgatitja e Pogaçeve Krejt Lehtë në Shtëpi
Përbërësit
3 gota uji miell
1 gotë uji kos
1 gotë uji vaj ulliri
1 lugë të vogël kripë
1 bustinë sodë buke
2 kokrra vezë
Për masën: 250gr djathë i bardhë, i thërrmuar ose gjizë, gjysmë tufe kopër, gjysmë tufe majdanoz. Për t’ia hedhur sipër: fara të zeza të vogla (susam i zi).
Përgatitja
Përziejmë djathin e shkërmoqur (gjizën), koprën dhe majdanozin e grirë.
Në një enë tjetër hedhim miellin dhe sodën e bukës, pastaj hapim pjesën e brendshme, ku hedhim vezët (1 vezë e plotë, plus 1 të bardhë veze).
Një të verdhë të mbetur të vezës e heqim mënjanë dhe e ruajmë për të lyer sipër pogaçet.
Kësaj mase i shtojmë kosin, vajin e ullirit, kripën dhe e gjithë kjo masë zihet brumë. Ky i fundit duhet të bëhet i butë si pjesa e fundit e veshit.
Nga brumi marrim pjesë të vogla sa një kokërr mandarinë. Topin e vogël të brumit e hapim në pëllëmbë të dorës në formë rrethore dhe mesin e saj e mbushim masën e përgatitur me gjizë.
Brumin e palosim, duke i dhënë formën e gjysmëhënës (me masën brenda) dhe pastaj e shtypim në pjesën që bashkohet, me qëllim që të mos shpërndahet masa gjatë pjekjes.
Pogaçet i rreshtojmë me hapësirë nga njëra-tjetra, në tepsinë e vajosur pakëz.
Sipër i lyejmë me furçë me të verdhën e vezës, të rrahur në një enë më vete dhe sipas dëshirës, mund t’i hedhim sipër fara të zeza të vogla.
I pjekim në furre të nxehtë me 170 gradë.