Shkruan Anila Basha
Në një vend ku të gjithë punojnë e jetojnë me intrigën, konspiracionin, prapaskenat, enigmën, vulgaritetin, thashethmnajën: “unë i them atij që t’i thotë këtij, që ai ta tregojë, dhe më vonë ajo të bëhet e vërtetë”, pra, në një vend të tillë ku po rritemi e punojmë a gjoja-punojmë të gjithë (duke konsideruar edhe thashethemet një punë), të kryesh një akt të vërtetë, të ndjerë, të tërhiqesh për sa je lodhur, apo të kesh fuqi ta konsiderosh “rrëzim në dysheme” se nga dyshemeja nuk bie më dot për të gjetur ngritjen, të konsiderojnë: intrigant, mashtrues, tallagjar, inatçor, kriminel, vagabond, trafikant, kokë e madhe, kokë e prerë, besëthyer a bukëshkelur….e s’kanë të ngopur.
Kjo po ndodh me Saimir Tahirin, ish-ministër i brendshëm, që në vazhdën e një politike që nuk prodhon dot më politikë përveçse emrin e tij nga mëngjesi deri në darkë, që nuk kanë lënë vrimë pa hyrë e derë pa dalë me bisht ndër shalë, ngrysen për të parë ëndërra natën e gdhihen në përpjekje për t’i realizuar ditën, gjendet nën komentet me dhe padorashka të gjithkujt, të votuar ose jo, qytetarë të thjeshtë, apo trafikantë, njerëz punëtorë, apo të papunë, e gjithkujt që ka një hapësirë të vetme lirie për t’u shprehur në televizion, foltore partish, kancelari diplomatike, facebook, Instagram, emaile, kafene, shtëpi, në oborrin e lagjes, te ceremonitë e dasmave apo të vakive…
Saimir Tahiri ua bëri jetën ferr të gjithë atyre që e përgojuan për plot PESE vjet me radhë në një gjyq popullor të pashembullt.
Dhe si çekan, mbi të gjithë rëndon pyetja: PSE U DOREZUA SAIMIR TAHIRI?
Personalisht kam idenë se nuk është dorëzim, por dalje nga një situatë e tejzgjatur që në mos e ka lodhur, e ka disgustuar; në mos i është neveritur, tenton ta përbuzë; në mos ka dashur të japë ushqim për qentë, kërkon të dalë e vërteta…Pra, është e thjeshtë: të përfundojë një proces që ka nisur ndaj tij, si qytetar i lirë.
Nëse do pengohej integrimi i Shqipërisë në BE, do thoshin “e pengoi SAIMIR TAHIRI”; nëse hapet drita jeshile, do thonë “e shiti SAIMIR TAHIRIN”;
Nëse do arrestohet Klement Balili, do thonë “e kishte mbrojtur Saimir Tahiri”; nëse nuk arrestohet Klement Balili, do thonë: “e fsheh Tahiri te shtëpia e vet”.
Nëse mbyllet gjyqi ndaj Tahirit dhe ky i fundit del i pafajshëm do thonë “fshehu provat për gjashtë muaj”; nëse arrestohet dhe shpallet fajtor Saimir Tahiri do thonë “e shiti Rama për të mbrojtur veten”.
Nëse kultivohet ende hashash në Shqipëri do thonë “janë klanet e Saimir Tahirit”, nëse nuk mbillet hashash në Shqipëri, do thonë….(në fakt këtë nuk e thonë fare, sepse mbillet akoma)…
Harruam taksën e biznesit të vogël, sepse dha dorëheqjen Saimir Tahiri; u harruan në burg 4 kuksianët e protestës së Kalimashit, sepse Tahiri dha dorëheqjen; kullat në Tiranë nuk ekzistojnë më, se Saimir Tahiri iku; ama, askush nuk flet më për oligarkët që na kanë zënë frymën me palate, se Tahiri u la shëndenë.
Nuk ka më komente për nënat me presh në dorë, qentë e rrahur a të vrarë, as për kioskat, mbaroi historia e Partneritetit Publik Privat; nuk ka më HEC-e mbi hidrocentrale, as task-forca që bllokojnë pronat në bregdet; nuk ka më para tenderash që i merr Safet Gjici apo Sadri Abazi, as hetim pronash deputetësh, nuk ka më shtëpi të pastrehë për kuksianin Flamur Noka në Sarandë për vete e për tre familjarë; janë kthyer ilaçet nëpër spitale; nuk ka më zhul nëpër Shqipëri; u pastrua vendi e na u zbardh faqa,… se iku SAIMIR TAHIRI.
Dhe kur gjithçka tjetër humbi, sepse Tahiri firmosi një letër, për këtë të fundit, ndoshta duhet të fillojnë tani llogaritë, për të bërë ato që harroi t’i bënte kur duhej t’i bënte.
Sepse Tahiri s’mund të ikë kaq thjeshtë përsa kohë që për të kanë votuar njerëz dhe vazhdojnë e besojnë; ndoshta sepse duhet të zgjedhë më mirë njerëzit që i sheh në sy dhe jo në tavolinat e kompromisit ku dhe ai ka qenë palë; sepse është një politikan që mesa dimë, nuk e ka grisur akoma teserën që mban në xhep.
E historitë për Balilajt e LSI, Habilajt e Tahirit, Gërdecin e Zenit dhe Mediut, lirimin e një krimineli të famshëm në Elbasan nga Lulzim Basha sipas një kabllogrami të ambasadës amerikane, tenderat PPP të Ramës, janë histori, që do t’i nxjerrim nga arkivat, saherë të na duhet të trazojmë politikën, siç edhe politika na orienton ne, turmat.
Sepse politika është mësuar gjithmonë të na e lërë dobiçin në derë, me hir, apo me pahir.