Loading...

Identifikohen 3 projektet strategjike për programin “100 fshatrat”

Ministria e Bujqësisë ka identifikuar në kuadrin e programit të 100 fshatrave, 3 projekte strategjike, të cilat do të zbatohen me prioritet të lartë. Këto projekte do të synojnë krijimin e rrjetit të agroturizmit shqiptar, ngritjen e rrjetit të inkubatorëve të produkteve tradicionale dhe ngritjen e rrjetit të markatave/dyqaneve të produkteve shqiptare dhe tradicionale.
1- Krijimi i rrjetit të agroturizmit shqiptar

Programi do të synojë mbështetjen për rreth 27 sipërmarrje të reja agroturizmi dhe 150 bujtina. Mbështetja do të synojë gjithashtu edhe përmirësimin e fermave dhe staneve blegtorale për qëllime të veprimtarisë së agroturizmit dhe turizmit rural.

2- Ngritjen e rrjetit të inkubatorëve të produkteve tradicionale

Programi do të synojë të krijojë rrjetin e “Inkubatorëve të Produkteve Tradicionale”, që do të jenë hapësira që ofrojnë infrastrukturë të gatshme për të gjithë zinxhirin e vlerës së produktit, duke filluar që nga ambientet dhe pajisjet e prodhimit/magazinimit, linjave të paketimit dhe marketimit, mbështetje për standardizimin dhe certifikimin si dhe hapësirë për shitje të produkteve.

3- Ngritjen e rrjetit të markatave/dyqaneve të produkteve shqiptare dhe tradicionale

Produktet tradicionale shqiptare kanë treguar që e kanë të vështirë depërtimin në tregjet dhe dyqanet e shitjes me pakicë. Mbështetja e “hallkës” së fundit të zinxhrit të vlerës (shitja), do të synojë që të krijojë një rrjet të markatave/dyqaneve që do të jenë të specializuara në shitjen e produkteve shqiptare, në veçanti produkteve tradicionale.

Do të synohet që ky rrjet të ketë emërtimin e vet (markën/brandin) që e dallon nga rrjetet e tjera dhe bazuar në një strategji të posaçme marketingu dhe franchise, do të mund të krijojë një masë kritike të dyqaneve që do të bëjnë të mundur rritjen e përqindjes së shitjes së produkteve shqiptare/tradicionale. Mbështetja financiare për ngritjen e këtij rrjeti do të parashikohet në kuadrin e programit të 100 fshatrave.”

Krijohet komisioni

Për administrimin e Programit të integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR)-Programi i 100 fshatrave krijohet “Komisioni Ndërministror për Programin e 100 fshatrave” me përbërje të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Ministrit të infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Ministrit të Kulturës.

Programi i 100 fshatrave do të financohet nga buxhetet e ministrive pjesëmarrëse në program. Në detajimin e fondeve për investime, të alokuara në buxhetet respektivë të ministrive apo institucioneve të tyre të varësisë, ministritë pjesëmarrëse në program do synojnë ti japin përparësi projekteve të identifikuara dhe që zbatohen në zonën e përcaktuar të 100 fshatrave.

Projektet e identifikuara në kuadrin e programit të 100 fshatrave, mund të financohen edhe nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve.

Ministritë pjesëmarrëse, mund të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi për grante, për financimin e këtij programi nga donatorë dhe me financim të huaj.

Programi mund të financohet nga çdo burim tjetër i ligjshëm apo nëpërmjet mekanizmave të partneritetit publik-privat.

100-fshatrat

Qeveria ka deklaruar tashmë nismën e saj për mbështetjen e ekonomisë jobujqësore në të paktën 100 fshatra, të cilat do të jenë pjesë e një program 4-vjeçar. Së fundmi nga 188 fshatra të propozuar, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka mbyllur listën me të përzgjedhurit, ku bien në sy një pjesë e mirë e fshatrave që njihen si destinacione turistike nga Dardha, Voskopoja, Razma apo Bosboshtica. Në këtë listë nuk mungojnë as fshatra të tjerë që, në lajme i kemi dëgjuar për gjithçka, përveç turizmit si Lazarati apo Kalivaçi.

Referuar draftit që po diskutohet është parashikuar që, për të nxitur turizmin rural të financohet ngritja e bujtinave dhe guesthouse. Mbështetja do të jetë deri në 50% të vlerës së investimit por jo më tepër se 1 milion lekë. Në mbështetje të agroturizmit do të jepet mbështetje deri në 50% të vlerës së investimit, por jo më tepër se 20 milionë lekë.

Për të nxitur prodhimet tradicionale të zonave në punishte të vogla, mbështetja është parashikuar deri në 50% e vlerës së investimit, por jo më tepër se 1 milion lekë. Për makineri e pajisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale, mbështetje deri në 50% të vlerës së blerjes së pajisjeve. Nxitja e startup-eve për të rinjtë (25-35 vjeç) me grant deri në 500 mijë lekë.

Një zë është parashikuar në mbështetje të modernizimit të staneve deri në 80% të vlerës së investimit, por më shumë se 200 mijë lekë. Edhe inkubatorët e prodhimeve tradicionale do të mbështeten me grante deri në 70% të vlerës së investimit, por më shumë se 15 milionë lekë, kurse rrjeti i dyqaneve me prodhime shqiptare do të mbështetet deri në 50% të vlerës së investimit, por jo më tepër se 2 milionë lekë./24ore

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com