Është ndarë nga jeta pas një sëmundje të rëndë, nga e cila vuante prej një viti, andrologu i parë shqiptar Vladimir Luçi.
Luçi edhe pse mori trajtim të specializuar nuk mundi të luftonte sëmundjen e rëndë.
Në vendin tonë, andrologjia për herë të parë është studiuar nga mjeku Vladimir Luçi, i cili e studioi si shkencë dhe e vuri në drejtimin e duhur kurimin e pacientëve infektivë dhe me çrregullimeve seksuale.
Luçi ka ndihmuar me mijëra çifte të rinj që të bëhen prindër.
Vladimir Luçi, andrologu i parë shqiptar
Andrologjia është shkenca që studion dhe kuron sëmundjet që lindin në organet gjenitale të mashkullit. Kjo shkencë në vendin tonë e ka zanafillën në fund të viteve shtatëdhjetë. I pari mjek që është marrë me andrologjinë, në bazë shkencore, ka qenë doktor Vladimir Luçi.
Doktor Vladimir Luçi i ka trajtuar meshkujt shqiptarë me një profesionalizëm të spikatur, sidomos në drejtim të infertilitetit, që do të thotë pamundësi për të bërë fëmijë dhe disfunksionit seksual, i cili njihet ndryshe me emrin impotencë seksuale.
Shumë meshkuj nuk e njohin këtë specialitet, i cili është shumë i rëndësishëm, për të zgjidhur mjaft probleme të jetës së tyre seksuale. Por këshillimi me mjekun androlog nuk duhet bërë vetëm në rastet kur shfaqet një shqetësim konkret; ai është i domosdoshëm për të gjithë ata, që kur hyjnë në moshën e pubertetit. ShkodraNews