Një ëmbëlsirë tradicionale, tipike e zonës së Pogradecit, e përgatitur krejt lehtë dhe shpejtë me një shije unike që të përfshin tërësisht.
Dredhaniku me arra dhe shërbet është një specialitet i amvisave pogradecare, të cilat jetë e mot e kanë përgatitur këtë ëmbëlsirë në rasta të veçanta festash apo edhe gëzimesh familjare.
Ja receta fantastike e përgatitjes së dredhanikut me arra dhe shërbet krejt lehtë në shtëpi.
Një mënyrë ideale për të ëmbëlsuar veten dhe më të dashurit tuaj.
Përgatitja e Dredhanikut me Arra në Shtëpi
Përbërësit
(Sasia e përbërësve përzgjidhet sipas preferencës, më poshtë përbërësit janë për 12 dredhanikë)
3 petë të gatshme ëmbëlsirash
1 flxhan çaji me arra të thërrmuara
Gjysmë filxhani çaji me gjalpë të shkrirë
Thelpinj arrash
Për shërbetin
1 gotë sheqer
2 gota ujë
Pak lëkurë limoni të grirë ose lëkurë portokalli
1 lugë gjelle lëng limoni
Një lugë gjelle kanellë
Përgatitja
Hapim petën e parë dhe e lyejmë me gjalpë të shkrirë përmes një furçe kuzhinë.
Hedhim një pjesë të arrëve të thërrmuara dhe më pas petën e mbledhim në formën e rolesë.
Më pas rolenë duhet ta prisni në katër pjesë me gjatësi 10 centimetra dhe secilën prej pjesëve e mbledhim në formë rrumbullake duke i vendosur një thelpi are në mes.
Kështu vijojmë edhe me dy petat e tjera.
Dredhanikët i vendosim në një tavë dhe i lyejmë sipër me gjalpë përmes furçës së kuzhinës.
I vendosim në furrë të parangrohur dhe i lëmë të piqen përreth 20 minuta derisa sipërfaqja e dredhanikëve të bëhet e kuqërremtë.
Nga ana tjetër përgatisim shërbetin. Hedhim ujin, sheqerin dhe i lëmë të ziejnë derisa shërbeti të lidhet.
Në fund i shtojmë lëkurën e grirë të portokallit apo limonit, kanellën dhe lëngun e limonit.
Shërbeti lihet që të vaket dhe hidhet mbi dredhanikët kur këta të fundit të jenë të vakët gjithashtu.