Loading...

A e dini se ku ndodhet Varri i Marigosë së flamurit ? Ja ku …

15 gushti është një datë e shënuar për të gjithë besimtarët e krishterë, pasi shënon ditën e Shën Mërisë e një nga manastiret më të vizituar është edhe ai i Zvërnecit. Qindra besimtarë mbushin manastirin datën e katërmbëdhjetë të gushtit, duke pritur që të zbardhet e pesëmbëdhjetë. Manastiri i Shën Mërisë është i një rëndësie të veçantë, jo vetëm nga ana arkitekturore, por edhe ajo historike.

Manastiri i Shën Mërisë ngrihet mbi pllajën kodrinore në brendësi të gjirit të Kakomesë, larg nga qendrat e banuara. Pozita e manastirit dhe niveli arkitektonik – konstruktiv i ndërtimeve që kanë mbetur, dëshmojnë për rëndësinë dhe vlerat e tij. Kompleksi manastiror përbëhet nga kisha, kulla dhe një ndërtesë dykatëshe, që përdorej për ambiente shërbimi. Sipas studiuesit të saj, Prof.Dr. Aleksandër Meksi, kisha e Shën Mërisë së Manastirit të Zvërnecit është e tipit “kryq i lirë” me kupolë. Ajo mbart në vetvete dy faza ndërtimi, duke u veçuar në pjesën e vjetër dhe atë të re. E vjetra përbëhet nga Naosi (salla) dhe Narteksi (parasalla). Naosi ka formën e një kryqi të lirë, ku krahët lindor dhe perëndimor, janë më të gjatë se krahët jugor dhe verior. Ai përbëhet nga absida, një protezis gjysmë-rrethor dhe diakonikoni. Ndërsa ndërtimi i ri është organizuar në pjesën perëndimore të manastitit, ku ndodhet këmborja.

Kompozimi i jashtëm i kishës dallon për çatinë dyujëse dhe përvijimin e volumeve të tamburit tetëfaqësh dhe krahëve verior dhe jugor, të cilët mbulohen nga çati njëujëse. Për ndërtimin e muraturës janë përdorur gurë, me fugatura të rrafshuara mirë me llaç gëlqereje, ndërsa disa elemente janë suvatuar.
Çatia është e mbuluar me tjegulla. Trajtimi arkitektonik i kullës është i thjeshtë me sipërfaqe të rrafshëta e të mbyllura, me hapësira të pakta dhe të ngushta ndriçimi si dhe frëngjitë e shumta për mbrojtje.

Ndërtesa përmban elemente të shumta arkitektonike e dekorative, si harqe, kolona, korniza, pragje dritaresh, etj., të realizuara me gurë të gdhendur. I gjithë kompleksi manastiror rrethohet nga mure të larta guri, ku ndodhet porta e hyrjes e mbrojtur mirë.

Për përcaktimin e kohës së ndërtimit të kësaj faltore kristiane ekzistojnë disa mendime. Studiuesi shqiptar Aleksandër Meksi argumenton se kisha i përket shek. XIII-XIV. Ndërsa çifti i studiuesve austriakë Helmut dhe Herta Bushhausen mendon se koha e ndërtimit i përket shek. X. Kurse një tjetër studiues, Krauthemeri, mendon se ky tip e ka marrë stilin arkitektonik nga mauzoleumet romake dhe është ndërtuar larg qendrave urbane midis shekujve X-XI. Kjo ide duket interesante, sepse, çuditërisht, brenda kishës në naos ndodhet në dyshemenë e saj edhe një pllakë varri. E shkruar në greqishten Bizantine, ajo ka shërbyer si mbulesa e një sarkofagu, i cili ose ka qenë aty qysh në fillim, ose është marrë nga ndërtuesit për t’u vendosur në dyshemenë e sallës së kishës. Autori Theofan Popa, duke iu referuar shënimeve të Historianes Bizantine Ana Komnena, mendon se varri duhet të ketë qenë i Dukës Argjiro Karanxhas, i cili u dërgua në këtë rajon në shekullin XI nga Perandori Bizantin Aleks Komneni.

Argjiro Karanxha ishte komandant i gardës Perandorake Bizantine (Eteriarh). Ai u dërgua në vitin 1091 nga Perandori Aleks Komneni me mision në Durrës, i pajisur me dy letra. Njëra ishte për Joan Komnenin Dukën e Durrësit, ndërsa tjetra ishte për parinë e këtij qyteti. Argjiro Karanxha u nis drejt këtij qyteti me qëllim të dyfishtë. Si fillim ai do të dorëzonte letrën e parë, e cila i kërkonte Dukës Joan që të shkonte në Kostandinopol për të dhënë shpjegime, pasi dyshohej për veprimtari komplotiste ndaj Perandorit. Qëllimi kryesor i Argjiros ishte ta bindte Dukën Joan që të kthehej në Kryeqytet dhe vetë të merrte kontrollin e Durrësit. Ndërkohë që letra e dytë me të cilën Perandori e kishte ngarkuar Karanxhasin ishte tepër sekrete. Atë ai do ta përdorte në rast se vërtetohej fakti se Duka Joan ishte vërtet komplotist. Atëherë Argjiro Karanxhas do ta përdorte këtë letër, duke i kërkuar në emër të Perandorit Parisë së Durrësit ndihmë, për të arrestuar Dukën Joan, që ishte njëkohësisht nip i Perandorit. Por në këtë mision u përdor vetëm letra e parë, sepse Joan Komneni u bind nga Argjiroja dhe u nis drejt Perandorit, që ndodhej në Filipol të Bullgarisë. Këtu Perandori e priti dhe pasi u bind se akuzat e përhapura për të nipin ishin të rreme, e nisi përsëri drejt Durrësit. Ky ishte njoftimi që na jep në librin e saj “Aleksiada” historiania bizantine, Ana Komnena, rreth misionit të Komandantit Argjiro Karanxhas, i cili u dërgua në Durrës për të marrë drejtimin e kësaj theme në vitin 1091. Argjiro duhet të ketë qëndruar në Durrës për një periudhë të shkurtër, pothuajse dymujore. Për fatin e tij nuk dihet gjë se ç’ndodh më tej. Por erdhi dita kur studiuesi i monumenteve të kultit kishtar, i ndjeri Theofan Popa, publikon në librin e tij “Mbishkrime të kishave të Shqipërisë”, një mbishkrim nga Kisha e Manastirit të Shën Mërisë në Zvërnec të Vlorës. Mbishkrimi ndodhet në dyshemenë e sallës së kishës mbi një pllakë varri prej guri gëlqeror. Ai është vendosur në një fushë të sheshtë. Pllaka anash është zbukuruar nga imitimi i dy kolonave korintike, sipër të cilave qëndron një hark. Mbishkrimi përbëhet nga 3 rreshta dhe përmban këtë tekst : “Këtu prehet Kondos Karanxhas, burrë fisnik me prejardhje prej një fisi fisnik, degë fisnike”. Poshtë mbishkrimit dora e  një skulptori ka gdhendur me shumë art një kafkë njeriu rrethuar prej një gjarpri e të kurorëzuar prej dy kockash, simbol i cili nuk është shpjeguar deri më tani.

Ne librin e tij “Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera” Eqrem Bej Vlora citon një kronikë anonime normane “Breve cronaca normanna”. Sipas saj, gjatë fushatës Normane të vitit 1081, Boemundi i Tarentit, pasi pushtoi Vlorën, rrethoi edhe kështjellën e Kaninës. Njerëzit e tij e bindën gruan e komandantit bizantin të kështjellës që ta eliminonte të shoqin dhe të hapte portat e fortesës. Kështu u veprua dhe gruan tradhtare e shpërblyen për këtë gjë. Por kur në Vlorë zbarkoi Robert Guiskardi, i ati i Boemundit, ngjarjet morën një tjetër rrjedhë.

Duke dëgjuar këtë ndodhi, ai dha urdhër që gruan tradhtare ta burgosnin në Manastirin e ishullit të Zvërnecit. Këtë fakt sipas autorit të mësipërm e citon edhe kryepeshkopi i Ohrit, Dhimitër Homatjani në librin e tij “Biografi e shkurtër”, botuar në vitin 1230. Histori të tjera që lidhen me këtë objekt janë edhe ato që tregohen për Patrikun e Kostandinopojës Shën Nifonin, i cili kaloi një periudhë kohe duke shërbyer këtu gjatë shekullit të XV.

Ndërkohë, në vitin 1932 në varrezën e vogël të këtij Manastiri u varros edhe qëndistarja e flamurit kombëtar, Marigo Pozio. Por historia më interesante është ajo e gjetjes së këtij varri, i cili pas furisë ateiste të shkatërrimit të objekteve fetare, që nisi në vitin 1967 ishte braktisur dhe askujt nuk i shkonte ndër mend se ku mund të ndodhej ai. Ndërkohë diku në mesin e viteve 1980 në adresë të sesionit të kulturës së rrethit të atëhershëm të Vlorës erdhi një letër. Atë e dërgonte një plak nga Kolonja, i afërm i Marigo Pozios, i cili këmbëngulte se në varrezën e këtij manastiri ndodhej varri i Marigosë, i cili tek pjesa e poshtme kishte një kryq hekuri të ngulur në tokë. Ndërkaq nisën menjëherë kërkimet dhe kështu u gjend varri i saj, që sot përbën një tjetër element që i shton vlerat këtij manastiri.

Puna kërkimore e Ilirjan Gikës
Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek. X-XV, Tiranë 1975.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com