Paramendoni derisa jeni duke vozitur me veturë dhe ndaleni në një fshat, duke mos ditur se më shumë se gjysma e banorëve janë të dënuar për pedofili.
Sigurisht se menjëherë do të ktheheshit në veturë dhe me shpejtësi të madhe do të largoheshit. Kështu veprojnë edhe shumica e qytetarëve amerikanë derisa i afrohen fshatit Miracle në Florida, një komunitet ku janë të vendosur mbi 100 pedofilë, transmeton Telegrafi.
Nga largësia Miracle duket si një fshat i fjetur, por ai në vete fsheh një sekret rrëqethës – banorët e këtij vendi nuk kanë të drejtë që deri në fund të jetës t’i kthehet “normalitetit” dhe shoqërisë që dikur e kanë pasur, dhe për këtë arsye duken si të dëbuar – që edhe në fakt janë.
Problemi me banorët e Miracle qëndron se të gjithë në shikim të parë duken “normal” dhe pothuajse “padrejtësisht të dënuar”. Disa betohen se gjithçka u është montuar.
Criss Dawson thotë se është dënuar dhe dërguar me dhunë në Miracle, pasi kishte kryer marrëdhënie seksuale me një 14-vjeçare, për të cilën thotë se gjatë aktit seksual i kishte thënë se i ka 18 vjet.
“Nuk e kam ditur sa vjet i ka. Më ka gënjyer dhe ka pasur me vete letërnjoftimin e rremë. Por edhe shoqet e saj më kanë thënë se është 18-vjeçe. U besova, u tregova naiv. Mendoj se meritoj një shans tjetër që ta bëjë një jetë normale”, thotë Criss i cili para këtij rasti kishte luajtur në bateri në një bend.
Criss ka arritur që në kishën e fshatit ta gjej një vajzë të re Leksy 25-vjeçe, e cila ishte informuar që në fillim se ai ishte dënuar për pedofili.
Ajo në fillim ishte konfuze dhe nuk dinte si të vepronte, por në fund kishte vendosur t’i jep një shans tjetër Criss-it. Dhe me kalimin e kohës e kuptoi se nuk kishte gabuar.
Louis, tani 33-vjeç, ishte arrestuar si 18-vjeçar kur u kap duke tentuar të bëjë seks me një vajzë 9-vjeçe. Ai thotë se kishte kërkuar që ta vendosin në Miracle me qëllim që t’i jepet edhe një shans.
Prifti lokal Dick Withrow, gjatë vitit 2009 e kishte kuptuar se duhet të formohet një qytezë për njerëzit që shoqëria i ka dëbuar dhe lëçitur. Aty e kuptoi për fshatin Miracle, ku në atë kohë jetonin punëtorët fizik me familjet e tyre.
Me ndihmën e autoriteteve lokale, Withrow arriti t’i vendosë në qyteza tjera këta punëtorë dhe familjet e tyre, dhe kështu e shndërroi Miracle në “çerdhe të pedofilëve”.
“Edhe ata janë njerëz. Duhet të jetojnë diku dhe t’i kontribuojnë shoqërisë”, është fjala që më së shpeshti e përdor ky prift.
Megjithatë, Miracle ka një problem – çiftet bashkëshortore apo të rinj jo të martuar, nuk guxojnë të kenë fëmijë. Jo për shkak se ata rrezikohen pikërisht nga prindërit e tyre, por nga fqinjët.
Nëse ndonjë kalimtar rasti pa dashje apo me qëllim kalon nëpër këtë fshat, në secilën shtëpi para derës ekziston tabela me të dhënat e të dënuarit – emri dhe arsyet pse është dënuar.
Në Miracle jetojnë persona të dënuar për faktin se kanë kryer marrëdhënie seksuale me të mitur, posedim apo shpërndarje të materialeve pornografike të miturve dhe keqtrajtim të anëtarëve të familjes. Shumë banorë të Miracle besojnë se jeta në këtë fshat i ka rilindur.
Fotografja Sofia Valiente kishte kaluar 6 muaj në Miracle për të dokumentuar përmes fotografive jetën e dy të dënuarve, siç edhe mund të shihet në imazhet e publikuara më poshtë, në vendin plotësisht të izoluar nga civilizimi.
“Në fillim fillova të frikësohem. Por pasi fillova të bisedojë me banorët, e kuptova se nuk bëhet fjalë për përbindësha. Shumica prej tyre nuk dallojnë aspak nga banorët e tjerë të qyteteve të mëdha të SHBA-ve.
Ky fshat dita ditës është duke u rritur. Më nuk ka shtëpi apo dhoma të lira. Ndërsa ligjet që janë në fuqi në Florida, parashohin që të dënuarit për pedofili nuk guxojnë t’i afrohen parkut të lodrave për fëmijë dhe spitaleve për fëmijë, në një distancë prej mbi 300 metra.
Në Miami kjo distancë është me madhe dhe shkon deri në 750 metra, që u pamundëson pedofilëve hyrjen në qytetet, pasi në çdo 50 metra ekzistojnë parqe për fëmijë, kopshte, shkolla dhe aktivitete tjera për fëmijë.
Të dënuarit e regjistruar gjithashtu duhet të qëndrojnë mbi 150 metra larg rrugëve dhe vendeve publike. /Telegrafi/