Me urdhër të prokurorisë së përgjithshme, janë plot 58 mijë metra katror tokë që janë në sekuestro preventive dhe po hetohen nga organi i akuzës në zonën turistike të Razmës. Burime për shkodraneës bëjnë me dije se gjithçka ka nisur pasi blerësit kanë kërkuar ta regjistrojnë tokën, por kur i janë drejtuar ZRPP-së kanë zbuluar mega – skandalin që po ndodh prej vitesh me shumë territore në vendin tonë.
Toka në fjalë ishte blerë dhe shitur disa herë. Janë jo pak por mbi 50 blerës të cilët nuk mund të çertefikojnë tokën e tyre, ndonëse për atë territor kanë paguar paratë. Përballë mungesës së regjistrimit dhe kaosit të krijuar, ata janë detyruar të kërkojnë ndihmën e organeve shteterore, prokurorisë dhe policise që ti japin zgjidhje. Mësohet se organi i akuzës po heton për transaksione të dyshimta në shitjen e pronës në zonën turistike. Ata janë pronarët e rinj të një sipërfaqeje toke prej 58 mijë metra katrorë, e cila u është shitur nga dy pronarët e vetëm që e kishin fituar përmes aktit të kthim-kompesimit të pronarëve.
Në këtë sipërfaqe ka dyshime se 25000 m2 tokë e llojit pyll u mor padrejtësisht. Pak ditë më parë gjykata e Shkodrës, pas kërkesës së prokurorisë së rrethit, vendosi sekuestro preventive për rreth 25 mije metra katrorë. Hetimi i krimit ekonomiko-financiar kishte filluar në mars 2016, ndërsa vendimi i gjykatës u dha më 25 prill 2018. Sipas organit të akuzës së Shkodrës, kjo sipërfaqe ndodhet ende e regjistruar në favor të përfituesve nga vendimi i Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave ish-pronarëve.
Hetimet treguan se vendimet e këtij komisioni ne Malësi te Madhe, me anë të të cilëve janë kthyer 53 906 m2 tokë e llojit pyll në Razëm, janë të fallsifikuara. Vazhdojnë hetimet për funksionarët publikë që kanë dhënë këto vendime si dhe përfituesit e ketyre pasurive në mënyrë të paligjshme për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Aktualisht nga ana e prokurorisë po merren ne pyetje te gjithë blerësit e parcelave të ndryshme në Razem si dhe po hetohen procedurat e ndjekura nga ana tyre. Të njëjtat burime nuk përjashtojnë mundësinë që në ditët në vijim të behen gati fletë – arrestet për zyrtarët vendorë që kanë abuzuar me detyrën, duke sjellë të gjithë këtë kaos të krijuar në një prej zonave më të lakmuara turistike të rrethit të Malësisë së Madhe. Megjithese detajet jane të rezervuara, nuk përjashtohet mundësia që në këtë skandal të jenë të përfshirë edhe emra të njohur të cilët veprojnë në qarkun Shkoder, të njohur për përfshirjet e tyre politike.ShkodraNews