Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu duke folur në një prononcim për “Top Channel”, për ecurinë e reformës në drejtësi, ka deklaruar se tashmë janë kaluar ngërçet. Tashmë ai thotë se, politikanët shqiptarë nga të paprekshëm kanë frikë nga sistemi i drejtësisë.
Dy shkaqet që vonuan ngritjen e institucioneve si SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë zgjidhur tashmë, thotë Donald Lu. Në një deklaratë ekskluzive për Top Channel ambasadori amerikan i përgjigjet pyetjeve se çfarë po e vonon ngritjen e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
“Vonesat kanë ardhur për dy arsye. E para, ishte kundërshtimi i ligjit të Vettingut nga opozita. Ata e humbën këtë sfidë. E dyta, ishte vonesa në gjetjen e kandidatëve të kualifikuar jashtë sistemit të drejtësisë për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së. Tashmë, të dyja këto çështje janë zgjidhur. Kandidatët për këto institucione janë duke kaluar në procesin e Vettingut. Ata do të jenë funksionalë shumë shpejt”, tha për Top Channel Donald Lu.
Asnjë habi nga ambasadori Lu për ata që nuk e kanë optimizmin e tij. “Nuk është për t’u habitur që politikanët vazhdojnë të kritikojnë dhe të mbjellin dyshime për këto struktura. Ata ishin dikur të paprekshëm. Tani ata kanë frikë”, thotë Lu.
Ambasadori Amerikan e deklaroi reformën në drejtësi si pikë kryesore të misionit diplomatik që në ditën e tij të parë në Shqipëri. Prej zotit Lu kanë ardhur deklaratat më të forta për politikanë, gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, për banda dhe grupe kriminale si dhe për dekriminalizimin e politikës./TCH/