Loading...

Më vdiq një mik nga Dukati-Dedikim rrenqethës për Mitat Aliçkaj nga gjirokastriti Sotir Kosta.

Nga Sotir Kosta, Gjirokaster. 

Elegji për Mitat Aliçkaj.

Mora lot nga ato të nënës,
mora gjak nga ato lule,
mos bëj këngë më tha hëna,
por një Elegji për kuje..

Më vdiq një mik nga Dukati,
ishte mik e goxha mik,
derdhi lot i gjithë fshati,
maja e Bredhit u trondit.

Nuk vajta për ta përcjellë
se ish` haber i vonuar,
ai qe nga goxha derë,
plot respekt për ta nderuar..

Vlora pse preu zhurmën ?
Dukati pse u trondit ?
S`ka burrë të mbajë dhimbjen,
lotët u burojnë nga sytë..

Mitat Aliçkaj me derte,
me atë zë si bilbili,
na krijove halle,derte,
na djeg zemra flakë pylli..

Një atak goditi zemrën,
papritur e pabesuar,
dhimbja zgjoi dhe nënë Beharen,
që është në varr mbuluar..

Thëllëzat,zogjtë e sorkadhet
u mblodhën e qanin tok,
nuk vjen më Mitat Aliçkaj,
Një burrë i zgjedhur në shok…

Iku burri gojë ëmbël
fjalë mjaltë e zemër bardhë,
prandaj na piku në zëmër
helm që s`na ka për të dalë..

Mitat Aliçkaj vdekje e rëndë,
nuset hoqnë vellot e bardha,
ndaluan dasmat me këngë
qanin dhe trimat me palla..

Edhe bletët në koshere
në punë nuk vajtën dot,
kishin zi jo ditë pranvere,
i mbushën hojet me lotë.

Shqiponjat lart në Dukat,
ulën krahët e ndaluan,
si gratë kur ulen në shesh,
me ligje labe vajtuan..

U godit sofër e madhe
që rrinte gjithmonë plot,
nuk mbahen lotët e grave,
burrat s`e durojnë dot..

U hap lajmi në Dukat,
një heshtje si heshtje varri,
Xheni dhe Maja e prenë fjalën,
kur u than se u vdiq vëllai..

o Vëllai ynë i dashur,
o zambak përmbi lëndinë,
të të puthë Nexhmia ballin,
motër Drita të të puthë synë..

O zemra me helm nga brënda
motër Aishea si ta durojë ?
se shëron as vaji,as kënga,
s
ka doktor që ta mjekojë..

U mbush varri me kurora
arkivoli plot dafina,
të përcollën nga Greqia,
me vaj e psherëtima.

Ta qëndisën emrin shokët
me gjak zëmre,jo me bojë,
gërmat ti bënë të arta,
si dekorata heroi..

O ti vesa që veson barin,
bjerë,e bjerë për çdo natë,
ta bësh më të butë barin
që ti duket si krevat..

Hapu varr mos e mbaj brënda
të dalë të gëzojë jetën,
e kërkon dhe Leonora,
mbeti me fëmijët vetëm..

Neve kurrë sdo ta harrojmë,
do ta përballojnë gjëmën,
Mitatin do ta kujtojmë,
do t
i këndojmë dhe këngën..

Çaje varrin ti moj këngë
fluturo si asnjë herë,
ngrihe Mitatin në këmbë,
që ta shohim dhe njëherë..

S`do harrohet Mitat Aliçkaj,
djal puntor i respektuar,
me respekt do ta kujtojmë,
zemërbardhë e burrë i zgjuar..

Me lotë të vajzës Amanda,
me ata lotë të përvëluar,
unë shkruajta fjalët e zemrës,
Të mbetet i pa harruar…

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com