Loading...

Mesazhi rrëqethës që merrte kjo grua: Pas vdekjes, babai më dilte çdo natë në ëndërr dhe….

Eva kishte 8 vjet që i kishte rënë spitaleve të botës cep e më cep për t’u bërë nënë, por pa rezultat. Në këtë moment të jetës së saj ajo pëson dhe humbjen e babait. Por gjërat për të ndryshojnë fill pas kësaj tragjedie.

Eva e humbi babain e saj 6 vjet më parë, pikërisht atëherë kur kishte më shumë nevojë për të. Kishte 8 vite që përpiqej të sillte në jetë një fëmijë e për këtë shkonte nëpër spitale nga njëri cep i botës në tjetërin. Në rrëfimin e “Ka një mesazh për ty” ku ajo thirri hallat për t’u dhënë mesazh, një pjesë të madhe të historisë zë dhe kalvari i vuajtjeve për t’u bërë nënë.

“Kisha pas shpatullave 12 fekondime in vitro negative, isha mbushur plot me hormone, sistemi nervor nuk mbante më”, tregon Eva e cila ishte përpjekur për një shtatzani që në ditën e parë të martesës.

“Gjatë këtyre 8 viteve, qava, u bëra armike me Zotin, jetoja me pyetjen Pse duke mos pasur asnjë arsye shëndetësore, u bëra xheloze me ato gratë që më dilnin përpara me barkun e madh se pse ato Po, dhe unë Jo. U bëra armike me të gjithë, herë me të drejtë dhe herë pa të drejtë”, tregon me sinqeritet Eva. Disa herë me të drejtë sipas saj, sepse njerzit flisnin për të pas krahëve për faktin se ajo s’bënte fëmijë, madje njerëz të afërt.  Por disa herë edhe me të padrejtë sepse shumë njerëz ndoshta pa dashje uronin që të bëhej me djalë apo me vajzë. “Dhe unë thoja po këto sa të pashpirt, sikur nuk e dinë që unë nuk po mundem”, shton ajo.

Humbjen e babait ajo e përjetoi shumë keq pasi me të kishte lidhje shumë të veçantë. Një vdekje e papritur të cilën ajo tregon se e kishte parandjerë. Ndërkohë i ati çdo natë i shfaqej në ëndërr duke i thënë që të vazhdonte me përpjekjet për t’u bërë nënë edhe pse ajo i kishte humbur të gjitha shpresat. “Çdo natë më thoshte, shko të keqen babi se do bësh një vajzë të bukur do ia vësh emrin Jasemina. Vajta tek halla ime e madhja dhe i tregova. Ajo më tha “të keqen halla nisu se babi të ka dhënë bekimin. Ai ka shkuar atje për të të dhënë një fëmijë. U bëra shumë keq, nuk doja të ikja sepse mendoja se do ndërroja babain me fëmijën”. Eva po përjetonte ditët e fajit, i cili e rëndon edhe sot e kësaj dite. “Kam përshtypjen se unë e lodha shumë babin me hallet e mia dhe u bëra shkak”, i thotë ajo Arditit.

Niset për në Turqi vetëm për hir të ëndërrës së babait, edhe pse doktoresha atje nuk ishte dakord që ajo të provonte sërish për shkak të historisë së saj të gjatë të fekondimeve që kishin arritur në 12. “Është një masakër për femrën, sepse merr shumë hormone të rënda, trupi yt deformohet, mendja jote deformohet, të kapin halucinacionet, të kap paniku, takikardi e vazhdueshme. I kam jetuar 8 vjet pasi me këmbëngulje bëja fekondime cdo 7 muaj”, tregon Eva.  Por ajo sërish nuk u dorezua. Kësaj here kishte një motiv akoma më të madh. “Pas 2 javësh shkoj për të marrë përgjigjen. Doktoresha më tha se isha shtatzanë me dy binjakë. Më besoni, tre muaj në çdo natë shkoja babi që më vinte duart në bark”, tregon ajo. Babai i kishte thënë në ëndërr se do bënte një vajzë me emrin Jasemina. Në muajin e tretë të shtatzanisë ajo humb njërin nga bebet që ishte djalë, por nuk u ligështua. “Doja të kaloja një shtatzani pa derdhur asnjë pikë loti, se mezi e prita”. Tashmë Eva është nënë e dy fëmijëve, të Jasëminës 5 vjeçare dhe një djali që është pothuaj 3 vjeç. “40 ditë e 40 net nuk kam fjetur nga kënaqësia. Nuk besoja se ishte e imja”, tregon ajo kur solli në jetë fëmijën e parë. “Babi është ëngjëlli im dhe i fëmijëve të mi”, përfundon ajo historinë e gjatë të përpjekjeve për t’u bërë nënë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com