Pak ditë pas vetëdorëzimit tek autoritetet turke, Izet Haxhia, ish-truproja i ish-Presidentit Berisha dhe një prej personave të dënuar nga gjykata shqiptare për vrasjen e Azem Hajdarit, ka nisur përgatitjet për t’u përballur me drejtësinë.
Ai ka zgjedhur në Shqipëri avokatin Fran Dashi, i cili do të mbrojë interesat e tij gjatë dhe pas ekstradimit. “Panorama” kontaktoi me avokatin Dashi, i cili tha se ka nisur përgatitjet për procedurat e ekstradimit dhe shumë shpejt Haxhia do të vijë në Shqipëri, ku është dënuar në mungesë.
Sipas avokatit, Haxhia do të rigjykohet dhe dosja “Hajdari” do të rihapet. Avokati shprehu bindjen se klienti i tij është i pafajshëm dhe kërkon një proces të rregullt ligjor, ndryshe nga ai i viteve më parë.
“Z. Haxhia u dorëzua me vullnetin e tij në Policinë turke, pasi Gjykata e Lartë atje vendosi që të ekstradohej. Me dëshirën dhe vullnetin e tij ai kthehet në atdhe pas 18 vjetësh, për t’u ballafaquar me drejtësinë dhe për të treguar pafajësinë e tij në çështjen e bujshme të vitit 1998.
Ne do të kërkojmë rigjykim dhe hapjen e çështjes nga e para, pasi z. Haxhia që nga dita që ka nisur procesi gjyqësor dhe deri në këto momente, nuk ka qenë prezent në asnjë seancë pyetjesh apo seancë gjyqësore. Dhe mosprezenca e tij gjatë procesit e bën nul vendimin e Gjykatës.
Në këto kushte, ai kthehet me vullnetin e tij për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe të tregojë pafajësinë”, thotë avokati Dashi.
I pyetur nëse rihapja e dosjes prek edhe të dënuarit e tjerë të çështjes “Hajdari”, avokati nuk preferoi të bënte komente më përtej se sa për klientin e tij.
“Unë përfaqësoj zotin Haxhia dhe për këtë arsye nuk marr përsipër të komentoj për persona të tjerë”, shtoi Dashi.
Lidhur me kohën se kur mund të mbërrijë Izet Haxhia në Shqipëri, avokati tha se po bëhen përgatitjet, edhe pse nuk ka një datë fikse, për shkak se procedurat zgjasin, si nga pala turke ashtu edhe nga ajo shqiptare.
Rreth katër ditë më parë, ish-truproja i Berishës njoftoi përmes rrjeteve sociale se ishte vetëdorëzuar në Policinë turke, pas vendimit të Gjykatës së Lartë atje për ta ekstraduar në Shqipëri.
“Meqë nuk erdhën të më marrin, u dorëzova vetë në Policinë turke”, shkruante ai në profilin e tij në “Facebook”.
Haxhia është njëri prej të dënuarve me 25 vjet burg nga gjykatat shqiptare për vrasjen e Azem Hajdarit. Mirëpo, ai nuk e ka pranuar kurrë këtë akuzë dhe është arratisur në Turqi ku ishte në azil. Haxhia, gjatë gjithë kësaj kohe ka akuzuar gjithnjë Berishën për vrasjen e Azem Hajdarit dhe për gjyqin ndaj tij. Edhe më herët, Haxhia ka thënë se do të paraqesë fakte tronditëse për vrasjen e deputetit shqiptar kur të kthehej në Shqipëri.