Loading...

PS ndez ”motorët” për zgjedhjet lokale, sonazhe për përzgjedhjen e kandidatëve. Asnjë nuk e ka vendin të sigurt

Partia Socialiste ka ndezur “motorët” për zgjedhjet vendore të vitit 2019. Edhe pse na ndan edhe një vit nga ky proces zgjedhor, kryeministri Edi Rama ka nisur punën dhe përgatitjet sikur zgjedhjet të zhvilloheshin në qershor. Mirëpo kreu i qeverisë nuk është i kënaqur me punën e kryer deri më tani nga kryetarët e bashkive dhe këshilltarët socialistë. Duke qenë se zgjedhjet vendore të 2019 do të jenë përcaktuese edhe për ato parlamentare që do të zhvillohen në vitin 2021, Edi Rama kërkon që në procesin e vitit të ardhshëm të arrihet një rezultat sa më i mirë.

Por meqenëse ai është shprehur i pakënaqur nga angazhimi dhe arritjet e deritanishme, krerët e bashkive dhe këshilltarët do t’i nënshtrohen një procesi analize. Për të vlerësuar performancën e tyre është ngritur një grup i caktuar pune, i cili përbëhet nga Ilir Beqaj, Eglantina Gjermeni, Arben Ahmetaj dhe Evis Kushi. Ndërsa kryebashkiakëve dhe këshilltarëve socialistë iu është dorëzuar një formular. Në pyetësor pushteti vendor duhet të tregojë në mënyrë të detajuar punën e kryer.

Formulari përmban 18 pyetje, ndërsa disa nga pyetjet më pikante janë: Sa janë shpenzimet me fondet e veta për investime në shkolla/ rrugë rurale/ ujësjellës për vitet 2014, 2015, 2016, 2017?; Ecuria e shpenzimeve për sportin dhe kulturën gjatë këtij 4-vjeçari; Cila është tarifa e gjelbërimit dhe e ndriçimit?; Sa metra katrorë leje ndërtimi për ndërtimet e reja janë dhënë në vitet 2014-2017, etj. Sipas informacioneve, deri më tani pyetjeve u janë përgjigjur 26 kryetarë bashkie, ndërsa 7 prej tyre nuk kanë dërguar akoma përgjigjet e tyre.

Sondazhe me qytetarët

Nga ana tjetër, Partia Socialiste pritet të organizojë edhe një sërë sondazhesh në terren ku do të pyeten qytetarët dhe njerëz brenda partisë për kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë. Vlerësimi që ata do të japin për punën e bërë nga këto dy grupe do të ndikojë tek lista e kandidatëve që PS do të fusë në garë për zgjedhjet e vitit 2019. Mirëpo duhet të theksohet fakti se askush nuk e ka vendin e sigurt sepse lideri i qeverisë nuk është i kënaqur me performancën e kryebashkiakëve dhe këshilltarëve.

Duke marrë parasysh edhe përgjigjet që do të jepen në formular dhe sondazhet që do të kryhen, nuk përjashtohet që tek lista e kandidatëve të ketë lëvizje dhe që disa persona të mos futen më në garë. Pra, fati i gjithsecilit do të vendoset nga rezultatet që do të dalin nga procesi i analizës. Ky grup i punës i ngritur për analizën, i cili drejtohet nga Ilir Beqaj, do të vijojë punën deri më 30 qershor, kur do të bëhet analiza finale dhe do të vendoset nëse do të rikandidohen apo jo kryebashkiakët socialistë për zgjedhjet e vitit 2019.

Nga ana tjetër, në fokus PS do të ketë edhe platformën e bashkëqeverisjes dhe numrin e regjistrimeve në portal nga ana e bashkive. Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta, 30 janë bashkitë që kanë numrin më të lartë të regjistrimeve tek portali i bashkëqeverisjes. Listën e kryesojnë bashkitë e Vlorës, Tiranës, Beratit, Fierit, Korçës, etj. Ndërsa 31 bashki të tjera nuk kanë avancuar sa duhet me regjistrimet në portal. Midis këtyre bashkive që duhet të përparojnë mund të përmendim atë të Kolonjës, Kukësit, Patosit, Divjakës, Cërrikut, Vorës, etj./SOT

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com