Loading...

Kryeministri harron miqtë e vjetër që përfunduan duke u zënë për një kockë

Ishte qesharak debati i dy ditëve më parë mes Fate Velajt dhe Auron Tares, i pari deputet dhe këshilltar i Kryeministrit Rama për Diplomacinë Kulturore – më shumë se si njeri i kulturës, ai është i njohur si adhurues deri në budallallëk i Ramës – dhe i dyti shok i vjetër i kryeministrit që priti gjatë dhe me durim të merrte një llokëm pushteti pas fitores së Partisë Socialistë pesë vjet më parë – Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, e cila u krijua enkas për të.

Debati dukej qesharak për ata që nuk janë edhe aq të informuar për pozicionet shtetërore dhe shoqërore me kryeministrin të këtyre dy personazheve, dhe alarmues për ata që dinë diçka më shumë për fijet që i lidhin ata njëri me tjetrin.

Për ta bërë pak më të qartë situatën vlen të thuhet që pak ditë më parë udhëtuan drejt Shqipërisë një delegacion me rreth 50 arbëreshë nga komunat Casalveçhio di Puglia dhe Lungra.

Qëllimi i tyre ishte përkujtimi i 551 vjetorit të betejës së fundit kundër turqve që u kurorëzua me vallen e fitores dhe 567 vjetori i kurorëzimit të dasmës së Skënderbeut me Donikën.

Në dukje kjo ishte një vizitë e zakonshme e një grupi arbëreshësh (nuk është hera e parë që vijnë në Shqipëri), por më vonë doli se ajo ishte një iniciativë e Fate Velajt për të mbuluar shpenzimin e 25 milionë lekëve me një aktivitet në Kaninë që siç u tha nga ata që ishin aty, më shumë se riprodhimi i dasmës së Skënderbeut ishte një grumbullim fshatçe i ca njerëzve, të veshur me kostume popullore arbëreshe, të lodhur nga vapa dhe mungesa e ujit që kënduan dhe u larguan në heshtje.

Mirë a keq, Fatja i justifikoi paratë dhe u largua i lumtur dhe me keq akoma i bindur se qëllimi ishte përmbushur.

Por ja që nuk ishte e thënë të kalonte edhe aq në heshtje shpenzimi kot i një buxheti të tillë. Sepse shoku tjetër i Ramës, drejtori i Bregdetit, i lodhur tashmë nga dita bosh dhe buxheti jo siç e kishte ëndërruar i agjencisë së tij, nuk lë raste të tilla t’i kalojnë kollaj.

Nëse deri tani Auroni e ka nxjerrë inatin duke shfryrë nëpër tavolina, ky aktiviteti i Fates e nervozoi me tepër së zakonisht ndërkohë që mendonte se po t’ia kishin dhënë atij do t’i shpenzonte ato para në mënyrë më të kulturuar dhe të denjë.

Gjakrat janë nxehur akoma më shumë edhe për faktin se miqtë e vjetër ka kohë tashmë që nuk begenisen më nga kryeministrit dhe kanë ngelur si lypsarë, në krye institucionesh pa ndonjë vlerë (rasti Tares), apo personazhe alla Don Kishot (rasti i Fates), që ardhja në pushtet nuk u shërbeu për të përmbushur ëndrrat e mëdha që kishin.

Pra ndërkohë që kryeministri – miku i vjetër që dikur u premtoi qiellin – është i zënë me oligarkët, Auroni dhe Fatja zihen me njëri tjetrin për 25 milionë.

I pari e shau të dytin për aktivitetin mediokër dhe të turpshëm, i dyti e quajti të parin gjarpër me helm.

Të gjitha këto për ato të shkreta 25 milionë lekë.

P.S. Thonë se Rama në fillim u argëtua me sherrin që provokoi pa dashje, por pasi pa se përplasja mori përmasa publike, i ka thirrur të dy shokët e u ka dhënë dru për performancën aspak të mirë në publik. Por Auroni dhe Fatja janë betuar se nuk do të pajtohen, dhe jo vetëm kaq.

Ata do të vazhdojnë të jenë vigjilentë për çdo qindarkë që kryeministri u jep të tjerëve për t’i kujtuar Ramës së edhe ata janë frymorë që presin ndonjë kockë prej tij./Pamfleti.com

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com