Partia Demokratike do të mbledh nesër Kuvendin Kombëtar. Ashtu siç u tha edhe më përpara, PD do të diskutojë në mbledhjen e nesërme statutin e ri. Statut që ka nxitur një përçarje akoma më të madhe brenda Partisë Demokratike. Kjo për faktin se ndonëse u mendua se ndryshimet e reja në statut do të mundësonin një bashkim në PD, kjo gjë duket se ka rezultuar e gabuar. Pas përplasjeve mes Bashës dhe grupit të kritikëve në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ditët e fundit ka nisur dhe një tjetër “luftë” e ashpër brenda kampit demokrat.
Kësaj here lufta ka nisur mes Bashës dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndonëse në pamje të parë në ambientet publike është parë një frymë pozitive dhe një marrëdhënie e mirë mes tyre, jashtë kamerave një gjë e tillë nuk rezulton e vërtetë. Sipas informacioneve të gazetës, pas përplasjes së pak ditëve më parë mes Bashës dhe Berishës për aksionin opozitar, ditët e fundit ka nisur edhe një përplasje sa i takon nismës së ndërmarrë nga kreu demokrat për ndryshime në statut dhe mënyrës sesi ky i fundit po drejton partinë.
Madje Berisha e ka shprehur qëndrimin kundër mënyrës sesi po vepron kreu demokrat Lulzim Basha edhe në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD ku vendosi të bojkotonte mbledhjen duke shprehur gjithashtu edhe qëndrimin e tij kundër ndryshimeve në statut. Por përplasja mes tyre është thelluar akoma më shumë edhe në lidhje me delegatët që do të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar, ku Basha ka vendosur që të përjashtojë të besuarit e Berishës.
Veprim që ka irrituar akoma më së shumti ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili ka filluar lëvizjet dhe kundërpërgjigjen ndaj Bashës për mënyrën sesi ky i fundit po drejton partinë. Por pavarësisht kësaj është mësuar se numri i të besuarve të Berishës në Kuvend do të jetë shumë i pakët krahasuar me numrin e mbështetësve të Bashës.
Krerët e degëve zgjedhin delegatët e besuar
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në kuadër të mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD, prej kohësh ka nisur mobilizimin për të përzgjedhur si të deleguar të gjithë të besuarit e tij. Basha duke parë që një pjesë e kryetarëve të degëve dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Parisë Demokratike apo dhe anëtarë të Kryesive të Degëve në rrethe janë mbështetës së Berishës, ka vendosur që t’i përjashtojë duke thirrur vetëm të besuarit e tij.
Madje, gazeta ka mësuar se në shumë degë të PD është bërë përzgjedhja e kandidatëve dhe se të gjithë janë nga grupi i të besuarve të Bashës. Veprim ky që kreu demokrat e ka ndërmarrë për të shmangur çdo të papritur që mund të ndodh në Kuvendin Kombëtar, ndonëse tema është përcaktuar dhe se nuk do të ketë diskutime të tjera. Por ky veprim i ndërmarrë nga kreu demokrat ka irrituar të besuarit e Berishës, të cilët dhe këta të fundit kanë filluar përpjekjet për të çuar në Kuvend të deleguarit e tyre. Lëvizje që ka nxitur përplasje dhe debate të shumta në bazat e Partisë Demokratike duke thelluar në një farë mënyre kampet dhe përçarjet brenda kësaj force politike.
Por pavarësisht këtyre përplasjeve të krijuara në bazë, gazeta ka mësuar gjithashtu edhe nga burime pranë grupit të kritikëve se këta të fundit pas përpjekjes që ndërmorën në mbledhjen e Këshillit si dhe duke parë manovrat që po bën Basha, kanë vendosur që të tërhiqen në një farë mënyre nga nismat e tyre duke ia lënë në dorë demokratëve të thjeshtë për të bërë veprimin e radhës. Megjithatë pavarësisht këtyre problemeve të shfaqura gjatë këtyre ditëve në Partinë Demokratike ende nuk dihet sesi do të procedohet nesër dhe se nuk ka një vendim nëse do të tentohet diçka kundër kreut demokrat apo jo./ SOT