Nuk ka derman për LSI-në. Në këtë parti, çdo ditë dhe më shumë, po largohen zyrtarët dhe të zgjedhurit e saj.
Eksodi që ka psushtuar partinë e Monikës, nuk ka të ndalur. Ditën e sotme, dy këshilltarë të LSI në Këshillin Bashkiak të Memaliajt kanë braktisur partinë e tyre, duke u pozicionuar në krah të PS.
Janë larguar nga LSI këshilltarët Luan Halili dhe Yllka Çaushi. Me këtë lëvizje, sërish PS nuk bën shumicën në këtë këshill, pasi shkon në 9 këshilltarë, ndërkohë që LSI është e dyta me 5, e ndjekur nga PD me 2.
Gjithashtu, janë edhe 1 këshilltarë nga PDIU, 1 nga BK e FRD, 1 nga PSD, 1 nga UK dhe 1 nga PDS. Këshilli Bashkiak i Memaliajt ka 21 këshilltarë.
Kjo është bashkia e radhës, ku këshilltarët e LSI lënë partinë e tyre, duke iu bashkuar PS, pasi një hemorragji e tillë ka ndodhur në shumë bashki të vendit. Shkak për eksodin e këshilltarëve të LSI u bë skandali i lobimit rus për PD, si dhe një bashkim i mundshëm i dy partive opozitare. Pjesa më e madhe e këshilltarëve të LSI janë larguar duke u bashkuar me PS, për shkak se janë mësuar me pushtet dhe nuk durojnë të jetojnë në opozitë.