Mazhoranca qeverisëse duket se është e vendosur që çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian të mbështesë në qershor hapjen e negociatave për vendin tonë. Që pas marrjes së rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave pa kushte, përfaqësues të Partisë Socialiste kanë nisur lobimet në vendet që e shohin me skepticizëm dëshirën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Ndërsa dje ishte vetë kryeministri Edi Rama i cili udhëtoi drejt Gjermanisë për tu takuar me zyrtarë të lartë nga Parlamenti gjerman dhe në veçanti me kancelaren Angela Merkel.
Gjermania është treguar si një vend që e sheh me dyshim uljen e Shqipërisë në tryezën e bisedimeve dhe për të ndryshuar këtë qëndrim, kreu ynë i qeverisë zhvilloi një takim kokë më kokë me Merkel. Pak para se të “mbylleshin” në dhomën e takimit, i cili zgjati rreth 90 minuta, Rama dhe Merkel dolën në një konferencë për mediat. Ajo që ra në sy gjatë fjalës së mbajtur nga kancelarja gjermane ishte se kjo e fundit vuri disa parakushte për vendimin pozitiv në qershor.
Merkel u shpreh se janë kryer disa reforma shumë të rëndësishme, por shtoi se deri në qershor duhet të shikohet më shumë progres. “Ne do të këshillohemi sesi do të operojmë më tej në procesin e të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Komisioni më 17 Prill ka propozuar që të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për këtë, ne do duhet të konsultohemi me Këshillin Europian në fund të qershorit. Që të mund të hapen negociatat e anëtarësimit ka një sërë parakushtesh.
Shqipëria disa i ka plotësuar fort. Gjatë javëve të ardhshme, ne do të krijojmë mendimin tonë përfundimtar, nëse ka akoma disa gjëra që duhen realizuar, apo a është bërë përparim i mjaftueshëm. Ne duam të shohim më shumë progres deri në qershor, sidomos në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ajo.
Kancelarja vlerëson reformat
Në vijim të fjalës së mbajtur, Angela Merkel u shpreh e kënaqur nga reformat e ndërmarra deri më tani nga shteti shqiptar. Sipas saj, janë arritur disa rezultate dhe përparime, ndërsa theksoi se mbështetja e Gjermanisë në thellimin e nismave të ndërmarra do të vazhdojë. “Takimi sot, për mua është shumë i rëndësishëm, pasi do të mësoj nga vetë Kryeministri sesi e sheh ai plotësimin e parakushteve të ndryshme dhe sesi ne do të mundim që në këtë rast ta mbështesim Shqipërinë në realizimin e reformave, ashtu sikurse dhe sot. Këtë e kemi bërë e do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej.
Unë dua ta them shprehimisht se Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme dhe se nëpërmjet tyre janë arritur përparime”, deklaroi kancelarja gjermane. Merkel po ashtu e ndali theksin edhe tek reforma në drejtësi dhe procesit i vetingut në radhët e policisë i cili ka nisur së fundmi. Kancelarja nënvizoi se kryeministri duhet të vazhdojë në këtë rrugë, duke thelluar reformat. “Kemi folur edhe në takimin e fundit për këto, si për shembull, këtu e kam fjalën për sistemimin e drejtësisë, sepse nëpërmjet reformës në drejtësi, forcohet tërë integriteti dhe besueshmëria e tij.
E dimë se procesi i vetingut tani po zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm se mund të inkurajoj Kryeministrin dhe të vazhdojë këtë rrugë. Kemi folur edhe për fusha të tjera, siç është shteti i së drejtës në përgjithësi, por dhe lufta për krimin e organizuar dhe kundër korrupsionit. Unë mendoj se të gjitha këto kanë një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe për njerëzit e saj”, tha Angela Merkel./SOT