Ervin Memo i riu nga Fieri të cilit iu bë atentat me tritol ditën e shtunë ka rrëfyer për grupin e hetimit se nuk ka asnjë person tek i cili të dyshojë për ngjarjen.
Ai thotë se: “Nuk kam asnjë konflikt, përveç mosmarrëveshjeve për pronat”, dhe se nuk priste që konflikti i familjes së tij për pronat me disa të afërm të arrinte deri në pikën e eliminimit fizik.
“Nuk kam një person konkret tek i cili të dyshoj lidhur me këtë atentat. Jam i papërfshirë në konflikte. Edhe ato konflikte pronësie që kemi, nuk janë aq të rënda sa të donte dikush të më vriste”, ka thënë Ervin Memo, ndërsa kur hetuesit kanë hedhur dyshime se mund të ketë qenë ndonjë i njohur i afërt, i plagosuri i atentatit ka mbledhur supet.
Nga ana tjetër, i riu nga Fieri duke folur për momentin e shpërthimit, nuk ka kuptuar asgjë deri në momentin që ka tentuar të ndezë makinën.
“Makinën e kisha parkuar para shtëpisë. Nuk e përdorja, por vetëm e ndizja herë pas here pasi e kisha nxjerrë në shitje. Sapo vendosa çelësin për ta ndezur, ndodhi shpërthimi, më pas nuk mbaj mend asgjë nga tronditja. Vetëm kur më nxorën nga makina, dëgjova njerëzit që brohorisnin dhe duartrokisnin”, ka deklaruar Memo para hetuesve.
Familja Memo ka trashëguar një sipërfaqe të madhe toke në Fier nga gjyshërit e të riut dhe ajo ka qenë palë në disa procese gjyqësore për prona të trashëguara në zonën e Unazës së Re në qytetin e Fierit. Vetë Ervini ishte i pamartuar dhe nuk ishte i punësuar. Ai ka qenë i vetëpunësuar, pasi shumë toka e ara i kishte kthyer në vreshta.
Por, për të njëjtën pronë duket se kanë pasur përherë pretendime nga ana e disa të afërmve të tij. Kjo ka bërë që prej më shumë se 15 vite, familja Memo të ishte pjesë e shumë gjyqeve për pronësinë e tokës. Sipas hetuesve, konfliktet për pronën mbeten pista kryesore, por paralelisht po shihen edhe konfliktet e tjera të mundshme të Memos me persona të tjerë apo edhe familjarëve të tij me persona të tjerë.