Qendra Psiko-sociale Vatra hapi në Vlorë të parën klinikë ligjore në mbështetje të viktimave të dhunës.
Bashkimi Europian po financon një seri projektesh të tilla, të cilat po zbatohen nga organizata Save the Children në bashkëpunim me Qendra Shqiptare e Praktikave Ligjore te Integruara.
Klinika është pjesë e projektit të Qendrës “Vatra” për mbështetjen e viktimave të gjithë llojeve të dhunës para organeve të drejtësisë dhe shërbime ligjore për to.
“Dhuna ndaj grave dhe vajzave po bëhet një problem shqetësues për gjithë vendin, një plagë për shoqërinë dhe Vlora është një nga zonat më të vështira, dhe nga viti në vit janë shtuar rastet e vajzave dhe grave që dhunohen në familje” – tha Brikena Puka, drejtuesja e qendrës psikosociale Vatra.
Numri gjithnjë në rritje i rasteve të cilat Vatra mbështet tregon praninë dhe rritjen e dukurisë dhe ndërgjegjësimin e viktimave për ta denoncuar atë.
Gjate 3 viteve te fundit Vatra ndihmoi me shërbime sociale e ligjore 95 raste të reja dhe 39 fëmijë në vitin 2015, 125 raste dhe 43 fëmijë në vitin 2016 dhe vitin e fundit 2017 gati dy herë më shumë se vitet e tjera, 212 raste të reja dhe 85 fëmijë.
Rritja e numrit të denoncimeve dhe viktimave bëri të domosdoshme shtimin e psikologëve dhe juristëve për ndihmë ligjore e psikologjike, si dhe hapjen e klinikës ligjore pranë institucioneve të ligjit, aty ku denoncueset kërkojnë drejtësi.
Qendra Vatra po ndihmon fëmijët me shërbim psikologjik në Gjykatë, kryesisht me çështje të kujdestarisë, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Zhvillim dhe Promovim Social në Vlorë, e specializuar për shërbime sociale për femijet.
Pjesë e projektit është edhe informimi i të rinjve në shkolla dhe i banorëve në 13 njësi administrative të qarkut Vlorë mbi ligjet që mbrojnë viktimat e dhunës, mbrojtjes së fëmijëve. Studentë të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Ismail Qemali të Vlorës po bashkëpunojnë me Qendrën Vatra dhe me Klinikën e saj ligjore.
Në bashkëpunim me Qarkun, bashkinë dhe institucione të Vlorës dhe me rrethet e tjera nga vijnë viktimat, Qendra Vatra po i mbështet ato në rrugën e vështirë të riintegrimit në jetën sociale./zerieamerikes.com