Sipas humanistëve Enea Silvio Pikolomini, para i ardhshëm Piu II, Antonio Sabelikos Rafaelo Volaterranos, e po ashtu më vonë të Pjer Ronsarit, Alfons Lamartinit, Zhyl Mishlesë, Elize Reklysë, Feliks Zhyljenit dhe shumë të tjerëve, vazhdimësia e shqiptarëve shkon në vijë të drejtë te Aleksandri dhe Pirroja, mbretër të Epirit, trashëgimtarë të Dodonës “ab antiquo”. Ky pohim mbështetet gjërësisht nga humanistët tanë Marin Barleti, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani, si dhe nga mijëra dëshmi “in loco”, të shkruara dhe gojore. Më 1882 u gjet në Arkivin e Napolit dhe u botua një letër e dijetarit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1405-1468), poliglotit që dinte pesë gjuhë të huaja bashkë me letërsitë e tyre përkatëse: heroi ynë kombëtar, më 31 tetor 1406 ia dërgonte princit të Tarenit Xhovani-Antonio Orsinit, duke thënë se po t’u besojmë kronikave tona kombëtare, ata na tregojnë se sovranët epirotë e molosë, Aleksandri dhe Pirroja, kanë qenë stërgjyshët e shqiptarëve; këta dy dinastë u shquan me ekspeditat e njohura që ndërmorën përtej Adriatikut. Tërësia e rrethanave domethënëse na tregon se vula zyrtare dhe e fshehtë e Skënderbeut, që u bë e njohur më 1962, ka emblema tërësisht dodonase; përkrenarja e tij, që ruhet në Vjenë, është e njëjtë me helmetën e Pirros, të përshkruar prej Plutarkut; për më tepër, në drurin gjenealogjik të pasardhësve të tij, jo rastësisht janë shquar Pirroja I, Kastrioti-Skëndërbe, si dhe Pirroja II Kastrioti-Skënderbe. Si përfundim, duhet të saktësojmë se vija: Aleksandri dhe Pirroja i Epirit – shqiptarët e sotëm, deri më sot, nuk është kundërshtuar nga asnjë dokument historik i vlefshëm.
Një repertor mjaft i pasur greko-romak, që asnjëherë nuk është hedhur poshtë, vërteton se Aleksandri dhe Pirroja, si molosë, ishin aecidë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Eakut, gjyshit të Akilit, i cili që nga Homeri është vlerësuar si mishërimi i vetë prototipit të pellazgut. Veç kësaj, diçka që është plotësisht e provueshme, ka vazhduar ngritja në shkallën e princit, pa asnjë qëllim të paravendosur, e tre nipërve të Skëndërbeut, që sanksionuan onomastikën pellazgjike, mjaft domethënëse, të paraardhësve të tyre parahistorikë: Akili I Kastrioti-Skënderbeu, Akili II Kastrioti-Skënderbeu dhe Akili III Kastrioti-Skënderbeu. Si pasojë logjike e këtij realiteti objektiv, lidhja gjenetike ndërmjet shqiptarëve dhe pellazgëve ka vijuar të imponohet që në zanafillën e epokës moderne, një e vërtetë tashmë e pranuar nga një ushtri specialistësh shqiptarë e të huaj.
Përfundimisht, origjina pellazgjike e kombit shqiptar, të pandarë prej Adriatikut, është provuar në mënyrë të padyshimtë, pa asnjë hije etnocentrizmi, nëpërmjet përputhjeve, ndihmesave, konvergjensave të pakundërshtueshme të mijëra të dhënave ndërdisiplinore, zakonisht të pabotuara, vendore, që u përkasin fushave të mëposhtme: historigrafisë, nunizmatikës, epigrafisë, fizikës radiometrike, kimisë (së metaleve, tokave etj.), etnologjisë, folkloristikës, gjuhësisë, onomastikës, etimologjisë, antropologjisë, hematologjisë, ballkanologjisë, etruskologjisë, jurisprudencës, paleografisë, statistikës, demografisë, klimatologjisë etj. Afër rivierës sonë, në jug të Buthrotit të lashtë, të cilin e donte aq shumë “Andromaka” e Rasinit të pavdekshëm, gjendet shpella paleolike e Kreshmoit, në të cilën janë gjetur më 1933 “ankorat e argjirit”, një “specialitet” gjithëmesdhetar eskluziv i pellazgëve, të quajtur prej kohësh zotër të deteve.
Nga fillimi i shekullit XIII para erës së re, bashkëvëllai i pellazgut Akil, Diomedi – paraardhësi i Aleksandrit Molos, që shpëtoi nga lufta e Trojës, u end pa pushim nëpër pellgun adriatik. Ai i dha emrin e vet ishullit të Diomedit dhe një faltoreje “të adhurueshme e të shenjtë”, sipas Aristotelit të Scimnosit, duke e përfunduar atje poshtë harkun e jetës.
Pothuaj njëkohësisht Pirro Neotolemi, djali i arkipellazgut Akil, erdhi te plazhet adriatike të afërta me Buthrotin dhe mbretëroi në “viset e molosëve” (Prejardhjen e tij pellazgjike e kanë sanksionuar edhe Eniusi, Ovidi, Prisciani…) Në brigjet e Adriatikut, sipas Stefan Bizantinit, ai themeloi qytetin e Bylisit, që e përkujtonte në monedhat e veta. Thuhet se, nëpërmjet përzgjedhjes së përsëritur, ka përsosur një racë të lartë gjedhësh, që e kanë lëvduar me të drejtë Aristoteli, Teopompi, Varroni, Plini, Arriani, Eliani, Ateneu : ky lloj ka ardhur deri te rritësit e sotëm të racave rekorde. Akileidi, veç të tjerash, mbahet si krijuesi i një valleje tërheqëse, pirrikes, që ende vazhdon dhe lulëzon në Shqipëri…
Ndër studiuesit tanë mësimet e urta të një historie të tillë të gjatë ushqejnë dhe ndriçojnë të kaluarën e të ardhmen, kurdoherë në shërbim të paqes, të lirisë, të vëllazërisë mes popujve të Adriatikut dhe të mbarë botës… Plejada të tëra përfaqësuesish të shkencës franceze kanë dhënë ndihmesë të frytshme për ndriçimin e problemeve themelore të pellazgologjisë në kuadrin e kulturave mesdhetare. E ndiej veten të nderuar që këtu të bëj një homazh të përzemërt e të fuqishëm për ta, në veçanti për kujtimin e pashuar të Robert d’Anzhelisë dhe Dominik Briquel-it. Ata pajtohen të gjithë sesa e sigurtë është mirënjohja e popullit tonë, e “besës”, fjalës së dhënë të shqiptarëve, i cili kurrë nuk do ta harrojë bujarinë e popullit vëlla francez.