Itali, dënohen me burg, babë e bir nga Tirana që “mbushën” Italinë me kanabis. Janë dënuar me 7 deri në 10 vite burg, një grup i strukturuar trafikantësh i përbërë nga shqiptarë dhe italianë. Gjykata e Barit ka konfirmuar hetimet e Prokurorisë italiane, të cilat kishin arritur në përfundimin se rruga e re e drogës nga Ballkani, përqëndrohet në bregun verior të Pulias.
Sipas asaj që bëjnë të ditur mediat italiane Gjykatësja Rosa Anna Depalo ka dënuar me burg deri në 10 vjet, tetë anëtarë të një organizate kriminale italo-shqiptare, e cila trafikonte kanabis nga Shqipëria në Itali. Mes të dënuarve janë edhe shqiptarët Roland dhe Fabio Lame, babë e bir, të cilët janë dënuar respektivisht me 10 vjet burg dhe 7 vjet e 4 muaj burg. Është pikërisht Roland Lame, që konsiderohet nga mediat italiane si “koka” e bandës së trafikantëve.
Ndërkohë që italianët Gaetano De Vivo dhe Pasquale Maria, të konsideruar në mesin e udhëheqësve të organizatës, janë dënuar respektivisht, me 10 vjet dhe 10 muaj burg si dhe 8 vjet e 2 muaj burg. Sipas hetimeve të italianëve, mësohet se muajt e fundit, trafikantët nga Tirana, në këtë rast Roland dhe Fabio Lame, kishin zgjedhur plazhet shkëmbore të Foggia si një portë për kanabisin në Evropë. Ata sillnin lëndën narkotike, e cila më pas u dorëzohej italianëve, për t’u shpërndarë në të gjithë rajonin e Pulias. Guardia di Finanza ra në gjurmët e një mjeti lundrues me mbi një mijë kilogram marijuanë në bord. Ata u ndaluan në shkurt ndërsa kjo bandë konsiderohet në krye të trafikantëve të drogës.