Loading...

Veshjet e ushtarëve të Ali Pashë Tepelenës

Dorian Koçi

Qëndrimi ndaj figurës së Ali Pashë Tepelenës, nuk u ka shpëtuar dhe shqetësimeve gjeostrategjike të kohës. Që në gjallje të tij Ali Pashë Tepelena u pa si një “despot oriental” tipik nga udhëtarët evropianë qofshin turistë kulturorë apo dhe përfaqësues diplomatikë. Rrjedhimisht si i tillë nën influencën e rrymës së Filo-Helenizmit që ishte shumë prezent në atë kohë dhe në kundërshtim me çfarë shprehte popullsia greke, ai konsiderohej si dhunues e shtypës të asaj ç’kishë mbetur nga Greqia e Lashtë.

Natyrisht këto sentimente melodramatike shërbenin dhe si një mbulojë për të mbuluar frikën që shkaktonte kontrolli vërtet i frikshëm i Aliut mbi Greqinë kontinentale, Adriatikun dhe Egjeun. Ky kontroll strategjik bëhej akoma dhe më i padëshirueshëm nga Fuqitë e Mëdha nëse krijohej shteti i pavarur i Ali Pashë Tepelenës, i cili sipas të gjitha gjasave ashtu si pashallëku i Janinës do të dominohej nga elita fisnike dhe ushtarake shqiptare. Nga gjiri i kësaj elitë fisnike ushtarake kishin dalë së ushtarët më të mirë të Perandorisë Osmane.

Gjatë shekujve të mëparshëm popullsia shqiptare në përgjithësi kishte qenë një element force në perandori. Ndaj të gjitha Fuqitë e Mëdha që Aliu hyri në marrëdhënie diplomatike u përpoqën ta përdornin në kundërshtitë që kishin me njëra-tjetrën në rajon, por kurrë nuk i dhanë mbështetjen e duhur diplomatike për të shpallur pavarësinë. Veshja e ushtarit shqiptar të kohës së Ali pashë Tepelenës ishte një kombinim midis petkave të lehta dhe fustanellës.

Kjo e fundit u mbajt edhe në uniformën e Regjimentit “Gjuajtësit e Orientit” të formuar në Ishujt Jonianë në 1807. Regjimenti “Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar kryesisht nga suliotët dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin shërbimin tradicional të mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si rezultat i armiqësive që kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë Tepelenës.

Fustanella shqiptare, e cila duke qenë më shumë e pëlqyer mes popullsive të Ballkanit u imitua më shumë nga popujt e tjerë më të largët. Me këtë veshje disa udhëtarë të huaj në XVIII-XIX vërejnë se ishin të veshur truprojat e oborreve princërore të Moldavisë, të Vllahisë në Bukuresht. Gjithashtu Major William Martin Leak, përfaqësues i Anglisë në Janinë, që kishte pasur mundësinë para Bajronit ti vizitonte këto zona, kishte shkruajtur që në 1805: Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme, si në More edhe në pjesët e tjera të Greqisë në këtë të fundit për shkak edhe të rritjes së madhe të fuqisë shqiptare.

Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke”. Të gjitha këto dëshmi hedhin dritë mbi influencën dhe “ekspansionin” etnografik nëse mund ta quajmë kështu të shqiptarëve që duke qenë elita ushtarake e Pashallëkut të Janinës, përveçse zakoneve dhe mjeshtërive të tyre të luftimit u kishin imponuar nga ana estetike dhe veshjen e tyre kombëtare popullsive të tjera në Ballkan.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com