Familja Boçari është pronare e 142 hektarëve në Vlorë. Në komunizëm u shpronësuan për t’u ngritur ndërmarrje bujqësore. Në vitin 1996, Komisioni i Kthimit të Pronave i ktheu Gëzim Boçarit 2 hektarë toke.
Por dokumenti ju dorëzua me mangësi materiale pa firmë të kryetarit të komisionit, raporton në një kronikë Top Channel.
Gjykata e Lartë vendosi në 2003 plotësimin e mangësisë dhe dorëzimin siç e kërkon paditësi”, shprehet Gëzim Boçari për TCH.
Për vite me radhë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk e zbatoi vendimin e Gjykatës së Lartë, atëherë Gëzim Boçari ju drejtua Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Gjykata vendosi që të ekzekutojë pa vonesë vendimin e Gjykatës së Lartë si dhe e dënoi shtetin shqiptar me një gjobë prej 49 mijë eurosh për dëmin moral. Në atë kohë ka qenë kryeministër Berisha, paratë i kemi marrë, pronën jo”, thotë Boçari.
Ju drejtohet për vite me radhë institucioneve të shtetit.
“Të gjithë ose s’janë përgjigjur ose janë përgjigjur tjetër për tjetër. I jam drejtuar sërish Strasburgut që të evidentojnë që vendimi i tyre nuk po zbatohet”, shprehet Gëzimi.
Deri në 2017, Avokati i Shtetit ka reaguar që vendimi i Strasburgut është ekzekutuar.
“Ekzekutimi konsiston në dhënien e një firme nga kryetari i ATP pro ose kundër kjo nuk është ë bërë, pra shteti ka mashtruar përsëri Strasburgun”.
Në zonën e Jonufrës, ndërkohë lulëzojnë përditë ndërtime në prag të sezonit të ri veror.
“Në këtë pronë kryetarët e bashkisë, të mëparshmit, në mënyrë të veçantë Shpëtim Gjika, kanë bërë biznes ose pis-nez”, thotë Boçari.
Ka qenë 40 vjeç kur e nisi këtë betejë, tani është 70 vjeç.
“E gjithë shtëpia është plot me dokumente. Me pyet ku nuk kam qenë jo ku kam qenë”.
Profesor Boçari thotë se gjithë dosja e tij duhet t’i nënshtrohet vettingut.
“Të gjithë këta që janë këtu, asnjë nuk është pronari, pra po zhvillohet strategjia e Katovicës që t’i qarkullojnë pronarët nëpër gjyqe derisa të lodhen. Unë kam vendosur të mos lodhem”, shprehet Gëzim Boçari.