Deputeti mediokër që nuk di mirë shqip deklaron se di tre gjuhë të huaja. Sipas formularit të dekriminalizimit nuk është larguar asnjëherë më shumë se një muaj jashtë vendit, por pretendon se është diplomuar në Gjenevë. Nuk tregon nëse e ka mbaruar shkollën e mesme
Shkruan Adriatik Doçi
Sadri Abazi perceptohet nga opinioni publik si një ndër deputetët më mediokër të Parlamentit Shqiptar, por kjo cilësi, jo vetëm nuk e ka penguar, por përkundrazi, duket se e ka ndihmuar që të ngjitet pas këpucës së Edi Ramës, duke futur në xhep një pjesë të buxhetit të shtetit shqiptar, me anë të një kompanie, të cilën e ka kaluar në emër të familjarëve të tij. Edhe pse e ka të vështirë të artikulojë një fjali në gjuhën shqipe sipas rregullave elementare sintaksore, Sadri Abazi, në jetëshkrimin e tij, deklaron se di tre gjuhë të huaja dhe se është diplomuar në Gjenevë. Duke iu referuar gjithnjë jetëshkrimit të tij, Sadri Abazi thotë se di anglisht, italisht dhe turqisht, ndërkohë që pretendon se në vitin 2002 është diplomuar në Gjenevë.
Dyshimet për vërtetësinë e jetëshkrimit të deputetit konsistojnë në faktin se Sadri Abazi, në formularin e dekriminalizimit, deklaron se nuk është larguar asnjëherë më shumë se sa një muaj jashtë vendit. Pyetjes se nëse ka jetuar ndonjëherë më shumë se sa një muaj jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, deputeti i është përgjigjur me ‘jo’. Nuk marrim përsipër të pohojmë që deputeti Sadri Abazi e ka blerë diplomën dhe as se nuk ka fare diplomë, por që të diplomohesh në Gjenevë pa lëvizur më shumë se sa një muaj nga Shqipëria, duket të kesh cilësi magjistari.
Ligji për dekriminalizimin ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të verifikuar vërtetësinë e të dhënave të deklaruara nga deputetët në formularin e dekriminalizimit, por organi i akuzës mund të verifikojë edhe ligjshmërinë e diplomës që pretendon deputeti, i cili në jetëshkrimin e tij nuk thotë asgjë se ku dhe kur e ka mbaruar shkollën e mesme.
Deputeti Sadri Abazi ka disa vite që fut në xhep një pjesë të buxhetit të shtetit shqiptar, duke kombinuar ndikimin politik si deputet i Kuvendit të Shqipërisë me pjesëmarrjen në tendera të kompanisë Usluga shpk, të cilën e ka kaluar në emër të familjarëve të tij. Me paratë që u ka marrë shqiptarëve, Sadri Abazi, përpos të tjerave, në vitin 2016 ka blerë edhe një makinë me vlerë 105 mijë euro. Pasuria e tij e përgjithshme e këtij deputeti është marramendëse në raport me nivelin e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Javët e fundit kompania e nipit të Sadri Abazit është kapur me dokumente të falsifikuar, me të cilat ka fituar tendera. Institucionet e shtetit shqiptar, në nivel lokal dhe qendror, janë vënë në garë se kush u jep më shumë tenderave njerëzve të afërt të Sadri Abazit. Kjo duket se është arsyeja se pse Sadri Abazit i duhet mandati i deputetit dhe shpërfytyrohet nëpër fushata zgjedhore. Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e fundit për të drejtat e njeriut në Shqipëri, përpos të tjerave konstatonte se “zyrtarët herë pas here përdorën burime shtetërore për përfitime personale”.
Në vitin 2016, Partia Demokratike tentoi të vinte në lëvizjen Gjykatën Kushtetuese, për t’i hequr mandatin Sadri Abazi, i cili përfitonte me anë të familjarëve të tij para publike, por çuditërisht PD u tërhoq, duke konfirmuar edhe një herë perceptimin e fortë, se këtë janë të gjithë bashkë, janë të lidhur me fije interesash, se mbrojnë njëri-tjetrin, përfitojnë sëbashku dhe se alternohen në pushtet, kundër interesit publik.