Ky plazh ndodhet shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë.
Mjedisi bregdetar masiv prej mijra kilometrash katrorë, shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës. Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar
Plazhi i Palasës është një nga mrekullitë natyrore më të spikatura në bregdetin e Jugut.
Ky plazh ndodhet shumë pranë deltës së lumit që mban emrin e fshatit, por që në pjesën më të madhe të vitit është krejt i thatë. Mjedisi bregdetar masiv prej mijra kilometrash katrorë, shtrihet në të dy krahët e deltës së derdhjes në det të lumit të Palasës, që zbret nga kreshtat e maleve, shumë pranë Çikës. Zhavorri i imët, bregu shkëmbor dhe i thyer, krijojnë një peizazh të rrallë, që pothuajse nuk e ndesh askund në të gjithë bregdetin shqiptar.
Uji i kthjellët i detit që të ngacmon shqisat, i bashkohet kësaj tabloje natyrore, ku gjithçka duket perfekte. Njeriu këtu ndihet ndryshe. Përjeton kthjelltësinë e qiellit, të detit, gjelbërimin e thellë. Një fjalë e urtë e banorëve të kësaj zone thotë se, nuk ke shijuar asgjë nga bregdeti i Himarës, nëse nuk përjeton qoftë edhe për pak çaste kënaqësinë që të sjell plazhi i Palasës, ose i Dhralesë, siç edhe emërtohet ndryshe në terminologjinë vendore. Shkëmbinjtë e prerë si me thikë që zbresin deri në ujë, alternohen me sipërfaqe pa fund të mbuluara nga zhavorri i imët. Plazhi, dikur i privuar edhe për banorët e këtyre anëve, tashmë është një realitet tjetër. Ai spikat qartësisht, qysh kur nis të zbresësh në kthesat e larta të Llogorasë. Shikimi prek një zonë të bardhë që vazhdon deri në brezin e ujit, ku nis e transformohet gradualisht në një ngjyrë të kaltër të thellë. Ky është ngacmimi i parë që merr kushdo që vjen këtu.
Për të shkuar në këtë plazh, duhet të kthesh rrugën djathtas, pa arritur në Urën e Palasës. Disa koshere bletësh, që prodhojnë një mjaltë si askund tjetër, të ftojnë të shijosh prodhimin e tyre përpara se të drejtohesh për në parajsën natyrore, që ndodhet disa qindra metra më poshtë. Duket se bletërritësit nuk e kanë zgjedhur rastësisht këtë vend për të tregtuar prodhimin e tyre. Janë të shumtë ata pushues, qytetarë nga gjithë vendi dhe turistë të huaj, që kanë nisur t’i bashkohen këtij peizazhi shumëngjyrësh në pjesën më të madhe të muajve të vitit, por, veçanërisht në verë. Veçantitë e natyrës ofrojnë këtu edhe një mundësi tjetër, vendosjen e çadrave. Numri i atyre që zgjedhin këtë mënyrë për të shijuar plazhin e Palasës, ka ardhur në rritje. Ata janë nga Vlora, Tirana, Fieri, Berati, Shkodra, madje edhe nga Kosova e Maqedonia. Është një mrekulli ky vend. Ke detin dhe përkundruall tij edhe malin, që duket sikur të qëndron mbi kokë. Në këtë vend shijon si askund tjetër edhe peshku, apo mishi i pjekur në zgarë, të shoqëruara me pak verë, apo birrë të ftohtë. Janë dhjetra pushues që këtu përjetojnë veç të tjerash edhe dimensione të tjera njerëzore. Kalojnë ditë dhe netë të paharruara në shoqërinë e detit, ajrit të pastër, muzikës. Ata shtohen çdo javë, muaj e vit. Janë mijra metra katrorë bregdet, që nuk preken nga njeriu dhe që përbëjnë një potencial të jashtëzakonshëm turistik për zonën. Por, këtu shtohet edhe një resurs tjetër, historia e këtij vendi.
-Plazhi i Palasës, me një histori të pasur në funksion të turizmit-
Në veprën e vet “Lufta Civile”, Jul Çezari përshkon mes të tjerash zbarkimin e trupave të tij “ndanë brigjeve Palaeste” në ndjekje të rivalit të tij, Pompeut. Konflikti mes dy personazheve të njohura në historinë e Romës së lashtë, u zhvendos në brigjet shqiptare. Në vitin ’48 para erës së re, Çezari arriti të triumfonte ndaj Pompeut, duke marrë qytetin e Jerikos. Palaesta, sipas historianit vlonjat, prof.dr. Bardhosh Gaçe, vendi i zbarkimit të trupave të Qezarit, është bregu i Palasës së sotme, në afërsi të Dhërmiut, rreth 50 km larg qytetit të Vlorës, ndërkohë që, Jeriko, përkon me Orikumin.
Bregdeti i Palasës është përmendur shpesh nga të moshuarit e kësaj zone për historinë, që ka si kulm konfliktin mes Çezarit dhe Pompeut. Ky plazh është një nga surprizat e bregdetit të Himarës, ashtu siç është e tillë edhe historia e lashtë e tij. Çezarit në librin e tij përmend edhe fisin kaon ilir të germineve (Dhërmiut), që popullonte këtë bregdet, duke sjellë një dëshmi tjetër të rëndësishme të paraardhësve të popullsisë së kësaj zone. Por, pikërisht kjo histori e shkruar, e bën edhe më tërheqëse këtë pjesë të bregdetit shqiptar të Himarës.
Parashikohet që ky element i historisë së kësaj pjese të Rivierës, do të shfrytëzohet përmes një projekti që synon promovimin e vlerave historike në funksion të turizmit. “Është menduar të ndërtohet një memorial që evokon ngjarjen e zbarkimit të Çezarit, si një mënyrë për të zgjuar interesimin e turistëve të huaj”, thonë në Bashkinë e Himarës.
Nga ana tjetër, specialistët vlonjatë shprehen se toponimia historike shton mundësitë për zgjerimin e potencialeve turistike të zonës.
ATSH