Dy vite më parë ka lobuar fuqishëm që të miratohej ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri, ndërkohë që mësohet se kishte më shumë se katër muaj që nuk paguante punonjësit.
Pronari i kompanisë Everest që u përfshi nga flakët dhe u dogj sot në zonën e Kasharit, Vullnet Haka, është një emër mjaft i njohur për shqiptarët.
Ai është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve në Shqipëri, por ndërkohë që lobonte për importin e mbetjeve, nga ana tjetër fabrika e tij nuk respektonte kushtet e sigurisë.
Para një viti kompania e tij ‘Everest’ u përfshi nga flakët, ndërsa u gjobit për mos respektim të kushteve të sigurisë.
Edhe sot, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se nuk funksionoi sistemi i alarmit të zjarrit dhe se nuk u lajmëruan nga biznesi, por nga banorët për zjarrin.
Gjithashtu banorët e zonës në Kashar deklarojnë për “Report Tv” se janë ankuar disa herë për ndotjen që shkaktonin mbetjet në fabrikën e riciklimit, që u dogj sot.
Por, pavarësisht ankesave ata deklarojnë se nuk është marrë asnjë masë.