Loading...

Ishulli i Sazanit, nje pike e rendsishme turistike !

“Ishulli i Sazanit është një mundësi e madhe për turizmin e natyrës. Ruajtja e trashëgimisë dhe elementeve historikë në ishull një atraksion i madh për vizitorët”, shprehet Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Bregdtetit, Auron Tare.
Ishulli i Sazanit
Po si ka rrjedhur emri “Sazan” dhe historia enigmatike dhe misterioze e ishullit të vetëm të mirëfillt Shqiptarë. Një bukuri e pa shoqe e natyrës sonë ujore, përsëri mbetet në kuadrin e enigmës.
Historia ka folur për Sazanin si një nga fortesat më të përshtatshme për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe brigjet për rreth.

Sot kjo histori ka përfunduar sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe Sazani mund të kthehet në një nga perlat turistike më interesante të Mesdheut.
Emri i Ishullit të Sazanit përmendet që në kohërat antike, duke filluar nga shekulli i VI p.e.s. me emrin SASON. Gjatë mesjetës, ishulli kaloi në zotërimin Venecian ndërsa gjatë Luftërave Ballkanike, Greqia e pushtoi ishullin.

Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende nën sundim Sazanin, deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë.
Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në Luftën e Dytë Botërore në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura.
Një pjesë relikesh nënujore si amfora e objekte të tjera janë rikuperuar nga arkeologët shqiptarë dhe janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar dhe atë arkeologjik në Durrës.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull.

Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Shqiptare. Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.
Sipërfaqja e ishullit është 5.7 kilometër katror dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër.

Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti detaro-ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut.
Pikërisht këtu gjendet edhe Plazhi zallor i Admiralit. Ishulli përbëhet nga dy kodra shkëmbore monolite me lartësi maksimale 342 metra. Ngritja e këtij relievi në mënyrë të menjëhershme nga deti, të krijon përshtypjen e një lartësie shumë të madhe. Lartësitë e ishullit ulen nga skajet në drejtim të qendrës. Dy luginat e tij, ajo e Përroit të Xhehenemit dhe Përroi i Shënkollit, që nisen nga Qafa e Vidheve, e ndajnë ishullin në dy pjesë, në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra.

Duke qënë një zonë e mbrojtur ushtarake, flora dhe fauna e ishullit kanë ngelur të pa prekura. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera.

Periferia e ishullit ka shumë plazhe të bukura e të pa shfrytëzuara
Gjatë një vizite të bërë në shkurt të këtij viti, Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, u shpreh se “ky është një ishull që ka pasur një tjetër përdorim dikur, kryesisht për arsye ushtarake.

Ajo epokë ka mbaruar. Është shumë e bukur që diçka e betonizuar për arsye ushtarake, të kthehet në një vend të mirë, të bukur, të dashur, të pastër për turizmin dhe turistët. Shqipëria ka burime për ta bërë tërheqëse vendin për investitorë të huaj apo vendas”.

Dhe vërtet, po t’i hedhësh një sy brigjeve të këtij ishulli, mrekullohesh nga bukuria e plazheve, shpellave, guvave dhe historisë së tij.
Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.
Ishulli i Sazanit, sot vizitohet nga eksplorator amator të nënujit, spelolog, admirues të natyrës por së shpejti ai do jetë një objeksion për turizmin e lirë. Sazani mbetet një mundësi e vonuar për turizmin shqiptar.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com