Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e kabinetit qeveritar me drejtuesit qendrorë e vendorë për punësimin, shërbimet, reformën e tokës:
Mirëmëngjes të gjithëve!
Është një takim që ne e zhvillojmë gjithnjë në këto aktivitete jashtë Tiranës të kabinetit qeveritar me drejtuesit vendorë dhe me drejtuesit e agjencive dhe zyrave qendrore në qark, për të nënvizuar problematikat dhe objektivat tona.
Unë dua ta nis me objektivin për të çuar shërbimet në një nivel krejt tjetër dhe me një sërë vështirësish që ne hasim në këtë aspekt, pasi ende në zyrat e shërbimeve administrative ka parazitë dhe grabitqarë që janë mësuar të shfrytëzojnë detyrën dhe mundësinë që u jep detyra, për të përfituar në dëm të interesit dhe të të drejtave të qytetarëve.
Një nga pikat strategjikisht të rëndësishme është nxitja e vazhdueshme e njerëzve për të bashkëvepruar me qeverinë përmes platformës së bashkëqeverisjes www.shqipiëriaqëduam.al.
Historia e derisotme e platformës na tregon qartësisht se në shumë raste “jo”-ja, apo “ta shikojmë”, që përdoren si çelësa komunikimi me qytetarët për t’iu dhënë të drejtat e tyre, janë tërësisht abuzive.
Përpara disa ditësh, ministrja e Drejtësisë ka informuar publikun lidhur me ecurinë e procesit të bashkëqeverisjes përmes platformës, në raport me dhënien e të drejtave nga hipoteka, ALUIZNI, si dy pika kryesore referimi për qytetarët në këtë fazë të historisë tonë, ku nevoja për titujt e pronësisë dhe nevoja për titujt e legalizimit është ende shumë-shumë e madhe.
Fatkeqësisht, platforma dhe ndërveprimi me qytetarët ka nxjerrë në pah sesa shumë iu bihet në qafë njerëzve padrejtësisht lidhur me, në radhë të parë, kërkesën për të marrë dokumentin e pronësisë në hipotekë. Por, nga ana tjetër, në këtë proces është shprehur edhe vullneti ynë, që për çdo rast, kur një qytetar ka të drejtë dhe kur atë që nuk e ka marrë për vite të tëra e merr brenda 10 ditësh, që do të thotë se është penguar padrejtësisht, ne nuk ndalojmë me kaq, por i shkojmë pas rastit dhe evidentojmë shkaktarët e pasojës së rëndë mbi qytetarët, duke i larguar nga puna dhe pastaj duke i çuar edhe në ndjekje penale.
Janë sot mbi 80 raste largimesh nga puna në hipoteka pikërisht për këtë shkak dhe pikërisht si rrjedhojë e ndërveprimit të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe një numër tjetër i konsiderueshëm masash paralajmëruese për punonjësit e hipotekave.
E them këtë për të nënvizuar dy gjëra;
Drejtuesit e hipotekave do ta kenë shumë-shumë të qartë, që ajo që kanë përsipër është një detyrë me një rëndësi shumë të madhe në jetën e qytetarëve sot. Vonesat, zvarritjet, mosdhënia e shërbimit në kohë janë në radhë të parë përgjegjësi e tyre dhe nuk mund dot të fshihen pas një punonjësi, apo një punonjësi tjetër që është shkaktar i drejtpërdrejtë i shkeljes së të drejtës për të marrë shërbimit.
Të gjithë qytetarët duhet ta marrin qartësisht mesazhin, se nuk është e nevojshme të humbasin kohë për t’i gjetur anën zgjidhjes së problemit të tyre në forma të ndryshme, por mjafton që të drejtohen në platformën e bashkëqeverisjes, të shpenzojnë maksimumi 3 minuta për të bërë me dije problemin e tyre dhe brenda 10 ditësh marrin përgjigje, duke realizuar qëllimin e tyre për të marrë atë që iu takon dhe duke ndihmuar që pas dhënies së të drejtës për ta, të zbulohen shkaktarët e vonesës në marrjen e asaj të drejte.
Ne kemi hyrë në një fazë tëre të dhënies së shërbimeve. Sot kemi një numër të konsiderueshëm shërbimesh që jepen drejtpërdrejtë nga platforma e-Albania përmes internetit. Janë mbi 400 shërbime të drejtpërdrejta. Por është e domosdoshme që të gjithë zyrat, të gjithë drejtuesit vendorë dhe drejtuesit e zyrave qendrore në territor të ndihmojë që sa më shumë njerëz të vetëdijesohen për ekzistencën e këtyre shërbimeve dhe sa më shumë njerëz t’i përdorin këto shërbime, që janë të shpejta, efikase dhe larg çdo lloj hapësire ku abuzohet, apo ku bëhet korrupsion.
Duke qenë se jemi këtu në Qarkun e Fierit, dua të flas specifikisht duke filluar nga çështja e vjetër dhe e pazgjidhur e titujve të pronësisë në tokën bujqësore, ku ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me bashkitë dhe specifikisht me Bashkinë e Fierit. Shpresojmë se rruga e ndjekur nga bashkia, për t’i dhënë një zgjidhje kësaj problematike, që është jashtëzakonisht e ndërlikuar për shkak të të gjithë atyre historive të zhvilluara në vite, do të na hapë rrugën, jo vetëm për ta shtrirë metodologjinë e përdorur, në rastin e fshatit që u përmend, në të gjithë fshatrat e zonës, por edhe përtej Bashkisë së Fierit. Për ne është prioritet që ta mbyllim çështjen e titujve të pronësisë mbi tokën në fshat.
Ndërmarrja e Ujësjellësit të Fierit ka bërë një progres të rëndësishëm me reformën e ujit dhe sot kemi shifra kuptimplota që flasin për këtë progres, edhe pse ka ende shumë për të bërë në këtë aspekt.
Për ne, reforma e ujit është prioritare. Përmirësimi i aksesit në shërbimin e marrjes së ujit të pijshëm dhe përfshirja në listën e kontributorëve, domethënë, pagesa e ujit sipas konsumit, janë dy objektiva që shkojnë bashkë në këtë proces shumë të rëndësishëm dhe transformues për ekonominë vendore dhe për ekonominë kombëtare.
Po ashtu është e domosdoshme për të çuar në një shkallë tjetër cilësinë e marrëdhënies mes inspektorëve tatimorë në territor dhe biznesit. Është domosdoshmëri që të gjithë të vetëdijesohen dhe të gjithë të veprojnë bazuar mbi parimin e bashkëpunimit me biznesin dhe jo mbi parimin e ndëshkimit të biznesit.
Është bërë një punë e jashtëzakonshme për të informuar biznesin e vogël lidhur me ndryshimin e fundit. Faktikisht, nga 9 mijë e disa qindra biznese që preken nga ky ndryshim, deri javën e shkuar, tatimet kanë arritur të takojnë dhe të komunikojnë drejtpërdrejtë me afro 6 mijë prej tyre në territor. Objektivi është që të takohen të gjithë, t’iu shpjegohet të gjithëve se për çfarë bëhet fjalë, por përtej këtij momenti delikat është e domosdoshme që marrëdhënia mes tatimeve dhe biznesit të jetë një marrëdhënie që qëndron mbi parimin e bashkëpunimit, jo mbi parimin e ndëshkimit. Këtu kemi shumë për të bërë, për të trajnuar dhe edukuar ashtu siç duhet të gjithë ata që kontribuojnë në trupën e inspektorëve dhe të agjentëve qeveritarë të këtij institucioni dhe të të gjitha institucioneve që janë të lidhura drejtpërdrejtë me qytetarin.
Ne do të përfshihemi shumë shpejt në një fushatë kombëtare të llogaridhënies publike të të gjithë kabinetit qeveritar, sipas ministrive dhe të të gjitha agjencive dhe zyrave qendrore që operojnë në territoret e vendit, për të garantuar transparencë dhe për të garantuar nxjerrjen në pah të të gjitha dobësive aktuale dhe marrjen e përgjegjësive nga gjithsekush që është përgjegjës për mos çuarjen më shpejt përpara të projektit të modernizimit, të transparencës dhe eficencës së shërbimeve.