Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar pas katër orë debatesh draft-statutin, që do t’i përcillet Kuvendit Kombëtar të PD-së, i cili do të mbahet në 29 prill. Vendimmarrja, që kaloi jo pa debate, mes të cilëve që në nisje ishte ai me tone të forta mes Imamit dhe Bashës.
Anëtari i Kryesisë, Arben Imami, që në nisje të mbledhjes kërkoi nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që të përfshijë në rendin e ditës edhe dokumentin e analizës së humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Kërkesa u rrëzua me shumicë dërrmuese votash nga anëtarët e Këshillit.
DEBATI
Arben Imami: Në rendin e ditës të futet edhe analiza e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017. Statuti i partisë, ai që kemi në fuqi, kërkon që analiza e zgjedhjeve të bëhet nga të gjitha organet e forcës politike. Për këtë arsye, unë kërkoj që Kryesia të nxjerrë raportin përpara nesh dhe Këshilli Kombëtar të marrë vendimin. Fatmirësisht, sot pas katër vitesh, është mbledhur Këshilli Kombëtar dhe pjesë e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje duhet të jetë edhe diskutimi për analizën e zgjedhjeve të vitit 2017. Gjithashtu, dua të shtoj se nuk kam parë të reflektuar në draft-statutin që na është paraqitur, kufizimin e mandatit të kryetarit që humb një palë zgjedhje, dy palë zgjedhje, dhjetë palë zgjedhje. Nuk ka kuptim kjo punë.
Lulzim Basha: Unë besoj se kemi qenë shumë të qartë për rendin e ditës së kësaj mbledhjeje. Grupi politik i punës ka punuar për një draft-statut voluminoz, i cili është diskutuar edhe në mbledhjen e Kryesisë, për mbi 5 orë gjithashtu. Unë mendoj se për çështje të tjera që janë në interesin e anëtarëve të Këshillit, mund të mblidhemi sërish. Megjithatë, unë mendoj që propozimin tuaj ta hedhim në votim dhe të vendosim nëse do ta shtojmë edhe këtë pikë të rendit të ditës apo jo.
Hidhet në votim, rrëzohet
Arben Imami: Menduam se ishte e vlefshme që organet autonome, siç mund të ishte Bordi i Kandidaturave, të kishin mundësi zgjedhjeje jashtë diktatit të personit të zgjedhur. Por me sa shoh, partia vijon të mbetet monokratike dhe propozimet jo vetëm nuk merren parasysh. Ndaj, edhe propozoj që partia edhe emrin të mos e ketë më Partia Demokratike, por Partia Monokratike.
Lulzim Basha: Meqenëse është edhe në vullnetin e Këshillit, të diskutojmë vetëm për atë që jemi mbledhur, atëherë ta kalojmë nen për nen draft-statutin e grupit të punës. /PANORAMA