Ndodhet pranë Tiranës, me një rrugë automobilistike që ke dëshirë të udhëtosh, me një peizazh natyror rreth saj që të befason me gjelbërimin dhe bukuritë natyrore dhe kur kalon Cërrikun, fillon vërtet ajo që ju kërkoni. Përballë të shfaqet diga e madhe e hidrocentralit të Banjës me liqenin madhështor me ujërat e pastër mes dy faqeve malore. Nga Diga deri në qytetin e Gramshit, ka mjaftë pika çlodhjeje mes një natyre të veçantë.
Ka lokale, kampingje të ngritur nga turistë endacakë që preferojnë ta kalojnë natën në natyrë, por mbi të gjitha ndesh dhe me derdhje lumenjsh që zbresin nga mallet lindore të liqenit dhe derdhen në të.
Midis tyre është dhe lumi Holta, një nga perlat e bukurisë natyrore të vendit tonë me kanionet e tij të mrekullueshëm, që e nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan deri në fshatin Kobash me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lartë deri në i 100 – 150 m. dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m.
Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive.
Kjo rrjedhë lumore gjendet në zonën e Gramshit dhe mungesa e zhvillimit të infrastrukturës rrugore drejt kanioneve e mbanë të izoluar këtë atraksion turistik tepër interesant në qendrën gjeografike shqiptare.
Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh. Këto pyje janë dhe habitati i ariut të murrmë, një specie gati në zhdukje prej gjuetisë së paligjshme që ushtrohet akoma.
Një investim në fushën e turizmit në infrastrukturën dhe rrjetin rrugorë të kësaj zone, veç të tjerash do të sillte dhe një zhvillim të përhershëm ekonomik, jo vetëm nga turizmi por edhe atë bujqësor e blegtoral.
Holta është një zonë turistike e pazbuluar akoma.
Në zonën e Gramshit ka shumë monumente të natyrës apo dhe të historisë,të antikitetit, burime natyrore si Ujëvara e Sotirës, që mbeten të pavizitueshme për shkak të infrastrukturës rrugore.
Pushteti vendor, Ministria e Turizmit dhe shoqëritë turistike duhet ta shohin me përparësi këtë zonë premtuese për turizëm dhe të nisin investimet në hoteleri, kampingje, bujtina dhe ta reklamojnë në rrjetet sociale dhe ato mediatike. Kanionet e lumit të Holtës, vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë e vështirë për makinat me një gjatësi rreth 18 km.
Kjo zonë dhe kjo rrjedhë lumore është një atraksion turistik për pasionantët e natyrës, të aventurës dhe historisë që mund të shfrytëzohet në çdo stinë.