Ndryshimet në statut parashikojnë që thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH.
Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit.
Ato mund të bëhen publike. Sipas ndryshimeve, në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje.
Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit dhe Zbatimit të Statutit brenda 5 ditëve nga marrja e ankimit. Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e rretheve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera. Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm./Shqiptarja.com