Bajrami 7 vjeç dhe Erjola 8, janë dy fëmijë mjaft të zgjuar, që jetojnë në kushte të tejskajshme të mjerimit. “Jetoj me babin, me vëllain, dhe me nusen e xhaxhait të babit, mami jeton në Kosovë, na ka lënë” thotë Erjola për emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24. Pjesa më e bukur e ditës së saj është shkolla dhe detyrat që bën pas mësimit. Kur e pyet se çfarë bën babai i saj për të, ajo nuk i përmban lotët. “Na blen gjëra babi,” thotë e përlotur.
I ati, Agimi është pika e dobët e Erjolës. “Babi na ka rritur, na ka ushqyer”. Agimi nuk ka mundësi t‘ua plotësojë kushtet dy fëmijëve të tij të mitur, as bukën e përditshme. “Kam pasur probleme me nusen, ajo mi mori fëmijët u largua. Pas dy muajsh arrita t’i marr fëmijët e mi. IshA në një gjendje depresioni. Kam rreth 2 vjet që i mbaj unë fëmijët, vetëm i ushqej se mundësi tjetër nuk kam. Nuk kam mundësi të tjera, të kemi drita, të kënë rroba. Kërkojnë rroba dhe lodra se shikojnë të tjerët, unë nuk e përballoj dot,” thotë Agimi.
Më tej shton se nuk ka pasur mundësi t’u blejë fëmijëve librat e shkollës. “Fëmijët më kërkonin librat, lekët i gjeta diku. Librat i bleva pas 4 ditësh, fëmijët u trembën se gjithë nxënësit i kishin librat, vetëm fëmijët e mi shkonin në shkollë pa libra” shprehet i dëshpëruar Agimi. “Blej ushqime me listë, i shlyej në fund të muajit”
Edhe pse fare të vegjël ato nuk i kërkojnë asnjeherë babait me tepër se çmund të përballoji ai. “Janë të zgjuar vetë fëmijët nuk kërkojnë gjëra tepër që janë jashtë mundësive” thotë Agimi. “Çokollatat nuk i hamë shumë ngaqë na dhemb barku, vetëm në ditëlindje na ka thënë babi më kërkoni, edhe unë atëhërë i kërkoj babit që të na i festojë”.
Erjola ka edhe probleme me shëndetin. “Ka probleme në bark, nuk kam pasur mundësi ta operoj,” thotë i ati. Në këtë panoramë mjerimi, iu është gjendur Hajrija,nusja e xhajes së Agimit, edhe pse 60 vjeçe ajo përpiqet çdo ditë t’ua lehtësojë sadopak vuajtjet dhe mundimet.
“Kam rrit 7 jetimë për vete. Ushqimi është gjithmonë i pakët, në darkë fëmijët kërkojnë të ëmën e tyre. Rri hallë këtu të strukemi tek gjiri yt më thonë.
Unë qaj, më keq është se na mungon edhe buka e gojës, kur të kërkon fëmija bukë çfarë ti japësh?” thotë gruaja që është bërë si nënë e dytë për Erjolën dhe Bajramin e vogël.