Thërrime, Rroshnica apo Dromka. Pavarësisht emrit që ndryshon sipas krahinave të ndryshme, shija e kësaj recete tradicionale shqiptare është e papërshkrueshme.
Supa e pulës me dromka është përgatitur jetë e mot nga gratë e nënat shqiptare duke trashëguar këtë traditë brez pas brezi.
Kjo supë fantastike, krahas shijes fantastike është ideale për t’u konsumuar në çdo stinë të vitit.
Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me bukë të thekur, sallata të ndryshme, të freskëta të stinës, ullinj, salcë kosi apo edhe turshi.
Më poshtë keni përgatitjen e supës së pulës me dromka, një mënyrë fantastike për të kënaqur nepsin dhe oreksin e familjes dhe më të dashurve.
Si Të Përgatisim Supën me Dromka
Një pulë ose zog fshati 1 kg
Katër lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper
3-4 thelpinj hudhra të shtypura
Një lugë gjelle gjalpë të freskët
Lëngu i kokërr limoni
Për Dromkat
Në një tas hidhni gjashtë lugë miell dhe pak kripë.
Rrihni dy të verdha vezësh dhe shtojini tek mielli.
Përzjeini miellin me vezët me duar duke e shkoqur me dy pëllëmbët e duarve.
Bëjeni këtë proces derisa i gjithë mielli të shndërrohen në kokërriza të vogla.
Më pas, vendosini dromkat në një tavë që të pushojnë për 20 minuta.
Përgatitja e Supës
Pastroni pulën ose zogun e fshatit dhe ndajeni në copa.
Në një tenxhere, shtoni vajin e ullirit dhe copat e pulës për t’i skuqur për pak minuta nga të dyja anët.
Hidhni pak kripë dhe ujë derisa të mbulohen mirë të gjitha pjesët e pulës duke e lënë që të zjejë derisa mishi të zbutet.
Ndërkohë, në një tigan hidhni një lugë gjalpë dhe skuqni dromkat derisa të zverdhen.
Më pas,duhet t’i shtoni në tenxheren ku keni pulën dhe lëngun e saj dhe vendosni sërish në zjarr për të zjerë bashkë derisa supa të mpikset.
Sapo lëngu të jetë mpiksur dhe trashur pak shtoni hudhrat, lëngun e limonit dhe piperin e zi dhe hiqeni nga zjarri.