Pak minuta më parë “BalkanWeb” zbuloi se bashkë me policin e komisariatit numër. 2 në Tiranë që dyshohet si i përfshirë në trafik droge, pasi në makinë iu gjetën gjysmë ton drogë, ishte edhe një person tjetër. Po ashtu është siguruar edhe foto e mikut të tij, i arrestuar sot nga policia në Fushë-Frujë gjatë operacionit.
Ai është shtetasi Benard Hamzai, nga Mashkullora e Gjirokastrës.
Burime të “BalkanWeb” konfirmojnë se shumicën e kohës ai jeton në Turqi, ndërsa më herët ka punuar si doganier pranë pikës kufitare të Kakavijës.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Seksioni për narkotikët
Më datë 20.04.2018 u arrestua në flagrancë shtetasi B.H. 40 vjeç, banues në Gjirokastër.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit me iniciale S.O. banues në Tiranë, punonjës policie, pasi më datë 19.04.2018, në fshatin Thumanë, nga kontrolli i ushtruar në dy automjete u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 421 kg e 450 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marijuanë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi S.O. është i përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Nga ana jonë është njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra dhe nisjen e ecurisë disiplinore për shkelje të rëndë.
Po punohet për gjetjen e tij dhe vënien në dispozicion në kryerje të hetimeve.