Krimet njerëzore, ekonomike dhe kombëtare që do të fundosin familjen Berisha
21 Janari
21 Janari është ngjarja më e rëndë dhe njolla më e zezë pas Gërdecit. Më 21 Janar qeveria Berisha vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe plagosi me dhjetëra të tjerë. Në fillim Berisha tha se protestuesit kishin vrarë njeri-tjetrin, më pas pranoi vrasjet, por tha se Garda kishte zbatuar ligjin, pasi demonstruesit ishin vrarë brenda rrethimit. Kur u vërtetua se protestuesit ishin vrarë jashtë rrethimit, Berisha sajoi puçin e shtetit dhe ngriti një komision hetimor.
Po ashtu, Berisha nuk lejoi as zbatimin e urdhrit të Prokurorisë për arrestimin e komandës së Gardës. Refuzimi i Berishës për të dorëzuar komandantët, shokoi ndërkombëtarët. Zhdukja e pamjeve filmike u vërtetua edhe nga FBI. Më pas Berisha hodhi në koshin e plehrave ekspertizën e FBI për vrasjet. Sot nuk ka asnjë të dënuar për këtë çështje.
Gërdeci
Gërdeci është krijimi më i madh njerëzor dhe ekonomik i familjes Berisha. Tragjedia e Gërdecit është orkestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga familja Berisha. Një biznes fitimprurës për kompaninë Albademil dhe SAC, por që nga shpërthimi i Gërdecit, humbën jetën 26 persona (mes tyre dhe baxhanaku i kryeministrit), u plagosën mbi 300 vetë dhe u dëmtuan mbi 4000 prona.
Tre ditë më vonë jep dorëheqjen Ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, ndërkohë që prangoset Ylli Pinari, drejtor i MEICO, Mihal Delijorgji pronar i Albademil dhe Dritan Minxolli drejtor i fabrikës. Hetimet një vjeçare vunë nën akuzë 29 persona dhe çështja shqyrtohet në gjykatën e Lartë. Korrupsioni i Gërdecit, dhe dosja hetimore nxorën në pah shumë elementë. Një ndër njerëzit që kishte influencuar në bërjen e akteve nënligjore dhe ligjore që çuan në tragjedi ishte djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
Shitja e detit Greqisë
Mbetet historia më e zezë e qeverisë së Sali Berishës. Është konsideruar tradhtia më e madhe kombëtare pas shitjes së Shën Naumit nga Ahmet Zogu dhe shitjes së Shkodrës nga Esat Pashë Toptani. Ky skandal identifikohet me emrin e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Ky i fundit asokohe mbante postin e Ministrit të Jashtëm dhe ka negociuar në fshehtësi marrëveshjen për shitjen e detit. Në takimin midis Dora Bakojanis dhe Lulzim Bashës më 20 mars 2008 një nga temat kryesore të bisedimeve ka qenë pikërisht marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar.
Skandali me rrugën Durrës-Kukës
9 Tetor 2007: Durrës-Kukës, plas skandali më i madh financiar i kësaj qeverie. Protagonist është sërish Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Prokuroria filloi hetimet. Dikasteri i Transporteve u vu akuzë. Procedurat për tenderin në Shqipëri, bazoheshin mbi ligjin anglez. Hetimet e prokurorisë çuan deri në heqjen e imunitetit të Lulzim Bashës. Sipas KLSH, në raportin e janarit 2008, abuzimi shkon deri në 232 milionë euro.
52 hidrocentrale në duart e klanit familjes
Gjatë tetë viteve në pushtet, mazhoranca e djathtë, ka dhënë 100 leje për ndërtimin e rreth 400 hidrocentraleve të përmasave të ndryshe. Licencat për ndërtimin e hidrocentraleve i kanë marrë kryesisht kunetërit e ministrave, burrat e deputetëve, njerëz pranë familjes kryeministrore dhe sekserë anonimë. Njerëzit e pushtetit kanë marrë 52 hidrocentrale.
Trafiku i armëve
18 Korrik 2007: Bllokohen nga Turqia 60 kontenierë me armë të nisura nga Shqipëria në drejtim të Armenisë. Tregtia e armëve shkaktoi një superskandal diplomatik kur Azerbajxhani menjëherë i dërgoi letër konferencës islamike për penalizmin e Tiranës zyrtare. Armenia në këtë kohë ishte në konflikt të hapur me Azerbajxhanin. Baku e konsideroi aktin e Shqipërisë si një akt kundër Azerbajxhanit. Tregtia u krye nga ndërmarrja Meico.
Lejimi i Lazaratit
Sali Berisha ka pranuar se vendimi për të lejuar kultivimin e drogës në Lazarat ka qenë politik. Në këtë akt kriminal Sali Berisha ka përfshirë edhe të gjithë ish-ministrat e Brendshëm që nga Lulzim Basha, Bujar Nishani dhe Flamur Noka.
9 vendime për Samir Manen
Qeveria e Sali Berishës mund të konsiderohet si një satelit i biznesmenit të njohur Samir Mane. Kjo qeveria ka marrë të paktën 9 vendime për interesa të Samir Manes. Ky njeri shfaqet ku do; tek minierat, plazhet, borxhet, elktroshtëpiaket, supermaketet, qendrat tregtare, ndërtimi i pallateve, tenderat e autobusëve, ngjyrosja e naftës, pullat fiskale etj., thua se nuk ka mbetur tjetër për t’i ofruar shërbime shtetit shqiptar.
20 ligje klienteliste
Kuvendi i Shqipërisë, gjatë tetë viteve të fundit, përpos shkeljes në mënyrë sistematike të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, është kthyer në një zyrë noteria e qeverisë, ku noterizon dhe vulos dhunën e kartonëve ligjet klienteliste. Qeveria dhe Kuvendi kanë miratuar plot 20 ligje klienteliste.
Skandali me ngjyrosjen e karburanteve
Kompania koncesionare e Samir Manes”Global Fluids” fitoi monopolin e ngjyrosjes së karburanteve, me një investim total vetëm 4 milionë euro. Nga ky koncesion, kjo kompani do të përfitojë 200 milionë euro për një periudhë 10-vjeçare.
Shitja e Albtelekomit
Shtator 2005: Menjëherë pas krijimit të kabinetit qeveritar, Berisha anulon shitjen e Albtelekomit. “Nuk mund të lejojmë privatizimin e Albtelekom më shifra tepër të ulëta”, tha ai për Calik. Por vetëm pak muaj më vonë, kreu i qeverisë sërish ua dha Albtelekomin turqve.
Shpërblimi i Jean Paul Carteron
Nëntor 2006. Berisha shpërblen 250 mijë euro Jean Paul Carteron. Qeveria shqiptare nënshkroi një marrëveshje të fshehtë me forumin e Crans Montanës dhe në marrëveshje specifikohej organizimi i dy seminareve. Carteron, është miku personal i kryeministrit Sali Berisha. Qeveria shqiptare kërkoi që termat e kontratës të mos publikohen.
Fahri Balliu
15 Shkurt 2007. Skandali, rruga Levan-Vlorë i jepet firmës “Alpine”. Firma menaxhohet nga kunata e Fahri Balliut, anëtarit të këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe botues i gazetës “55”. Ndërkohë që menaxherja e “Alpine” ishte njëkohësisht sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Kulturës. Ndërkohë që austriakët e Alpine ishin të implikuar në një proces korrupsioni në Gjermani.
Ligji i gjobave
Maj 2007: Qeveria ndërmerr nismën për miratimin e ligjit “për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” ose atë që u konsiderua si “Ligji i gjobave”. Sipas projektit, parashikohej vënia e gjobave nga tatimet në masën 15% edhe pse nuk kishte për këtë një vendim gjykate. Ligjin e kundërshtoi biznesi dhe opozita dhe përfundoi në gjykatë kushtetuese.
Skandali me shkollën e Korçës
Qershor 2007: Del skandali i shkollës “Omiros” në Korçë. Ministria e Arsimit që miraton kurrikulat e shkollës miratoi edhe një tekst historie në këtë shkollë greke në Korçë, duke deformuar historinë e Shqipërisë. Çështja hapi debate të shumta në parlament, opozita kërkoi shkarkimin e ministrit Genc Pollo.
Dosja e “Argita Berishës”
Ka një dosje për Argita Bersihën. Studioja ligjore e saj është fshirë nga regjistri kombëtar pas dyshimeve për evazion fiskal. Vajza e Berishës nuk deklaroi llojin e aktivitetit të saj tregtar. Pas presionit të medias, Argita Berisha bëri ndryshimin e deklarimeve në Qendrën kombëtare të regjistrimit të Bizneseve: në datën 4 shkurt 2008 figuronte si “shërbim konsulence dhe avokatie”, ndërsa në 8 shkurt u shndërrua në aktivitet të përgjithshëm.
Skandali i MEICO-s
28 Mars 2008: Publikohet artikulli i New York Times, për armë të skaduara nga Shqipëria drejt Afganistanit. MEICO e përfshirë në trafik. Ylli Pinari, drejtor i MEICO kontaktoi me Efraim Diverolin, pronar i AEY i cili kishte fituar kontratë nga Pentagoni për të pajisur me armë ushtrinë afgane, nëpërmjet një prej njerëzve të listës së zezë së SHBA, Henry Tomei, nëpërmjet firmës Evdin.
Zhdukja e Kosta Trebickës
13 Shtator 2008: Humb jetën në rrethana misterioze aksidenti ish biznesmeni Kosta Trebicka, i pari biznesmen që denoncoi aferën korruptive të Gërdecit dhe trafikut të Armëve nga Shqipëria drejt Afganistanit. Hetimet e prokurorisë dhe konkluzionet e një eksperti amerikan nxorrën se vdekja e tij në një fshat të Korçës ishte aksidentale, edhe pse në opinion ky mendim nuk gjeti vend. Më pas emri i tij u përdor për luftë politike nga të dy palët.
Damir Fazlliç, skandali me pronat dhe Argita
5 Tetor 2008: Prangoset në Sarajevë Damir Fazlliç. Në Shqipëri kishte krijuar firmën SRF Developments, me administrator Erjon Isufin, kunatin e Lulzim Basha. Pas zgjedhjeve 2005, regjistroi në QKR tre firma. Ndërkohë që te Kompania Rompetrol kishte punësuar mbesën e Sali Berishës, shpresa Breçani. U verifikua blerja e tokave në Porto Romano, para se kryeministri Berisha ta deklaronte këtë si një park industrial. U akuzua edhe për ndërhyrje në blerjen e energjisë për llogari të Shqipërisë nga Rudnap. Ortakja e Argita Berishës, Flutura Kola i bleu Fazllicit një kompani në vlerën e 1.7 milionë eurove për firmën Croën Acquisitions.
Lidhjet me Fazlliç
12 Maj 2009. Vajza e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi, ka ndërhyrë në institucionet shtetërore për miratimin e lejes së ndërtimit të një parku energjetik në tokat që kishte blerë pak kohë më parë miku i familjes, Damir Fazlliç. Në e-mailet konfidenciale të Argita Malltezit dhe shtetasit arab Zafar Ansar për shitjen e tokave të Damir Fazlliç është diskutuar edhe ndërhyrja e saj në disa institucione. Madje ka qenë vetë vajza e kryeministrit ajo që ka premtuar të ndërhyjë në Koorporatën Energjetike Shqiptare për të marrë lejen prej saj.
Skandali me “Plazhin e Gjeneralëve”
29 Janar 2009: Skandali me pronat për herë të parë emri i kryetarit të grupit parlamentar të PD Astrit Patozi në skandalin e “Plazhit të Gjeneralëve”. Arrestohet Fatos Gjuzi, i cili ishte edhe kryeregjistruesi i Kavajës, njëkohësisht kushëri me kryetarin e grupit parlamentar të PD.
Vjedhja e pronave
Shkurt 2009: Shpërthen skandali i “Jalës”, i implikuar dhëndëri i kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Bëhet fjalë për prishjen e shtëpive të banorëve në Jalë nën argumentin se do të zbatohej një projekt i Bankës Botërore. Por BB sapo mori ankesat e banorëve nisi një panel inspektimi në terren për të parë të gjitha shkeljet, dhe nxori me përgjegjësi një pjesë të zyrtarëve të vet lokalë dhe po ashtu edhe drejtorin e projektit të menaxhimit të bregdetit të Jugut, dhëndrin e kryeministrit. Çështja hapi debate të forta në Parlament.
Përgjimet
Për 27 muaj me radhë, Sali Berisha urdhëroi përgjimin e ambasadorëve të huaj në Tiranë dhe të opozitës. Përgjimet u realizuan nga Shërimi Informativ i Ushtrisë. Kuvendi sabotoi çdo nismë të opozitës për kontrollin e SHIU.
Zonja 3 milionë euro
Vajza e Sali Berishës, Argita Berisha, i kërkoi biznesmenit pakistanez, Zafar Ansar 3 milionë euro ryshfet për një investim në Shqipëri prej 100 milionë eurosh. Skandali u denoncua nga vetë biznesmeni, por Berisha nuk dha asnjëherë përgjigje për këtë çështje.
Klubi Partizani
Dhëndri i kryeministrit, Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, përvetësoi ish-klubin Partizani, edhe pse gjyshi i tij e kishte shitur një herë pronën në kohën e pushtimit të Italisë. Në këtë skandal u përfshi edhe Arben Imami./Gjurma.info
Foto: Karikatura Isa