Qeveria ka rishpallur predispozitën për të dhënë konçesion edhe TEC-in e Vlorës, i mbetur në gjendje konservimi thuajse që prej ndërtimit të tij. Gjatë një raportimi në grupin parlamentar të punës 6-mujore të Ministrisë së Energjisë, Gjiknuri tha se TEC-i do funksionojë me gaz dhe do të furnizohet nga një tubacion që do të ndjekë trajektoren Fier-Vlorë.
“Jemi duke përfunduar edhe projektin teknik për gazsjellësin Fier –Vlorë, përfshirë edhe vënien në punë të termocentralit të Vlorës, të cilin shumë shpejt ne do ta nxjerrim në një garë me partneritet publik privat për të gjetur një partner privat sepse është e vetmja mënyrë që në mund të testojmë tregun për të kryer një transaksion të suksesshëm nëmënyrë që të kemi një kompani e cila mund ta vërë në përdorim këtë termocentral dhe nesër të operojë me gaz”-theksoi Gjiknuri.
Në fakt këtë plan të qeverisë Gjiknuri e ka bërë publik afro një vit më parë, i cili mesa duket mbetet ende në fuqi dhe prezantohet në shfaqjen e radhës.
Por janë disa pyetje që shtrohen nisur nga situata faktike dhe juridike e këtij investimi që përfundoi së ndërtuari në vitin 2011, me një investim prej 110 milionë eurosh dhe shumë pak kohë pas ndërtimit shfaqi një defekt në sistemin e ftohjes së tubacioneve.
Kjo bëri që çështja të shkojë në Gjykatë pasi nga Banka Intesa SanPaolo ishte lëshuar gjysma e garancisë në emër të kompanisë italiane Tecnimont, vlera tototale e së cilës ishte 9.6 milionë euro. Kjo menjehërë pasi KESH kishë lëshuar Çertifikata e Pranimit Operacional që vërteton përfundimin e veprës dhe dorëzimin e saj sipas kërkesave teknike, pra përmbushjen e detyrimeve kontraktuale.
Çështja përfundoi në favor të kompanisë italiane në dy shkallë të gjyqësorit dhe tani është në Gjykatën e Lartë. Nuk kuptohet si mund të jepet me konçesion një vepër energjetike për të cilën ka një proces gjyqësor për një stok jofunksional që shkon në 4 800 000 euro?
A do të tërhiqet KESH dhe qeveria nga padia dhe këtë shumë do ta paguajë operatori privat që do hyjë në garë? Ministri nuk dha më shumë detaje si do të realizohet konçesioni dhe nëse ka oferta konkrete për një investim që u ndërtua për të shtuar kapacitetet energjetike dhe ulur kostot e energjisë alternative./impakt