Loading...

Polifonia e Himarës dhe Neço Muka

Prof.dr. Bardhosh Gaçe

Pavarësisht produktit të madh muzikor, që është i njohur në Labëri, në Shqipërinë e Jugut dhe në mbarë vendin, të polifonisë labe dhe veçmas asaj të Himarës, studimet shkencore për të nuk kanë qenë të plota. Emra të njohur si Ramadan Sokolit, i cili ka trajtuar shumë çështje të strukturës së këngës së polifonisë labe, Hysen Filja dhe studiuesive të njohur Spiro Shetuni e Beniamin Kruta, qoftë dhe etnomuzikologëve të huaj gjermanë Doris dhe Erik Shtokman, polifonia labe, veçmas ajo e Himarës, kërkon akoma studime dhe interpretime shkencore në zhvillimet e reja bashkëkohore.

Janë të rëndësishme të studiohen dhe interpretohen tiparet përgjithësuese dhe dalluese të kulturës muzikore polifonike, veçoritë e melodikës, kontrapunkti, harmonia, stilet muzikore dhe shumë çështje të tjera të brendshme të saj. Polifonia labe është një zhvillim i hershëm, por nëpër vijimësitë historike ajo ka pasur zhvillimet e veta në zona dhe treva të ndryshme të Labërisë, kështu që ajo është e rëndësishme të përfshihet shkencërisht në studimet krahasuese me muzikën polifonike të popujve të tjerë etj.

Studimet shkencore dhe interpretuese mbi polifoninë labe kanë arsye të rëndësishme dhe për një shkak madhor, pasi ajo është përfolur tek-tuk, ndoshta edhe në mjedise shkencore si një dukuri ekzotike, që është larg nesh dhe kohës. Këtyre opinioneve u shtohen komente të tjera të natyrës se, ajo është recitative, ka strukturë të pazhvilluar, ka njëtrajtshmëri muzikore, nuk shkakton emocione të forta estetike dhe ndonjë koment tjetër. Në këto kushte, polifonia labe duhet njohur mirë dhe duhet interpretuar shkencërisht nga njerëz të fushës së kësaj përvoje dhe dijeje që e njohin mirë atë.

Nëse ajo ka një lloj karakteri të dukshëm recitativ, asaj nuk i ka munguar kurrë ana arioze, këndueshmëria e melodikës. Ndërsa mosnjohja e ndërtimit të saj të brendshëm pentatonik, nuk legjitimon komentet e natyrës se, ajo është një strukturë e pazhvillueshme. Polifonia labe duhet të interpretohet drejt dhe me kompetencë nga pikëpamja e strukturës modo-tonale. Polifonia, në përgjithësi realiteti objektiv, jepet përmes shumë linjave, në jo pak raste statike dhe pa intrumente muzikore, ndryshe dhe muzikës së Veriut, e cila ka një lloj dinamike të njohur.  Në fund të fundit, polifonia është kulturë muzikore e një krahine të madhe, kështu që nuk ka vend në asnjë mënyrë, krahasimi i polifonisë së Jugut me homofoninë e Veriut.

Polifonia ka një tregues interesant, që shpjegon natyrën e zhvillimit të saj, pasi studiuesit e polifonisë kanë evidentuar stile muzikore të dallueshme brenda saj, siç janë ai i Kurveleshit, Lopësit, Zagorisë, Gjirokastrës, Kurveleshit, Smokthinës, Himarës, Dukatit, Pilurit, Bënçës, Bratajt, Kaninës, Tërbaçit, pra të një pasurie të madhe intonative.

Një pasuri e madhe e polifonisë labe, e zhvilluar bashkë me të është polifonia dhe stili i veçantë, origjinal i Himarës. Polifonia e Himarës të shkakton emocione të forta dhe një ndjesi specifike estetike, jo vetëm për shkak të notave të dukshme lirike, por me meditimet për dashurinë, me notat e thella të dhimbjes, me një lloj epizmi depërtues, në të cilat pasqyrohen mrekullisht sakrifica, dashuria dhe dëshira njerëzore për jetën në kuptimin e plotë të fjalës. Këngët e njohura “Vajzë e valëve”,“Ç’erdhi prilli, ç’u shkri bora”,“Moj Kantina Nina Nina”,“Dallëndyshe e vogël-o” dhe këngë të tjera polifonike të Himarës kanë zënë vendin e artë në panteonin, jo vetëm të polifonisë, por të gjithë kulturës muzikore shqiptare.

Polifonia e Himarë, veçmas melodika, ka tipare specifike në funksionimin e saj, pasi ajo shquhet nga një shtrirje modale, ku hapësira mes notave të skajshme të saj shkon prej oktavës deri në tercë mbi oktavë dhe ajo ndërtohet në modë shtatëtingëllore. Melodika himariote është e formuar nga distanca të vogla, por ajo nuk përjashton, përkundrazi, njeh edhe distancat e mëdha. Ajo ka intonacionet e individualizuara të evidentuara. Kënga polifonike e Himarës është këngë katërzërëshe, ku tre solistët dhe kori luajnë role e funksione të caktuara.

Një specifikë të veçantë në polifoninë e Himarës është hedhësi, i cili shfaqet i veçantë dhe që e kushtëzon origjinalitetin e saj. Hedhësi përbëhet nga një tingull i vetëm, është një lloj zë i dytë, që shfaqet i rrokëzuar. Hedhësi ka disa funksione në këngën polifonike labe, pasi ai zgjeron mundësitë shprehëse dhe rrit bukurinë e saj, i jep ngjyrë dhe kolor bashkëtingëllimeve harmonike dhe forcon unitetin mes linjave melodike. Kështu, duket thënë se polifonia e Himarës krijon një harmoni katërzërëshe, të cilën e sjell prania e hedhësit.
polifonisë himarjote, lidhja e dukshme me origjinën e saj ndihet në këngët e grave. Mjafton të dëgjosh me vëmendje këngë të tilla si:”U dogje, Vuno, u dogje”, “Ç’erdhi kështu këjo jetë”, “Bjer, o mjegullosh, pse s’bie”, në të cilat vërehet polifonia tradicionale himarjote, një përqasje me stilin e Kurveleshit, por mbi të cilat janë ngritur me dhjetëra e qindra këngë të tjera polifonike me një ritëm dhe pamje të re kohore dhe në elementë të tjerë më progresivë. Tradita e hershme është ngulitur thellë në këto këngë polifonike.

Natyrisht, si dy stile të dallueshme, ai i këngës polifonike të Himarës dhe ai i këngës polifonike të Kurveleshit, dallimi mes tyre më së shumti është ai që lidhet me një solist të tretë (hedhësit), sesa te melodika. Dhe sot, stili kurveleshas diferencon, pasi ai shpesh bën edhe pa hedhës. Më pas, siç vërejnë studiuesit e polifonisë shqiptare në përgjithësi, dhe ata labe e himajiote veçmas, konstatojnë se me kalimin e kohës, stili himarjot filloi të veçohet, apo të marrë ca karakteristika të veçanta dhe në melodikë, në stilin melodik. Pa dyshimin më të vogël, kjo veçanësi e stilit të këngës polifonike të Himarës, krahas pasurimit të polifonisë labe në përgjithësi, shton edhe mundësi për studiuesit për të bërë studime korrekte dhe të thella, jo vetëm mbi polifoninë himarjote, por për stilet më të njohura dhe më përfaqësuese të kësaj pasurie të madhe të saj.

Që herët, në këto studime, të cilat nuk kanë munguar, është konstatuar se, pavarësisht veçorive, progresit, elementëve të rinj dhe harmonikë të polifonisë së Himarës, ajo nuk mund t’i shmanget origjinës së vet, bazamentit mbi të cilin është ngritur, ka qëndruar dhe është zhvilluar, siç është stili kurveleshas i të kënduarit. Mbi këtë taban, mbi këtë stil të njohur të polifonisë labe, i njohuri i polifonisë labe Neço Muka, u mbështet, ku rreth veprimtarisë së tij me këtë këngë, shënohet arritja më e madhe e evolucionit të këtij stili.

Studimi dhe interpretimi shkencor mbi polifoninë e Himarës lidhet me një çështje serioze, pasi janë vërejtur interpretime aspak korrekte lidhur me këtë polifoni. Ka një arsyetim të gabuar, dashakeqës, jo vetëm për ta konsideruar polifoninë e Himarës një fenomen jashtë domenit shqiptar, kryesisht domenit lab, por dhe për t’i hequr polifonisë labe një stil karakteristik dhe shumë të rëndësishëm, pasi është thënë se stili i polifonisë së Himarës nuk ka kurrfarë lidhje me polifoninë labe. Origjinalitetin e polifonisë himarjote, kryesisht atë të solistëve, timbret dhe karakteristikat e tjera, i konsiderojnë jo zhvillim të brendshëm të polifonisë së Himarës, por si një dukuri të veçuar dhe pa asnjë lidhje me atë labe. Të konstatosh veçoritë, kjo nuk të jep të drejtë të mohosh burimin, domenin, i cili është i njohur dhe jashtë tij nuk mund të ketë në histori asnjë lloj polifonie pavarësisht pranisë së stileve.

Stili i polifonisë himarjote është një degëzim i polifonisë labe, i cili ruan tiparet dhe ligjsoritë e përgjithshme të saj. I ngritur mbi tabanin e njohur dhe të vjetër të polifonisë labe, stili i Himarës, ka promovuar kohë pas kohe veçoritë e tij, të cilat e bëjnë atë më të dukshëm dhe më të larmishëm se të tjerët, por ligjësoritë e zhvillimit të këtij stili nuk mund t’i shkëputen dhe as nuk mund të bëjnë pa atë fondamentalin, polifoninë labe, e njohura historikisht si tabani më rezistent i kulturës së këngës në popullsinë labe.

Një lidhje të fortë të polifonisë labe, veçmas të asaj himarjote, jo vetëm me evidentimin e saj, por të ngritjes në nivelet artistike dhe të njohjes ndërkombëtare, ka pasur mjeshtëri i saj Neço Muka. I  njohur si një njohës dhe mjeshtër i këngës polifonike të Bregut të Detit, Neço Muka në asnjë rast nuk u shkëput nga kjo dashuri e papërfunduar e tij me këtë këngë. I prirë për të qenë evidentues i vlerave të mrekullueshme të shpirtit bregdetas, veçmas të këngës polifonike himarjote, ai që në vitin 1923 krijoi grupin dëfryes “Malet e Vetëtimës” me një grup shokësh, ku shfaqen vlera të rëndësishme të këngës, motiveve patriotike dhe atdhetare.

Në vitin 1924 Neço Muka shkon drejt Perëndimit, kryesisht në “Qytetin e Dritës” në Paris. I përballur me vështirësitë e shumta, siç ishte jeta në njërin nga vendet i cili shquhej për kulturën dhe letërsinë, shpirti i himarjotit Muka nuk reshti së kërkuari për të njohur kulturën e këtij vendi, e për këtë ai vazhdon të vizitojë vendet më të njohura të Francës, deri dhe qytetet e konservimit të kulturës botërore në këtë vend, por nuk i harron kurrë lidhjet e forta me vendin e tij. Ai i kishte ruajtur këto marrëdhënie dhe pse në moshë të njomë kishte shkuar të studionte dhe të punonte në Greqi apo gjetkë. Kështu, gjatë qëndrimit në Francë, Neço Muka shkruan poezi të ndjera, dedikuar shokëve dhe miqve të tij si J. Palit (“Inxhinieri”), Koço Qiricit (“Rrahje zemre”), N. Rondos (“Ky është Parisi”), A. Balës (“Rinia”) dhe krijime të tjera, në të cilat shpërfaqet shpirti krijues dhe i ndjeshëm i Neços.

Orvatet të zërë punë të ndryshme nëpër Francë, deri në Sent- Etien, por ishte e vështirë, kështu që vendos të kthehet në atdhe, duke mbetur i lidhur fort me “Qytetin e dritave”, Parisin, lidhje që shpjegohet fort në poezinë “O Paris i mallkuar”. Pasi kthehet në vendlindje, kërkon të vendoset në Sarandë, një qytet i vogël, por me lidhje me vendet e tjera për shkak të rrugëve tregtare dhe të detit. Atje organizon grupin koral “Miqtë e dëfrimit”, të prezantuar me emrin popullor “PIF- PAF”.

Organizimi i grupit koral u kthye në një mundësi për Neço Mukën, që ai të shkruante këngë, të kompozonte dhe të këndonte bashkë me grupin, me ç’rast dhe sot e kësaj dite kemi një pasuri të madhe të këtyre këngëve të mrekullueshme të polifonisë së Himarës. I rrëmbyer nga kënga dhe rryma e shoqërisë, Neço Muka i shkruan këngët e tij në gjuhën shqipe, duke u vënë atyre origjinalitetin e rëndësishëm të polifonisë labe dhe kulturës shqiptare në përgjithësi. Është pikërisht ky moment entuziazmi i Neços, të cilit i lind ideja madhore, që këto këngë t’i regjistrojë në disqe.

Pavarësisht mungesës së anës financiare, me mbështetjen e njerëzve me shpirt të madh kulturor dhe të këngës polifonike siç është bërë i njohur Koço Harito, në vitin 1929 Neço Muka dhe grupi i tij koral shkojnë në Francë, kryesisht në Paris për të regjistruar këngët e njohura, shumica të krijuara prej Neço Mukës, të muzikuara dhe kompozuara po prej tij. Në Francë bashkëpunon me studentët shqiptarë, kryesisht këngëtarët Dhimitër Rumbo, Llambi Turtulli, Kleo Georga, Tefta Tashko, Tula Paleologu e të tjerë dhe me firmën e njohur të kohës “Parthe” bën incizimin e këngëve polifonike himarjote dhe këngës polifonike labe.

Zërat e “PIF- PAF” u bënë të njohur në Shqipëri shumë shpejt. Por Neço Muka nuk reshti së punuari, kështu që në vitin 1929 ngre një numër estrade me titullin “Orca Forca”, me vendqëndrim dhe aktivitet në Sarandë, ku më vonë do të luhet dhe “Marrëzia e Madhështisë”. Tregtari Vasil Papaj i krijon mundësinë për regjistrime të reja Neços dhe grupit të tij me “Parthe-në”, por talentin e Neços e përvetësoi tregtari, duke mos i njohur të drejtën e autorit. Në këtë pasuri të inçizimeve kishte një pjesë shumë të rëndësishme të aktivitetit dhe talentit të pamohueshëm të Neço Mukës, entuziazmin që kishte krijuar grupi olifonik, prurjet dhe risitë e reja që solli Neço Muka në polifoninë e këngëve të “Bregut të Detit”. Është momenti, kur Neço solli në polifoninë e Himarës me tre a katër zëra, një hov të ri pasurues, i shtoi një zë “që ia prêt” siç thuhet ndryshe në polifoninë e Himarës, që në komunikimin profesional mbi polifoninë u quajt dhe “avaz himarioçe”.

Është koha kur Neço Muka u bë i njohur brenda dhe jashtë vendit. Pavarësisht prirjes për polifoninë e Himarës, ai qe dhe mbeti një atdhetar i paepur. Këngën e parë të regjistruar mbi pllakat “Parthe” është pikërisht “Hymni i Flamurit”. Edhe pse i bashkëshoqëruar nga vështirësitë ekonomike, Neço Muka bëri art, bëri aq shumë për polifoninë e Himarës dhe atë labe në përgjithësi, sa është vërtet e pabesueshme. Punën e tij e shoqëroi një interesim i madh i publikut, i njerëzve të dijes dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi. Puna e tij gjeti pasqyrim të vazhdueshëm në fletoren “Demokratia” e Gjirokastrës, në të cilën gjenden të pasqyruara mjaft momente të veprimtarisë dhe të krijimtarisë së Neço Mukës. Po ashtu, përmendet edhe ndihma që atij i është dhënë dhe nga kuadri drejtues arsimor i shkollës – konvikt “Çamëria”, ku përmendet Hiqmet Roshi.

Siç edhe kuptohet, Saranda ishte një vend i vogël për një talent të madh dhe një njeri me interesa të gjera siç ishte Neço Muka. Pas sensibilizimit të njohur të “Demokratia”-as së Gjirokastrës, Neço thirret në Tiranë, për të kontribuar në gjallërimin e kulturës së kryeqytetit, ku siç edhe vërehet më vonë, dhe në Tiranë veshët për kulturën janë të shurdhët.

Në vitin 1932 Neço Muka sëmuret. Ai fillon të ketë ngjirje të zërit, sëmundja përparon dhe në vitin 1934 shuhet në vendlindje në familjen e tij në Himarë. Shuhet në moshë të re dhe i pamartuar.

Interesimi mbi evidentimin e këtij talenti të shquar, këtij njeriu të jashtëzakonshëm dhe me vlera kombëtare ka qenë i vonë. Lidhur me pasurinë që ai i ka lënë jo vetëm polifonisë labe edhe asaj himarjote në veçanti, rezulton të ketë humbje të shumta. Pak disqe kanë mbetur nga regjistrimet e njohura të grupit koral “PIF- PAF”, po ashtu edhe krijimeve të tjera poetike të tij. Ai la një një pasuri të madhe qoftë dhe poetike, ku duhet të përmendet poema satirike “Babilonia”, (A-ZH), shkruar në Sent- Etien. Po ashtu dhe dy poemat satirike “Kozmogonia”, ndryshe “Si u bë bota” dhe poema tjetër “I kënaquri” u botuan te “PIF-PAF” , fleta shtesë tek fletorja “Demokratia”. Neço Muka shkroi me pseudonimin “BAMBUMI”.

Në talentin e tij bie në sy lëvrimi i prozës. Opereta “Zonja shërbëtore” është një prozë interesante e Neço Mukës. Ajo është një operetë e mbushur me humor, në të ka mentalitet shqiptar të kohës, ngjarjet e të cilës Muka i vendos në Shqipëri dhe në qytetin e Sarandës. Ka të dhëna, se Neço Muka pati regjistruar në “Parthe” edhe pjesë të operetës “Marrëzi të përgjithëshme” siç janë Zoti Mersin”,“Uzo, raki, amane”,“Marshi i karnavalit të Sarandës”,“Automobili dhe pasagjerët”,“Këngë dasmore”,“Tetari, kapteri”,“Mitrushi ushtar”,“Aristokrati dhe popullori” etj, të cilat do të ishin një thesar i çmuar jo vetëm për kulturën e Bregut të Detit por të kulturës shqiptare në përgjithësi.

Diskoteka e krijimtarisë së Neço Muko (H) Mariotit (1899-1934) e regjistruar në diqet “Parthe” Paris 1929-1930 është e larmishme dhe shkon në një numër të konsiderueshëm, në 65 krijime brilante, ku talenti i tij evidentohet mjaft mirë si krijues, si kompozitor, si poet, si kulturolog, si vëzhgues i hollë i dukurive dhe fenomeneve sociale- individuale, si lirik, si vjershëtor dhe si një talent i madh i risive që ai solli në polifoninë labe dhe atë himarjote.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com