Shkencëtarët britanikë zbulojnë një nga sekretet më të mëdha të kancerit. Ata kanë zbuluar se si sëmundja futet në sistemin e qarkullimit të gjakut dhe përhapet më pas në mushkëri, mëlçi dhe në organet e tjera jetësore. Zbulimi i hap rrugën shpikjes së një kure që do të mund të shpëtojë me mijëra jetë njerëzish.
Kanceri i gjirit është një ndër llojet më të përhapur në Britaninë e Madhe dhe, sipas statistikave, një në tetë gra preket të paktën një herë gjatë gjithë jetës së saj nga kjo sëmundje vdekjeprurëse.
Nëse diagnostikohet që në faza të para, gjasat për shërim janë shumë të larta, por, kur fillon të përhapet në pjesë të tjera të trupit, ai bëhet i pashërueshëm.
Si rezultat, pjesa më e madhe e 11.500 vdekjeve në vit, të shkaktuara nga kanceri i gjirit, ndodhin pasi sëmundja është përhapur. Shkencëtarët kanë zbuluar një kimikat që është përgjegjës për përhapjen e kancerit të gjirit. Ai quhet endosialin dhe e ndihmon kancerin të futet në enët e gjakut, nga ku më pas e ka shumë të lehtë të lëvizë në të gjithë trupin dhe të përhapet në organet e tjera. Dihej që kanceri i gjirit përhapej me anë të gjakut, por nuk dihej mënyra se si kanceri futej në sistemin e qarkullimit të gjakut. Testet e kryera tek minjtë konfirmojnë faktin se endosialina është elementi përgjegjës që ndihmon kancerin te kalojë nga qelizat e prekura në sistemin e qarkullimit të gjakut.
Një studim i kryer mbi 334 gra të prekura me kancer gjiri zbuloi se sëmundja kishte më shumë shanse të përhapej te gratë të cilat kishin sasi më të madhe të endosialinës. Në të ardhmen do të bëhet e mundur që gratë që kanë nivele të larat të kimikatit në trup, do të marrin një trajtim më intensiv, në mënyrë që ta mbajnë sëmundjen nën kontroll dhe të mos e lejojnë të përhapet.
Zbulimi, i botuar edhe në revistën “Hulumtimet mbi kancerin”, hap rrugën për krijimin e një ilaçi kundër endosialinës. Endosialina përbëhet nga qeliza të quajtura pericite, të cilat janë qeliza jo kanceroze që mbështjellin enët e gjakut.
“Studimi hedh dritë mbi rolin e perciteve në përhapjen e kancerit të gjirit. Ne zbuluam se një molekulë e quajtur endosialin, dhe që formohet në sipërfaqe të periciteve ka një roj themelor në ndihmën që u jep qelizave kanceroze të përhapen. Njohja e shkaqeve dhe mënyrës se si qelizat kanceroze përhapen, do ta bëjë më të lehtë krijimin e një ilaçi që do ta pengojë këtë gjë”, tregon Clare Isacke, anëtare e Institutit të Hulumtimeve mbi Kancerin në Londër.
Të gjithë personat që morën pjesë në studim, hulumtuesit shkencorë, financuesit dhe pacientët besojnë se ky zbulim premton shumë për krijimin e një kure që në mos shëron kancerin e gjirit, të paktën parandalon përhapjen e tij.