Kujtime të ish-partizanit të kësaj Brigade Heroinë.
Kalimi i lumenjve Vjosa dhe Shkumbin dhe rënia heroike e Mitro Xhanit dhe 10 dëshmorëve të tjerë në luftë për çlirimin e fshatit Dukaj të Tepelenës
Nga Sevo Tarifa
Malet ishin “foleja” e partizanëve. Por luftëtarët s’qëndronin në një vend. Lëviznin gjithandej, shkonin ku i thërriste Atdheu, në beteja për çlirimin e tij. U duhej të ecnin ditë e natë, rrugë e pa rrugë, të kapërcenin male me dëborë, kodra, fusha dhe lumenj.
24 korrik 1944. Ditën, vapë e madhe. Batalioni i dytë “Abaz Shehu” u nis nga Damësi i Tepelenës. Natën zbriti tatëpjetën drejt rrugës automobilistike. Udhë këmbësorësh, që gjarpëronte përmes terrenit të thyer. Marshim me hapa. Qetësi, pa fjalë. Partizanët 5 metra largësi njëri-tjetri. Porosi të komandës transmetoheshin me “telefon partizan”: fjala me zë të ulët, gojë më gojë tek shoku përpara. Iu afruam xhadesë. Pararoja partizane ishte në ballë të kolonës dhe dy të tjera majtas e djathtas, vigjilonin dhe ruanin forcat tona nga ndonjë autokolonë gjermane. Të dhënat ishin që mund të kalojmë, forca armike s’ka. Dhe xhadeja u kalua. Mbërritëm pranë Vjosës.
Që nga larg dëgjohej gurgullima e saj. Vjosa e bukur kishte marrë një ngjyrë në të verdhë, nga shirat që kishin rënë ato ditë korriku. Po rrinim në këmbë, në anë të lumit. Një fshatar udhërrëfyes na udhëhoqi drejt vahut për të hedhur lumin. Ndërkaq, komandanti i batalionit Sefedin Meçe dha porositë: “Shokë partizanë, do mbahemi fortë dorë më dorë që Vjosa të mos na vëjë përpara. Duart shokut para e pas, mos ia lëshoni. Nuk e dimë deri ku do na vijë uji në trup, por frikë të mos kemi. Zemra të bashkuara. Pionierët dhe shoqet mund të merren në kurriz nga partizanë të rritur dhe notarë. Armët secili krahë-qafë. Pas meje!”
Dhe komandanti priu përpara. Para tij pararoja. Në vazhdim vargu i partizanëve! Këmbë e trup në ujë! Duart shtrënguar fortë. Atyre me trup të gjatë, uji po u shkonte deri në gjoks. Problemi ishte për ata me trup të shkurtër. Porosia u dha që këta dhe shoqet partizane të merren në kurriz nga luftëtarë dhe notarë të fortë. Por asnjëri prej tyre nuk pranonte. Risto Palit, që ishte i shkurtër, uji i vate te gusha. Ecte me majat e gishtërinjve të këmbës, që “të bëhej pak më i gjatë”! Me zë të ulët i tha Tahir Skrelit që kishte në krah: “Po më tej, sikur të jetë më thellë, çdo bëhet me mua? “Mos u tremb, or burrë, se na ke neve, shokëve”. Megjithatë, Ristua nuk iu drejtua Zotit, se nuk besonte, por iu drejtua Vjosës me fjalët: “Moj Vjosa bukuroshe, se mos më mbytësh mua të shkurtrin, më lër të luftoj për çlirimin e vendit!”.
Një valë uji u ngrit lart dhe Ristos iu duk sikur Vjosa qeshi e i ktheu përgjigje! U kthye nga Elmaz Lani që e mbante nga dora dhe i tha: “E dëgjove ti, Maze, si ç’më tha Vjosa? Më tha: “Të vegjlit unë nuk i mbyt, se janë të lehtë dhe uji i mban në sipërfaqe”! Kjo bisedë mbeti midis tyre dhe Vjosës, se era që frynte atë natë mund t’i çonte fjalët tek armiku… Ristua, ose “Cironku”, siç i thërrisnin shokët, ishte partizan me humor.
Ndërkaq kolona ecte lumit dhe doli përtej. Qëndruam aty dhe u siguruam se mbërritëm të gjithë. Të lagur ujë. Rrobat qull. Ishte natë korriku dhe s’kishte ftohtë. Një pushim të shkurtër. Nuredin Matushit iu afrua Besho Nikolla dhe i tha në vesh: “Shpëtuam, Nuro. Tani merrja një kënge!”. “Këngë?
Po rrotull nesh ka gjermanë e ballistë. Apo të shkojmë tek ata si dashi te kasapi”. Nuredini ishte këngëtar i mirë dhe quhej “Bilbil”, por këtë “kokërr ulliri nuk e hëngri”. Batalioni u radhit. Sipas kompanive u bë nisja drejt aksionit në Dukaj të Tepelenës….
Këtë lumë e kisha parë në hartë, në shkollën fillore. Solla ndërmend mësuesin dhe bashkënxënësit, të cilët sikur më jepnin fuqi e guxim. Tani po e shoh nga afër, do ta kaloj natën. Por me shokë merr krah e fluturon. Dhe ja mbërritëm te ky lumë i gjatë e vende-vende i thellë. U nisëm nga Tomori, ku më 4 gusht u krijua Divizioni i Dytë Sulmues. Me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha do të marshonim drejt Shqipërisë së Mesme e të Veriut, në goditje të forcave të armikut.
Nga Tomori Brigada VI Sulmuese vazhdoi marshimin drejt zonës së Gramshit. Partizanët e kaluan natën këtë qytet të vogël. Forcat e armikut i kishin nuhatur kolonat partizane dhe ishin strukur nëpër qytete. Patrullat e xhandarmërisë hapnin zjarr nga larg dhe iknin në panik. Sipas planit të tyre u bënë gardh buzë Shkumbinit, me qëllim që të pengonin kalimin e tij nga forcat partizane. Brigada vazhdonte marshimin, kaloi në Drizë, Dumre, Gjinar, Shpat etj. Shkumbini U kalua në grykën në të hyrë të Labinotit.
Natë gushti. Moti me re e mjegull. Ditën kishin rënë shira dhe lumi qe turbulluar. U prit sa të errësohej mirë. U gjet ku ishte vahu. Forcat e batalionit të parë u futën në lumë dhe dolën te bregu në anën tjetër. U vendosën në pozicione për të mbrojtur shokët që do vazhdonin kalimin e lumit. Por sa filloi të hyjë në ujë batalioni i dytë, në rrugën automobilistike u duk një kolonë e gjatë makinash gjermane! Problemi ishte serioz. Duhej gjakftohtësi dhe manovrim. Komanda dha urdhër që partizanët të rrinë në ujë, në këmbë, pa lëvizur, “që të duken sikur janë pemë, trungje, shelgje”, nga të cilat kishte shumë rreth e rrotull lumit.
Dritat e makinave rrezatonin rreth e qark. Ndriçimi i makinave vinte dhe në lumë. Kolona s’po mbaronte. Partizanët s’lëviznin. Ky veprim i zgjuar e trimëror partizan bëri që armiku të mashtrohej e Shkumbini të kalohej. Ishim lidhur dorë më dorë me njëri-tjetrin. Duart e mia ishin: njëra në dorën e xha Azbi Këndellës nga Prongjia, partizan 51 vjeçar, dora tjetër mbahej me Hekuruan Bathën nga Plesati, një partizan shakatar, i thjeshtë, sybardhë, mjekërvogël, që nisi nga humori partizan. Ai filloi një dialog me Shkumbinin: “O Shkumbin i gjatë, o lum i mirë! Se mos na mbytësh ore, se ne nuk duam ta japim shpirtin në gjoksin tënd, duam të vritemi në luftë me armiq”! Pastaj Hekurani ndryshonte zërin, sikur po i përgjigjej Shkumbini: “Dëgjo këtu, ti, partizan. Po të ishe ballist, do të të mbytja, por partizanët i kam miq dhe nuk i mbyt. Kaloni, por bëni kujdes, sa të shkojnë makinat gjermane. Aty ku jeni juve është vahu. Kujdes, më djathtas mos shkoni, se atje ka thellësi!”.
Humori ishte kurdoherë karakteristikë e jetës partizane, por në raste të tilla s’kishte ilaç më të mirë, të hiqte pesimizmin, të ngrinte moralin. Dhe Hekurani humorin e kishte xhan. S’rrinte dot pa të. Keq e kishte kur ishte në llogore, që s’fliste dot, se atje fjalën e kishte pushka. Batalioni i dytë doli lart në kodër, u hap në formacion lufte si i pari. Përsëri u duk një autokolonë tjetër gjermane, por tani lumi ishte kaluar. Pritej urdhër për goditjen e kolonës, por ky urdhër nuk u dha nga komanda. Partizanët pasi kaluan Shkumbinin, u ngjitën përpjetë dhe qëndruan në Labinot-Mal për veprime të mëtejshme luftarake…
Këtë episod për kalimin e Shkumbinit po ua tregoja një ditë Sado Bebeçit që ishte aty afër komandant në pikën ushtarake të Mirakës dhe Refat Bufit nga Polisi i Madh, që punonte me rininë e rrethit Librazhd.
Lufta në Dukaj
Ajo mbrëmje behari e 24 korrikut 1944 ishte e nxehtë, por atmosferën e ngrohnin më tepër pritja e ngrohtë e partizanëve te batalionit “Asim Zeneli” nga populli i fshatit dhe kënga labe, e cila “është një lule që mban vesën, është një shpirt, që mban besën…” (Zaho Vasili). Dallohej timbri i zërit të dy partizanëve “bilbilë” Hajro Shkrelit e Nuredin Matushi. Të nesërmen do të luftohej për çlirimin e fshatit Dukaj.
Më 17 janar 1944 nazisto-ballistët kishin djegur shumicën e fshatit. Me pushkë e bajonetë bënë masakrën duke vrarë 12 djem e burra, më i vogli i të cilëve, Haki Bajram Varfaj, 13 vjeç! Para nënës, nuses e fëmijëve kishin marrë lidhur këmbë e duar dhe e pushkatuan në oborrin e shtëpisë partizanin Ismail Osmën Bejko, kurse vëllain e tij, Dinen, e burgosën në kalanë e Tepelenës, e sakatuan, i prenë shputat e këmbëve e të duarve, hundën, veshët e buzët, i nxorën sytë dhe e hodhën jashtë mureve të saj!
Në Dukaj armiku kishte pikëmbështetjen e tij. Ishin një njësit gjerman, një skuadër italianësh, një togë ballistësh, një kompani xhandarësh, të cilët përbënin batalionin famëkeq “Vermoshi”me komandant major Dod Nikolla. Gjithsej 207 armiq: kriminelë, vrasës, hajdutë, të zhytur thellë në llumin e tradhtisë, të pajisur deri në dhëmbë me armë: mitralozë të rëndë e të lehtë dhe mortaja. Batalioni “Vermoshi”, përveç forcave të tjera armike qëndronte edhe në Salari, i cili mbahej nga regjimi kuisling i Tiranës, si një forcë e zgjedhur dhe e armatosur më së miri. Në Salari do të vepronte batalioni i III. Në kodrën shkëmbore në Dukaj ndodheshin llogore të profilit të plotë, qendra zjarri prej betonarmeje, të përhershme, të ndërtuara në kohën e luftës italo-greke, të përdorura më vonë nga pushuesit fashistë e veglat e tij vendëse. Shumë shtëpi fshati e veçanërisht shkolla ishin kthyer në fortesa për të luftuar në kushtet e qendrës së banuar.
Në fshat vepronte çeta territoriale e armatosur, që do t’i kundërvihej reprezaljeve e vrasjeve të armiqve. Më 22 prill të atij viti zuri pritë në befasi dhe asgjësoi një patrullë naziste. U vranë 9 ushtarë dhe oficerë gjermanë, u zunë 14 robër e mjaft materiale luftarake. Hitlerianët vazhduan përsëri edhe më egërsisht: gjakosnin, pushkatonin. Ato ditë armiqtë vranë një fshatar të pafajshëm, që kalonte rrugës me kalë! Vandalë! Ja pse ky garnizon armik në Dukaj e Salari duhej likuiduar, kjo ishte kërkesa e popullsisë.
Ora 4.00. Ende pa u gdhirë dita. Gjëmoi thirrja “Para partizanë!”. Forcat armike të pozicionuara në kodrën shkëmbore qëllonin, forca të tjera të tij po delnin nga vendstrehimet dhe drejtoheshin te kodra në qendër të fshatit. Skuadra sulmuese zuri pozicione fare afër armiqve. Zjarr nga të gjitha anët. Të gjithë shtinim drejt armiqve në kodrën e fortifikuar, në lagjen Muçaj. Predhat tona goditnin në frëngjitë e llogoreve të kundërshtarit. Armiqtë e kishin vështirë të gjuanin nga frëngjitë, hidhnin bomba përpjetë pa objektiv, me hamendje. Mortaja partizane qëllonte pozicionet armike me precizion që të mos dëmtoheshin forcat tona.
Teatri i luftimeve vazhdonte. Skuadra sulmuese e përbërë nga 11 partizanë lufton me automatikë. Afrër tyre mbërrin Mitro Xhani (Balena). Pas tij vinte skuadërkomandant Mehmet Karabolli, i cili në një dorë mbante pushkën, në tjetrën kapelen e kokës me granata dore. I shkoi pranë Balenës, i cili mori një granatë, i hoqi sigurecën dhe e vërviti mbi llogoren armikut. Llogorja u hodh në erë, armiqtë që ishin brenda saj u vranë. Por zhdukja e kësaj llogoreje bëri që të shfaqej trupi i Balenës. Në çast një armik tjetër mori shenjë dhe plumb i tij e zuri në ballë! Balena ra… Mbërritën shpejt edhe shokë të tjerë, edhe shoqja e jetës së tij, Athinaja. E pa të shtrirë Balenën. E përmbajti veten. Pa lot në sy të atij grupi partizan dhe me kurajë tha: “Trimat nuk qahen, por këndohen”! Dhe nisi kënga: “Shokë të mbajmë dy minuta zi / u vra Mitro Xhani nga Piqerasi”.
Me rënien heroike të Balenës, luftëtarëve u hipi gjaku në kokë. Tani në sulm nuk ishte vetëm skuadra sulmuese si në fillim betejës, por i gjithë batalioni. Partizanët lanë pozicionet dhe po ngjiteshin asaj të përpjete të kodrës shkëmbore. Shikohej me krenari përparimi i tyre, kush barkaz, kush ecje me gjunjë e kush në këmbë dhe secili merrte krahë, fitorja po i buzëqeshte… Janë çaste që luftohej kryesisht me granata dore. Partizanët, sa më afër llogoreve të armikut, aq më shpejt ngjiteshin me këmbë e duar. Ecnin dhe vrojtonin, qëllonin, hidhnin bombën në llogoren e armikut. Armiqtë s’kishin mundësi të qëllonin as nga frëngjitë, dilnin fare nga pozicionet. Secili kishte hallin e kokës. Lum ai partizan që kishte akoma granata! Zhurma e tyre mbuloi vendin. Krismat e armëve u rralluan…
Lufta në Dukaj ishte drejt mbarimit. Armiqtë s’dinin nga t’ia mbanin. Një pjesë e tyre zbrisnin tatëpjetë përroit për të ikur. Por fshati qe i rrethuar. Një pjesë dorëzoheshin. Të tjerë vriteshin në luftë duke ikur. Oficeri i xhandarmërisë Isuf Dema me pesë kriminelë të tjerë, dezertuan, u bënë sa një grusht drejt Bregut të Shkozës dhe mbërritën buzë lumit Vjosë, prej nga mundën të largohen në Vlorë. Kështu veproi edhe komandanti i batalionit armik, major Dod Nikolla, i cili kur mësoi për asgjësimin e plotë të batalionit “Vermoshi”, u çmend dhe mundi të shkonte në komandën gjermane në Vlorë duke folur përçart: “Para partizanë”, 207…207… (Kaq ishte numri armiqve që u asgjësuan).
Pas marrjes së kodrës shkëmbore nga partizanët, në sytë e tyre dukeshin lot gëzimi për fitoren, lot zemre për shokët e rënë. Pashë lot në sytë e dy shoqeve partizane Antigoni e Mandeli Rrapi, por dhe lot hidhërimi që shihnin rreth e rrotull shokë partizanë të rënë heroikisht! Armiqtë u asgjësuan. U vranë në luftë 8 oficerë gjermanë, 35 xhandarë, (midis tyre 5 nënoficerë dhe 5 ballistë). Armiq vinin grupe-grupe të çarmatosur, të shoqëruar nga partizanë, të cilët ishin dorëzuar e kapur rob. Përleshja me forcat gjermane dhe tradhtarët e vendit, përfundoi me fitoren e thellë të partizanëve. U kapën rob: (4 gjermanë, njëri marshall); 59 xhandarë, (midis tyre 1 toger, 1 kapter e dy rreshterë); 4 italianë; 17 ballistë. Robrit i kaluan gjyqit partizan, u gjykuan e u dënuan. Të tjerë u lanë të lirë. Dy djem të rinj xhandarë, me kërkesën e tyre, u pranuan në radhët e partizanëve, por më vonë u arratisën. U kapën 5 mitralozë të rëndë dhe 6 të lehtë; një sasi e madhe armësh e municionrsh, 10 revolverë,10 orë xhepi, 3 dylbi, 15 kafshë ngarkuar me sende ushqimore, veshmbathje e sende të ndryshme, që i ishin grabitur popullit. Midis tyre ishte edhe paja e vajzës së Isuf Hysenajt, që u gjend në valixhet e mercenarëve dhe iu dorëzua familjes, sepse ishte caktuar data e dasmës për martesën e saj!
Armiku u shpartallua. Kodra u pushtua. Patizanët u bënë zot të saj. Beteja u fitua. Dukajt u çlirua. Luftëtarët e lirisë takohen me njëri-tjetrin. Mungojnë shokët që e lanë me gjak atë vend. Ranë 11 dëshmorë dhe u plagosën 11 luftëtarë të tjerë:
Apostol Çuni me 6 bomba në gji, u nis barkas drejt pozicioneve armike nga ana e greminës, andej nga armiku nuk e priste. U gjend pas shpine të tij, Iu afrua mitralozit të rëndë që villte zjarr pa pushim dhe na vriste shokët. Hodhi dy bomba dhe i vrau të dy, mitralierin dhe ndihmësin e tij! I qeshi buza. I gëzoi zemra. Mori hakë. Mitralozi i armikut, pushoi. Mbeti pa zot. Dhe i doli një “zot”, një trim shqiptar, një djalosh nga Piqerasi, fshati i heroit Vasil Laçi dhe Mitro Xhani. Trimi Apostol Çuni vriste gjermanë me mitralozin e tyre dhe, kur u diktua, njëri nga ata e qëlloi dhe Apostoli ra mbi mitralozin e armikut! Zemra e tij pushoi. Dora e tij nuk lëvizte më. Por mbetën gjallë heroizmi, emri, nderi dhe kujtimi i tij.
Mërtiko Velçi e Jorgo Jovani nga Kudhësi, të dy mitralierë, ishin afër pozicioneve të armikut, shtrirë në të përpjetën e zhveshur që çonte tek Shkëmbi i Prerë. Qëllonin me mitraloz, predhat e të cilit hynin në frengjitë e armiqve. Këta, në pamundësi që të shkrepnin armën e të gjuanin nga frengjitë, hidhnin bomba përpjetë, njëra prej tyre ra tek tek mitralozi dhe vrau dy shokët tanë, Mërtikon dhe Jorgon.
Rushan Guxho, zëv. komandanti i kompanisë së 4-t, nga Nivica. Vazhdonte papushim zjarrin kundër armikut. Iu vranë shokë para syve dhe kjo e shtyu atë të merrte hakë, të zgjaste krahun e të hidhte granatën e fundit që i kishte mbetur. E drejtoi atë në llogoren e armikut. Dhe u turr mes plumbave e bombave drejt tyre, por një predhë e armikut e shtriu përdhè.
Koço Koçollari, me mitraloz në dorë. Korrte armiq dhe lëvizte e manovronte me shkathtësi për ta dëmtuar armikun sa më shumë. Iu afrua llogores armike. Nuk i pritej, donte t’i “paloste” sa më parë. Ishte duke pritur urdhër të qëllonte mbi ta. “Duro dhe pak, Koço,- i thoshte komandanti, do vijë ai çast. Dhe çasti erdhi. U dha sinjali për sulm. Mitralozi i Koços filloi “këngën”… Por një plumb e godit, ai prapë e shkrep mitralozin dhe ra duke luftuar…
Intendenti Ismail Xhemaliu, zvarritet, afrohet drejt llogores armike. Në krah iu vra i riu Kudbi Gjeçi, nga Fushëbardha, ndërsa përpiqej t’i ndalonte gjakun, por kjo qe e pamundur, atëherë bëri përpara, u hodh në sulm. Hidhet me kërcim të shpejtë afër një llogoreje të armikut, hedh dy granata njëra pas tjetrës dhe sulet të rrëmbejë mitralozin nga duart e mercenarit të vrarë. Thërret me zë “Para …por s’arrin ta mbaroj fjalën, ia preu në mes një plumb që e mori në gjoks. Ai mblodhi forcat. Qëndroi pak në këmbë, pa shokët që kapën llogoren e armikut dhe ra pa frymë, me dorë të shtrënguar në qytën e armës.
Dëshmorët e tjerë ishin: Abdyl Demiri, zv.komandanti i kompanisë së dytë, nga Kallarati; që nuk e njihte frikën, ishte kritikuar se luftonte në këmbë, por ai vazhdonte në të tij; Jaho Braja nga Gjirokastra; Ismail Cacaj e Barxho Abazi nga Progonati.
Në pasdite, tek sheshi para shkollës u mlodhën partizanët e batalionit të dytë, luftëtarë të batalionit tretë dhe banorë të fshatit, ku u bë ceremonia e varrimit të dëshmorëve. Foli komisari i batalionit , Abdyl Hakiu, Hero i Popullit. E mori fjalën Athina Xhani, e cila u betua: “Më lejoni shokë, që nga Mitrua të mbaj për kujtim automatikun dhe bustinën e tij. Ju premtoj se ky automatik në duart e mia do të bëjë po atë që bënte deri në fuind në duart e Mitros”.
25 korriku i vitit 1944 mbeti dita e çlirimit të fshatit Dukaj. Epopeja e kësaj brigade është gdhendur qysh në atë kohë në vargjet e mirënjohura: “Dil, nëno, e shiko jashtë, si lufton Brigad’ e Gjashtë!”