Kryeministri Edi Rama përshëndeti dje rekomandimin pozitiv të dhënë nga Komisioni i Evropës për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. Në një deklaratë mediatike, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria kaloi sprovën historike, ndërsa shtoi se tashmë nis plotësimi i objektivit të radhës: anëtarësimi në BE. “Shqipëria sapo ka hapur një kapitull të ri, të historisë së saj si shtet. Nuk jemi më thjesht një vend që aspiron të bëhet një ditë si gjithë Evropa, siç ishim për 28 vjet me radhë, qysh prej dhjetorit ‘90; as vetëm një vend me statusin e kandidatit për në BE, siç ishim prej vitit 2014 e deri sot.
Sot kemi kaluar sprovën historike të ngjitjes në një shkallë të re, si vend dhe si popull. Jemi rekomanduar, pa asnjë rezervë, nga Komisioni Evropian, si një shtet që mund dhe duhet të ulet në tryezën e negociatave, për të hyrë në familjen e shteteve anëtare të Evropës së Bashkuar. Stacioni i radhës në fund të kësaj rruge të re është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha Edi Rama. Kryeministri nënvizoi se ky lajm pozitiv nuk ishte dhuratë nga BE, por ishte falë meritës dhe falë reformave të kryera përgjatë kësaj kohe.
Ai u shpreh i bindur se zbatimi i këtyre reformave do të vazhdojë. Duke e vijuar më tej fjalën për reformat, Rama rezervoi edhe një paralajmërim për politikanët e larguar nga kjo fushë. “Gjykatësit e prokurorët që përjashtohen nga sistemi sepse nuk kalojnë dot vetingun, politikanët që i kanë ikur me sukses për kaq shumë vite me radhë, një drejtësie të korruptuar e të kapur prej tyre për fyti, keqbërësit e mëdhenj të botës së krimit të organizuar, që duart e përgjakura i kanë larë me sapunin e drejtësisë, apo çdo “i fortë” qytetesh e lagjesh, që është mësuar të hyjë nga dera e komisariatit e të dalë nga penxherja e gjykatës, duhet të paguajnë njësoj siç kanë paguar e paguajnë fajtorët e të gjitha niveleve, në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian”, deklaroi Edi Rama.
Bllokimi i negociatave
Kryeministri Edi Rama hodhi edhe disa akuza ndaj opozitës, duke theksuar se kanë tentuar të bllokojnë negociatat me çdo kusht. Kreu i qeverisë shtoi se pavarësisht të gjithave, vendi ynë fitoi. “Kjo nuk është fitorja e partisë që luftoi me gjithsej për këtë ditë, ndaj partive që luftuan me gjithsej për ta shtyrë këtë ditë në pafundësi. Kjo nuk është as fitorja e qeverisë që u angazhua me mish e me shpirt dhe u baltos deri në kockë, në përpjekjen drejt këtij objektivi strategjik për Shqipërinë, mbi opozitën që la kockat në angazhimin e saj për ta bërë të pamundur këtë objektiv.
Sot ka fituar atdheu ynë i paragjykuar dhe i nënçmuar prej shumë e shumë vitesh dhe i përgojuar lartë e poshtë nëpër Evropë, me gjysmë të vërteta që shpeshherë, janë më të hidhura se sa vetë gënjeshtrat”, tha Rama. Ai i shtriu edhe një herë dorën e bashkëpunimit kreut të PD, Lulzim Bashës, duke e ftuar që të bashkëpunojnë në realizimin e reformave.
“Dora jonë është sot e shtrirë përsëri ndaj opozitës dhe unë e ftoj sot, përpara të gjithë shqiptarëve, socialistë e demokratë, po mbi të gjitha në emër të të gjithë fëmijëve të Shqipërisë pa asnjë dallim, opozitën e kryetarin e saj, që të mos ngatërrojmë përplasjet shqip për gjithçka na ndan së brendshmi, me këtë sfidë të përbashkët kombëtare, e cila, sot më shumë se kurrë, kërkon që kur flasim në gjuhë të huaj, të mos tregojmë me gisht njëri-tjetrin, po t’i dalim shqiptarisht zot Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane”, u shpreh Edi Rama./Sot