Zbardhet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në lagjen “Rilindja”, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori.
Arrestohet në flagrancë pronari lokalit ku ndodhi ngjarja.
Pas ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “Rilindja”, ku brenda ambienteve të një lokali mbeti i plagosur më armë zjarri shtetasi A.G., 51 vjeç, strukturat e Seksionit kundër Krimeve ndaj Personit në DVP Vlorë, organizuan punën me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Nga hetimet paraprake të kryera ka rezultuar se autori, shtetasi T.B., ka shkuar në ambientet e lokalit të shtetasit V.N dhe ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A.G., si dhe i ka marrë një shumë lekësh.
Në përfundim të hetimeve paraprake Policia ka bërë shpalljen në kërkim dhe po punon për kapjen e autorit, shtetasit T.B.
Gjithashtu është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Vladimir Nuhaj, 51 vjeç, banues në Vlorë.
U krye arrestimi i tij pasi nuk e ka kallëzuar krimin, ka penguar në zbardhjen e ngjarjes, si dhe në lokalin e tij organizonte lotari të palejuara.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në ngarkim të shtetasit T.B., për veprat penale “Vjedhja me armë”, dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, si dhe në ngarkim të shtetasit V.N për veprat penale “Moskallëzim krimi”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”, të parashikuara nga neni 140, 89, 300, 301 dhe 197 të Kodit Penal.