Në mjediset e Muzeut të Pavarësisë Kombëtare në qytetin e Vlorës, ndodhet një tablo e piktorit të njohur kroat, Pajo Jovanovic. Ajo emërtohet “Vallja e shpatave” dhe sipas piktorit Hilmi Bani, është një kompozim mjaft i veçantë.
Autori i saj Pajo Jovanoviç (1850-1930), punimet e të cilit janë ekspozuar në mjaft sallone në vende të ndryshme të Evropës, ka punuar për një periudhë të konsiderueshme edhe në Shqipëri dhe ishte mik i Kolë Idromenos.
Në këtë tablo paraqiten një grup valltarësh, të veshur me kostume popullore, nga treva të ndryshme, jo vetëm shqiptare. Në qendër, një burrë i veshur me kostumin popullor të krahinës së Labërisë, i cili ndiqet në interpretimin e tij nga një numër valltarësh e valltaresh, që gjithashtu bëhen gati të kërcejnë. Në kostumet, që përvijohen në këtë kompozim, përfshihen edhe ato të veriut të Shqipërisë, por dhe të trevave jashtë vendit.
Piktura, perceptim i piktorit kroat për Shqipërinë
Piktori vlonjat Hilmi Bani thotë se në këtë punim të tij, Jovanoviç kërkon të transmetojë perceptimet e tij të udhëtimit në vende të ndryshme të Ballkanit. “Është një perceptim i realizuar në mënyrë artistike dhe, ndoshta asgjë më tepër”, thotë Bani. Sfondi i saj, një mjedis fshati, është gjithashtu i papërcaktuar, gjë që e bën edhe më të vështirë interpretimin e brendisë së këtij kompozimi.
Në fakt, kjo është një nga dy punimet me të njëjtën temë të piktorit kroat Jovanovic. Në variantin e parë të kompozimit, “Vallja e shpatave”, të gjithë protagonistët janë në gjendje statike. Ky variant, sipas Banit, ndodhet në një Muze të arteve të bukura në Vjenë. Ndërkohë, po sipas tij, mendohet që punimi që është ekspozuar në mjediset e Muzeut të Pavarësisë në Vlorë të jetë realizuar më vonë.
Piktura, pronë e Eqerem Bej Vlorës
Por, ajo që e bën të veçantë tablonë që ndodhet në Muzeun e Pavarësisë në qytetin e Vlorës është historia e saj. “Vallja e shpatave”, e piktorit Pajo Jovanovic, ka ardhur në qytetin e Vlorës në fund të viteve ’20-të apo fillimin e viteve ’30-të të shekullit të kaluar. Ajo është blerë nga një emër i njohur i parisë së asaj kohe të Vlorës, Eqerem Bej Vlora. Mendohet se Vlora e kishte porositur tablonë në Francë, ku jetonte në atë kohë Jovanoviç. Këtu nis edhe interpretimi mbi origjinalitetin e veprës, e cila, gjithsesi duhet t’i ketë kushtuar shumë pinjollit të familjes së njohur të Vlorës, që mendohet se ka paguar mjaft për ta sjellë nga Franca.
Piktura u ekspozua në një vend të dukshëm të shtëpisë së Vlorajve, që ndodhet në qendër të qytetit dhe, që vlonjatët e njohin me emrin “Shtëpia e Beut”. Këtu e gjeti edhe nëntori i vitit 1944, kur vila e famshme u sekuestrua nga komunistët, së bashku me gjithçka që ndodhej brenda saj. Krahas bibliotekës së madhe të familjes Vlora, ku ndodhej një fond i jashtëzakonshëm titujsh, u sekuestrua edhe tabloja në fjalë. Sipas piktorit Hilmi Bani, ndoshta për shkak të mosnjohjes së vlerave të saj, kompozimi “shëtiti” në mjedise të ndryshme, shpesh të dorës së dytë. Ashtu si mjaft sende dhe orendi të “Shtëpisë së Beut”, që në shumicë u shpërndanë pa destinacion, piktura përfundoi në muret e zyrave të ndryshme, ndërkohë që diku në fundin e viteve ’70-të deri në fund të viteve ’80-të, qëndroi e varur në një nga muret e Zyrës së Urbanistikës dhe Projektimeve, vetëm pak metra larg vendit ku ishte ekspozuar për herë të parë pas mbërritjes në Vlorë.
Një dhuratë në tentativë për gjeneralin Zhukov
Për këtë pikturë ka edhe një histori interesante, që lidhet me një nga emrat e njohur të Luftës së Dytë Botërore, gjeneralin sovjetik Zhukov. Në vigjilje të vizitës së tij në qytetin e Vlorës në vitin 1957, drejtuesit e atëhershëm të pushtetit lokal vendosën që krahas të tjerash, t’i dhuronin Zhukovit tablonë “Vallja e Shpatave”. Por, gjatë një mbledhjeje ku ishte i pranishëm edhe piktori i vetëm i asaj kohe në Vlorë, Vasil Talo, ai e kundërshtoi këtë ide.
Argumenti ishte se tabloja ishte e vetmja pikturë në qytetin e Vlorës, madje e një autori që nuk ishte vlonjat e madje, as shqiptar. Arsyetimi, tregon piktori Hilmi Bani, u pranua dhe piktura i shpëtoi emigrimit në një vend të largët.
Autori i saj Pajo Jovanoviç (1850-1930), punimet e të cilit janë ekspozuar në mjaft sallone në vende të ndryshme të Evropës, ka punuar për një periudhë të konsiderueshme edhe në Shqipëri dhe ishte mik i Kolë Idromenos.
Burimi : ATSH