Mbresa nga biologu Aleko Miho, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës
Turizmi është një çështje tepër e përfolur në gjithë këtë periudhë tranzicioni, i quajtur shpesh si një nga shtyllat më të forta të ekonomisë, si shpresë për të nxjerrë vendin nga prapambetja e trashëguar. Natyrisht, në gjithë këto vite ky sektor ka pësuar ndryshime të dukshme në përmasa dhe infrastrukturë, më e theksuar kjo në zonën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil. Kjo tregon qartë se turizmi veror bregdetar mbetet sundues. Mendoj se turizmi historik-kulturor ka pësuar një farë rritje, aty këtu edhe turizmi fetar, kurse turizmi dimëror ende më pak, kjo për mungesë infrastrukture rrugore dhe shërbimesh në zonat tona malore, por edhe për mungesë tradite turistike në vend. Ky është një dallim thelbësor me turizmin në vendet e tjera të rajonit, në të cilat shërbimet janë pak a shumë më të balancuara gjatë vitit, më të larmishme, ku përveç drejtimeve të mësipërme përfshihet edhe turizmi rural, ai i peizazhit, agroturizmi, ekoturizmi etj.
Është e vërtetë se të huajt e pëlqejnë Shqipërinë, bukuritë tona natyrore, peizazhin, historinë, traditën, folklorin, përfshirë dhe kuzhinën, por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të njohim të metat tona dhe të mos rreshtim përpjekjet që ato të ndreqen dhe vendosen në lartësinë e duhur.
Pavarësisht nga arritjet, unë mendoj se mbetet ende për të bërë, për ta ngritur turizmin në nivelin që e kërkon koha. Kjo varet nga zgjidhja e mangësive të trashëguara. Unë këtu do të trajtoj tri prej tyre, të cilat i konsideroj si themelore për jetën tonë në përgjithësi dhe për standardet e turizmit të qëndrueshëm në veçanti. Këto janë:uji i pijshëm, ujërat e zeza dhe cilësia e ushqimit. Si shembull do të marr Orikumin, ku shkoj vazhdimisht me pushime, edhe pse këto shqetësime nuk janë vetëm në Orikum, por kanë paralele të shtrira thuajse në gjithë vendin, përfshirë edhe Tiranën.
Orikumi dhe lidhjet e mia me të
Para viteve 1990-të Orikumi ishte një qytezë e vogël me përbërje kryesisht me ushtarakë të Bazës detare të Pashalimanit dhe me punonjës të Uzinës përkatëse. Ai u ngrit si qytet i ri në vitet 1950-të, në kohën e marrëdhënieve shqiptaro-ruse. Që nga ajo kohë zona zhvilloi edhe bujqësinë, kryesisht frutikulturën; shumë produkte të zonës shkonin edhe për eksport. Brezaret me agrume dhe ullinj nga Vlora në Orikum krijonin një peizazh rural bujqësor mahnitës, gërshetuar kjo edhe me detin blu poshtë tyre. E them me bindje se vreshti në Radhimë mund të ketë qenë ndër më të mirët jo në Shqipëri, por në gjithë rajonin. Edhe para viteve 1990-të kishte një farë turizmi veror, por kuptohet në përmasa tepër modeste. Pas ndryshimit të sistemit, zona pësoi ndryshime rrënjësore, shoqëruar me dëmtime të rënda dhe braktisje të gjithë ndërmarrjeve, përfshirë këtu edhe në vetë Bazën ushtarake. Orikumi është një nga zonat tona bregdetare që pësoi emigrim në masë të madhe të gjithë fuqisë punëtore.
Si i tillë Orikumi vjen sot pas 25 vitesh tranzicion tepër i ndryshuar. Është shtuar shumë me ndërtime si vetë qyteti, dhe përgjatë gjithë bregdetit prej rreth 20 km deri në Vlorë, ku vështirë të gjesh sot një pëllëmbë të pa shfrytëzuar me hotele, restorante dhe shërbime të tjera; të gjitha këto janë në funksion të turizmit veror (kryesisht), dhe atij shëtitës/lëvizës, meqë shumë prej tyre gjenden në rrugën kombëtare që lidh me Rivierën jonike dhe më gjerë. Bujqësia është thuajse e braktisur, brezaret me agrume dhe ullinj, me fiq apo kumbulla janë të lëna thuajse në mëshirë të fatit, pa asnjë kujdes; ndoshta kjo për shkak të largimit të fuqisë punëtore, apo për shkak të përqendrimit të interesit vetëm tek turizmi veror; ndoshta prej shkatërrimit të sistemit të vaditjes, apo ndoshta se historikisht zona në përgjithësi nuk ka shumë traditë në bujqësi. Blegtoria ka njëfarë rritje, ndoshta prej të traditës dhe nevojës për bulmet e konsum mishi, siç do të flasim më poshtë për ushqimin. Akuakultura ka pësuar rritje dhe bashkë me peshkimin mbeten, gjithashtu, drejtime të rëndësishme për ekonominë e zonës. Megjithatë, vendasit, Orikumi, por dhe Dukati, Tragjasi dhe Radhima, duhet të kuptojnë se kujdesi në bujqësi ka rëndësi si për sigurimin e produkteve për plotësimin e nevojave vetjake dhe për turistët; por është po aq e rëndësishme ripërtëritja e arkitekturës së peizazhit bujqësor, që zona të jetë sa më tërheqëse dhe çlodhëse për syrin.
Zona ka shumë natyrë, duke filluar nga deti blu me bregdet zallor të kombinuar me atë shkëmbor, me një kurorë kodrinore e malore përreth që lartësohet deri në mbi 2000 m në majën e Çikës; ka ujëra të ëmbla (burime dhe lumenj), të kripura (në detet Adriatik dhe Jon, gjire dhe det të hapur) dhe të njelmëta (lagunë, kënetë), ka gadishull dhe ishull. Kjo bën të ketë një florë dhe faunë të pasur, si nënujore dhe tokësore, me shumë lloje të rralla dhe të kërcënuara, por edhe me rëndësi ekonomike po qe se flasim për bimët aromatike-mjekësore apo për peshqit, dy sektorë këta të zhvilluar në zonë. Kjo bën që një pjesë e mirë e hapësirës të jetë e mbrojtur, me dy parqe kombëtare, një tokësor, PK i Llogorasë (10.2 km), dhe një detar, PKD i Karaburun-Sazanit (126 km). Të dy këta parqe bashkohen nga rezerva natyrore e menaxhuar e Rrëzë-Karaburunit (200 km); brenda gjithë zonës shtrihen shumë monumente natyrore (bio-, gjeo- dhe hidromonumente). Më shumë për këto vlera lexuesi i interesuar mund t’i gjejë në ekoguidën e botuar prej nesh në faqen e FShN, UT (http://www.fshn.edu.al/home/publikime-shkencore).
Por zona ka edhe shumë vlera arekologjike dhe historike, duke filluar nga rrënojat ende të pa zbuluara mirë të Orikut të lashtë (që datojnë deri në shekullin V p.e.s.), dhe ngjitur me të Baza detare që ka shërbyer si e tillë në gjithë qytetërimet, si në periudhën romake, atë osmane (emri sot Pashaliman), atë të Traktatit të Varshavës, të periudhës kineze, e deri sot në përbërje të NATO-s. Në rrethina gjenden kisha të vjetra, kala dhe të tjera gjurmë të historisë së lashtë të një populli me tradita luftarake dhe atdhedashëse. Zona dallohet nga një folklor i pasur, me veshje, këngë dhe valle, si dhe nga një mikpritje e veçantë. Të gjitha këto janë pasuri për një turizëm të larmishëm dhe të shtrirë në të katër stinët.
Sipas INSTAT Orikumi ka rreth 11,000 banorë, por unë mendoj se ky numër është shumë më pak gjatë një pjese të mirë të vitit, pasi një pjesë e mirë e banorëve janë emigrantë në Itali, Greqi e gjetkë, ose me punë në Tiranë. Ky numër shumëfishohet në verë dhe – në mos qofsha i gabuar – ndoshta e gjithë zona shkon deri në 30,000 banorë. Shumica janë emigrantë vendas që kthehen në verë për të takuar të afërmit dhe për t’u çmallur me vendlindjen, pse jo edhe për të pushuar pas një viti me siguri të lodhshëm në kurbet; ndonjë nga të rinjtë përfiton nga rasti edhe për të vendosur kurorë; Orikumi në muajin gusht gëlon nga dasmat. Natyrisht, një pjesë e çlodhjes së emigrantëve është edhe deti pranë. Ata kanë ndrequr shtëpitë e dikurshme duke i bërë ato të përshtatshme për pushimet e verës. Pjesa tjetër e pushuesve, jemi ne që punojmë në Tiranë ose gjetkë dhe mblidhemi në Orikum për pushime, në shtëpitë tona të trashëguara apo të blera rishtas. Pushues të tjerë janë shqiptarë vendas ose nga diaspora, por dhe të huaj që vijnë me qira në Orikum ose në hotelet e ndërtuara enkas përgjatë gjithë bregdetit deri në Vlorë (nga pak ditë deri në 2 javë). Këtë verë kam hasur targa makinash deri edhe nga Polonia dhe Lituania. Orikumi ka edhe një port të vogël jahtesh që sjell gjithashtu turistë vendas apo të huaj. I gjithë ky popullim në stinën e verës është ndoshta pasuria më e madhe ekonomike e kësaj zone.
Gjithë këto vlera të përmendura lart janë aty dhe janë të shfrytëzueshme, por deri sot vetëm pjesërisht, gjatë verës. Nga fundi i korrikut deri në mesin e gushtit, zona është plot jetë, ku është vështirë të lëvizësh me makinë, vështirë për parkim; po shkove me vonesë në plazh, vështirë të gjesh çadër, vështirë të gjesh vend për t’u ulur për të pirë një freskuese, të gjitha dyqanet janë plot me klientë, madje duhet të bësh radhë edhe për të blerë një misër të pjekur anës rrugës. Pas kësaj periudhe, bashkë me dallëndyshet shtegtojnë edhe pushuesit, dhe rikthehet sërish qetësia për banorët vendas. Pas kësaj periudhe mund të parkosh dhe të ulesh ku të duash. Në 28 nëntor para dy vitesh, kemi darkuar me mish të pjekur, vetë i dytë bashkë me gruan, të vetëm nën një dritë qiriri, në një nga restorantet e Radhimës, shumë të zhurmshme në verë! Ishte shumë romantike, por dhe e trishtë njëkohësisht, po qe se kemi parasysh zhvillimin e qëndrueshëm të zonës!
Unë nuk jam lindur në Orikum, por me të më lidh një periudhë mbi 50 vjeçare. Aty kam mbaruar shkollën 8-vjeçare. Kam punuar si i ri gjatë verës, në praktikë apo në stazh thuajse në gjithë ndërmarrjet e dikurshme, NBU, NB Rinia, Bonifikim, Dolomit, deri dhe në Uzinën ushtarake. Trashëgova nga prindërit një apartament dhe për këtë nuk e kam zëvendësuar Orikumin për pushimet e verës me asnjë vend tjetër. Mund të rrëfej për lexuesin se si flihet në Orikum nuk flihet gjetkë! Është kënaqësi të zgjohesh në mëngjes nga cicërimat e zhurmshme të dallëndysheve (Hirundo rustica) që në gjithë zonën janë të bollshme. Në Orikum njihem mirë me vendasit dhe ndihem si në vendlindje. Kjo është edhe shtysa për të shkruar këto komente menjëherë pas kthimit nga pushimet, me bindjen se Orikumi meriton më shumë vëmendje, dhe i ka të gjitha mundësitë të jetë një model i turizmit në Shqipëri, gjithëvjetor, në gjithë larminë turistike të mundshme.
Uji është jetë!
Pa ujë nuk ka jetë! Ky është një postulat i dijes që ne ua mësojmë studentëve të biologjisë qysh herët. Në fiziologjinë bimore i kushtojmë ujit dhe regjimit ujor një kapitull të tërë. As që bëhet fjalë që uji për njeriun ka shumë rëndësi jetike! Kudo ku vendoset njeriu e para gjë që siguron është uji. Në vitet 1990-të, thuajse i gjithë vendi trashëgoi furnizim me ujë të pijshëm të ndërprerë. Nga ana tjetër, menjëherë filloi riparimi i banesave, duke filluar nga banja dhe këndi i gatimit. Për të siguruar ujë 24 orë secili vendosi në tarracë një fuçi, pak a shumë të madhe, duke filluar nga 500 l e sipër. Me ujin e fuçisë, ne përdoruesit plotësojmë të gjitha nevojat për higjienën personale, larje dhëmbësh, fytyre dhe trupi, larje-shpëlarje rrobash, të gjitha larje-shpëlarjet në këndin e kuzhinës; shumica edhe gatuajmë me atë ujë, dhe kush është ‘hollë’ nga ekonomia e përdor atë edhe për të pirë.
Për ta sjellë në trendin e kohës, këto fuçi u emërtuan depozita ose bolierë të huazuara nga italishtja. Unë këtu do të përdor termin shqip ‘fuçi’ për t’i dhënë më shumë theksin kësaj çështje, dhe kursyer ca gërma në shkrimin tim të gjatë. Një sistem të tillë furnizimi me fuçi bota e qytetëruar e ka braktisur me shekuj si të dëmshëm dhe shpërdorues. Atë e gjejmë sot vetëm në filma ku tregohen vendbanime të Perëndimit të Largët. Kurse te ne, edhe sot e kësaj dite gjithë ndërtimet në vend bëjnë ç’është e mundur që të vendosin një sistem fuçish për të siguruar ujin, i cili vazhdon të vijë me ndërprerje, kjo duke filluar nga Tirana. Vetëm se në pallatet e reja ka një farë përmirësimi pasi sistemi është i përbashkët për secilin pallat, me një motopompë dhe një sistem fuçish të përbashkëta. Duket se vetëm qyteti i Korçës ka mundur të bëjë ndryshimin, duke siguruar ujë për 24 orë pa fuçi, falë kjo vullnetit të mirë dhe mbështetjes së qeverisjes vendore.
Fuçia me ujë, një herë e vendosur sipër në tarracën e pallatit, pak është më pas nën kujdesin e përdoruesit. Në ca raste fuçia mund të jetë e mbyllur automatikisht, por në shumë raste është jo e mbyllur hermetikisht, duke bërë të rrjedhë ujë mbi tarracë, herë në mënyrë të dukshme dhe herë jo; pra në këtë mënyrë të shpërdorojë ujë kur vjen nga rrjeti i ujësjellësit, por edhe duke u vetëndotur nga atmosfera përreth. Për ata të kateve të fundit, fuçia në tarracë duhet të ketë një farë lartësie për të pasur presionin e duhur të shtyjë ujin e ngrohtë të fuçive ngrohëse të dusheve që secili prej nesh ka brenda në banjë; kjo bën që për këtë fuçitë në tarracë të vendosen disi më lart se të tjerat, duke krijuar një peizazh tepër të veçantë, origjinal, në tarracat e pallateve tona, edhe aspak tërheqës.
Në varësi të lartësisë, fuçia mund të mbushet vetë nga presioni i rrjetit; por, ka plot raste kur secili duhet të sigurojë një pompë personale për të shtyrë ujin nga poshtë deri në fuçinë e tij sipër në tarracë. Në rastin tonë në Orikum, për ne të katit të parë mundet që fuçia të vetëmbushet sot me presionin e rrjetit. Kurse ata të katit të dytë e më sipër kanë nevojë për ta shtyrë ujin nga rrjeti me ndihmën e një pompe të vogël. Në këtë mënyrë, çdo mëngjes apo pasdite kur vjen uji në Orikum, korit të cicërimave të dallëndysheve të palodhura që ushqejnë të vegjlit në pullazet e pallateve u shtohet edhe kori i çjerrë i motopompave; ka prej banorëve, që për të plotësuar nevojat me ujë gjatë periudhës së mbingarkuar të gushtit, pompat i vendosin në punë edhe kur nuk ka ujë në rrjet, për të thithur drejt fuçive të tyre edhe ato pak kullesa brenda rrjetit të përbashkët. Edhe pse nuk jam i kësaj fushe, e shpjegova gjithë këtë ‘inxhinieri’ popullore hidroteknike që ne kemi vënë në zbatim, për të treguar se si është zgjidhur dhe mbahet në funksion sigurimi i pandërprerë i ujit të pijshëm në familjet shqiptare apo gjithë shërbimet e tjera. Aq shumë është harxhuar në gjithë vendin në këta vite tranzicion për fuçitë në tarracat e pallateve, pompat dhe gjithë shtojcat përkatëse të tyre, sa po t’i kishim mbledhur bashkë ato lekë do t’i kishim ndërtuar ujësjellësit disa herë në mbarë vendin.
Para viteve 1990-të në Orikum uji vinte tri herë në ditë me sasi relativisht të bollshme. Në atë periudhë as që bëhej fjalë për fuçi në tarracë, pasi nuk ishte e lejuar! Pas viteve 1990-të qyteti u zgjerua shumë me ndërtime, dhe nga sa duket ende është në fuqi sistemi i dikurshëm, vetëm se sjell ujë 2 herë në ditë dhe në një kohë më të kufizuar se dikur për shkak të zgjerimit të ndërtimeve. Sasia e ujit që konsumohet ende nuk matet dhe ende paguhet në mënyrë të përafërt për frymë. Kjo duket se nuk përbën problem për banorët vendas që në të shumtën e vitit nuk janë të shumtë në numër. Por kur konsumi shumëfishohet gjatë muajit gusht, çështja ‘ujë’ bëhet me të vërtetë shqetësim. Atë ditë që nuk na mbushet fuçia ne ndihemi të shqetësuar pasi nga kjo varet plotësimi i nevojave të ditës. Ky shqetësim bartet prej disa vitesh dhe është gjithnjë në përkeqësim. Po aq shqetësim është edhe gjetja e gjuhës së përbashkët në pallatin ku jetoj në Tiranë, në rastet kur ky sistem dëmtohet dhe duhet rregulluar!.
E njëjta gjendje është thuajse në gjithë vendin, përfshirë dhe Tiranën. Por Tirana është qytet i madh, tepër i shtrirë, me ndërtime që nuk kanë të sosur edhe sot e kësaj dite, dhe zgjidhja kërkon jo vetëm vullnet të madh, por edhe shumë punë e shumë para.
Kurse për Orikumin më thonë se ujësjellësi i ri, i filluar që në qeverinë Berisha, është ndërtuar pjesërisht, dhe është në pritje që investimi të vazhdojë deri në fund. Kujdes!
Kur sisteme të tilla lihen në mes, pa u vënë në punë, ato dëmtohen më shpejt (nga amortizimi, thonë specialistët)! Por, kjo do të thotë që ekzistojnë edhe sot mundësitë në Orikum që të paktën të shtojnë sasinë e ujit në periudhën e konsumit maksimal (gjatë muajit gusht) për të plotësuar më mirë nevojat po me këtë sistem, pavarësisht nga të metat që bart. Natyrisht, me vullnet të mirë dhe përpjekje, Orikumi i ka të gjitha mundësitë të ketë një Ujësjellës të rregullt, hermetik, me furnizim 24 orë, pa fuçi në tarracë.Shendeti.com.al