Kryeministri dhe kreu i PS-së Edi Rama duket se është i pakënaqur nga puna e deputetëve në terren dhe drejtuesve të degëve.
Duke iu referuar burimeve nga mbledhja e grupit të PS me dyer të mbyllura, Rama është shfaqur i pakënaqur nga terreni dhe ka kërkuar të punohet më shumë me bazën.
“Të shpërndaheni nëpër zonat tuaja. Drejtuesit e degëve në rrethe të jenë të përkushtuar. Angazhimi në terren duhet të jetë maksimal. Të punojmë sikur zgjedhjet të jenë këtë qershor”, mësohet të ketë thënë Rama.
Ndërkohë ka pasur edhe ‘tërheqje veshi’ pas seancës së kaluar me tensione dhe përjashtime në Kuvend, e cila është bërë pjesë e mbledhjes se grupit parlamentar. Rama mësohet t’i ketë kërkuar deputetëve të tij të ruajnë qetësinë.
“Nuk duhet t’i kundërpërgjigjemi provokimeve të opozitës”, ka thënë Rama. Në diskutimet e grupit ka qenë edhe rendi i ditës për seancën e së enjtes dhe axhenda partiake dhe qeveritare.
Kujtojmë në seancën e kaluar deputetët e opozitës hodhën miell, vezë, letra e shishe në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave. I vetmi nga maxhoranca që u përgjigj ishte Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, i cili e pësoi me përjashtim 10 ditë nga Kuvendi ashtu si 6 deputetë të opozitës.
/BW