Loading...

Deutche Welle jep lajmin e madh për shqiptarët

KE do të aprovojë “Paketën e zgjerimit”, raporte për përparimin drejt BE. Shqipëria e Maqedonia pritet të marrin rekomandim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, Kosova pret kritika për ngadalësimin e reformave.
Në prag të publikimit më 17 prill të raportit të përparimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli bëri të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE në secilin nga gjashtë shtetet partnere në rajon. Sipas informacioneve që ka DW për raportin e këtij viti për paketën e zgjerimit, sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, liria e shprehjes dhe konfliktet bilaterale janë vlerësuar sërish si “çështjet më të dhimbshme” për të gjithë rajonin.Shqipëria dhe Maqedonia të gatshme për një hap të mëtejshëm drejt BE

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i tha DW se ai beson se të dyja vendet kanë bërë përparim të qenësishëm në rrugën drejt BE.

“Shqipëria ka bërë një reformë të thellë juridike, e cila, pasi të zbatohet do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar midis shteteve në procesin e zgjerimit, dhe do të thosha edhe më serioze se në rastin e disa shteteve anëtare të BE.”

Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Në krye të këtij viti, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës. Dhe kjo me sa duket do të ndodhë.

A do ta “zhbllokojnë” shtetet anëtare Maqedoninë?Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka pritur për një kohë të gjatë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE. Në 2005 Maqedonia mori statusin e kandidatit për anëtarësimin në BE. KE e rekomandoi dy herë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, në 2009 dhe në 2012. Të dyja herët Maqedonia nuk mori mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare, në radhë të parë për shkak të konfliktit për emrin me Greqinë. Pas zgjedhjeve të fundit, në Maqedoni ndodhën ndryshime dramatike me ndërrimin e qeverisë. Vlerësimi i Brukselit është se Maqedonia e ka “kapërcyer krizën politike” dhe ka treguar “një vullnet të qartë politik për progres”.

Eduard Kukan thotë se Maqedonia ka bërë një progres të konsiderueshëm në vitin e fundit. Ai shton se kryeministri aktual Zoran Zaev po drejton një politikë të jashtme dinamike dhe po përpiqet t’i zgjidhë çështjet e hapura.

“Ndodh shpesh që shtetet anëtare nuk i bazojnë pozicionet e tyre në rezultatet që arrin një shtet në procesin e integrimit evropian, por në çështje politike dhe bilaterale. Unë do t’i bëja thirrje Këshillit që t’i vlerësojnë në mënyrë objektive rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Maqedonia në rrugën e tyre drejt BE,” tha Kukan.

Jozyrtarisht, DW mësoi nga burime diplomatike të Brukselit se zyrtarë të lartë të BE kanë zhvilluar diskutime me shtetet anëtare për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën praktikisht deri në momentin e miratimit të raporteve. Në Kosovë gjërat nuk ecin si duhet

Sipas Eduard Kukanit, Kosova, ashtu si Bosnjë-Hercegovina nuk duhet të presin raporte pozitive nga Komisioni Evropian këtë vit. Sundimi i ligjit dhe aspekte ekonomike të vendit janë ende nën një pikëpyetje të madhe, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në stanjacion, me shkallëzime të herhershme dhe tensione në të dyja palët. Komisioni Evropian beson se reformat në Kosovë janë ngadalësuar në sajë të periudhës së zgjedhjeve vitin e fundit në Kosovë. Autoriteteve të Prishtinës do t’u kërkohet që të punojnë në mënyrë me efikase për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe që të angazhohen më fort në dialogun me Beogradin. Në këtë kuadër përfshihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në radhë të parë ngritja e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

“Besoj se ky raport nuk do t’i sjellë shumë inkurajim Kosovës, sepse mund të kishin bërë shumë më tepër. Sa kohë iu desh Parlamentit të Kosovës që të aprovojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi? Kjo është një provë se gjërat në Kosovë nuk ecin si duhet të ecnin. Unë pres një sërë rekomandimesh të ashpra në raport për atë si duhet ecur dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen në rrugën evropiane,” tha Kukan.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, ai nuk do të jetë pjesë e raportit për Kosovën. Pas një kohe të gjatë, Prishtina plotësoi njërën nga dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave dhe aprovoi një marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi. Në Bruksel dëgjon të thonë se në mënyrë që të mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën, së cilës ende i duhen viza për të hyrë në Shengen, Komisioni Evropian mund të paraqesë disa aspekte pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, i cili është kushti i fundit që ka mbetur. Në anën tjetër, për shkak të imigrimit të madh nga Kosova, shtetet anëtare janë më shumë se të kujdesshme kur vjen puna për ta përfshirë Kosovën në listën e bardhë të Shengenit.

Serbia dhe Mali i Zi – kryesojnë, por me probleme të dukshme në sundimin e ligjit
Vitin e kaluar, Serbia dhe Mali i Zi morën nga Komisioni Evropian titullin e “pararojës” në rrugën drejt BE.

“Është e qartë se këto vende do të marrin mbështetje nga KE për të hapur dhe për të mbyllur me shpejt kapitujt e anëtarësimit, shoqëruar me këmbënguljen për plotësimin e të gjitha kritereve pa lëshime,” thotë Eduard Kukan.

Ajo që është e qartë është se një nga pjesët më të rëndësishme, nëse jo më e rëndësishmja e raportit të Komisionit Evropian për Serbinë, do të jetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ka një vonesë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por edhe në normalizimin e marrëdhënieve midis të dyja vendeve.

Në këtë raport, KE do t’i kujtojë Serbisë se përparimi i saj në rrugën drejt BE do të varet nga reformat e brendshme po kaq sa nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në dialog, në radhë të parë në fushën e energjisë.

Megjithë vlerësimet e mira që merr për reformat e saj ekonomike dhe për rolin pozitiv në marrëdhëniet rajonale Serbia po përballet sërish me kritika për reformën juridike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lirinë e shprehjes. Këto janë elementë të dhimbshëm në të gjithë rajonin, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë që prej nisjes së procesit të integrimit e´në BE.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com