Loading...

Tumori në mushkëri, mos i nënvlerësoni këto simptoma. Mund t’ju shpëtojnë jetën

Tumoret në mushkëri futen në tërësinë e neoplazive dhe klasifikohen si gjithë neoplazitë e tjerë në beninje dhe malinje. Janë patologji të vështira për t’u kuruar dhe mund të mos zhvillohen fillimisht në mushkëri, por të mbërrijnë si metastaza nga një tumor i lokalizuar diku tjetër në trup dhe të zhvillojnë tumor në mushkëri.

Shkaqet e tyre janë të shumta. Bëhet fjalë për patologji multifaktoriale, ku më kryesori është stili i jetesës. Ajri i ndotur, duhanpirja, si dhe ndotësit e ndryshëm fizikë e kimikë janë faktorë risku në shfaqjen e tumoreve në mushkëri, sidomos të kancerit bronkial, i cili është dhe më i shpeshti në vendin tonë.

Trupi ynë konsiderohet si një “makinë perfekte” dhe na nis përherë sinjalet e duhura, kur diçka nuk po funksionon normalisht. Shpesh herë ne i neglizhojmë shenjat që trupi na jep, sepse i trembemi faktit se mund të përballemi me një patologji të rëndë.

Por, njohja e simptomave kryesore do t’ju bëjë më të ndërgjegjshëm për të shkuar për vizitë dhe tashmë dihet se parandalimi, apo kurimi i hershëm janë shumë herë më efektive se sa kur sëmundjet e rënda kanë përparuar.

Disa nga simptomat më të shpeshta janë:

  1. Kolla e vazhduar me përmbajtje gjaku. Kolla është shenjë e shumë sëmundjeve respiratore, ndonjëherë dhe jo kaq të rënda sa kanceri, por mbetet një shenjë që nuk duhet nënvlerësuar.

  2. Dhimbja në pjesën e gjoksit dhe të shpinës. Dhimbja është difuze, jo e lokalizuar në regjionin e tumorit.

  3. Dhimbjet e kokës dhe të kockave. Patologjitë që shoqërohen me këto simptoma, janë të shumta, por duhen marrë seriozisht, nëse bëhen kronike dhe kanë një intensitet të lartë.

  4. Humbja e kujtesës dhe humbja e oreksit, rënia e masës muskulare dhe shtimi i prodhimit të mukusit në rrugët e frymëmarrjes.

Mukusi i shtuar vihet re lehtësisht nga pacienti për shkak të kollës me sekrecione të shtuara dhe të shoqëruara me përmbajtje gjaku. Rënia në peshë është shenjë specifike e shumë tumoreve në organizëm dhe mbetet e tillë dhe për tumoret e mushkërive.

Shpesh herë tumoret e mushkërive janë asimptomatikë, pra nuk shoqërohen me simptoma të perceptueshme qartë nga pacienti. Kjo gjë bën të mundur dhe diagnostikimin e vonshëm të tyre, fatkeqësisht kur janë në faza tepër të avancuara dhe mundësitë për kurimin efektiv mbeten të pakta.

Por, nëse tumori është simptomatik, është mirë të mos i neglizhoni simptomat e mësipërme, pasi mund t’ju shpëtojnë jetën tuaj.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com